Tani dhe Arbri diskutojnë mbi pozicionin që ky i fundit po mban në lojë. Dritani i thotë se fakti që ai iu kundërvu Liamit dhe që po afrohet më shumë me grupin tjetër, e bën të duket i lëkundur në sytë e publikut dhe po humbet pozicion. Arbri nuk e pranon këtë fakt dhe e kundërshton Tanin
Genta dhe Liami diskutojnë mbi kohën e mbetur deri në finale. Ajo thotë se publiku e solli deri këtu e duhet ta çojë në fund, por duket që Liami e sheh gjithçka me dyshim. Erioni sqarohet me Françeskën për debatin që patën, ndërsa flet për lidhjen me Ermalin dhe thotë se ajo e ka mbajtur peshën e kësaj lidhjeje në shtëpi.
Genta: Publiku të vërë dorën në zemër për mua
Genta dhe Liami dalin në oborr dhe fillojnë të bëjnë shaka e të ngacmohen me njëri-tjetrin. Genta i kërkon Liamit që të zgjojnë nga gjumi Gerin, por ai nuk pranon. Në një moment, Liami i thotë Gentës: “E, Genta erdhëm edhe nga fundi” dhe ajo i përgjigjet “erdhëm dhe do jemi bashkë”. Liami vazhdon më tej, duke e kthyer në pyetje mendimin e Gentës “do jemi?” dhe ajo i përgjigjet: “besoj se po… pse a ka pasur njeri më të veçantë se mua këtu brenda?” dhe më pas shton me të qeshur “po bëj modesten tani”. Genta vazhdon duke thënë se “derisa erdha deri këtu, publiku le të vërë dorën në zemër, le të më mbajë deri në fund” dhe Liami thotë vetëm një “e pra”. Më pas Liami thotë “dreqi ta hajë, ç’do të ndodhë për dy javë?” dhe Genta e kthen bisedën në seriozitet dhe shprehet: “ne nuk kemi shoqëri si këta, që të na votojnë”. Ajo merr si shembull Klaudjan dhe Gertën, të cilat, sipas saj, kanë shoqëri të zgjeruar dhe njohje me njerëz në gjendje të mirë ekonomike që mund të votojnë edhe disa herë për to. Ndërsa Liami nga ana tjetër thotë të kundërtën: “mua më njohin shumë”. Ndërsa Genta shton më tej “nëse jemi këtu, jemi thjesht për njerëzit që na pëlqejnë dhe kanë votuar për ne”.
Më pas ata nisin të bisedojnë për familjarët e tyre.
Genta: Liami do të humbasë pikë që fjeti me Gerin
Françeska, Tani e Genta ndodhen në oborr ku djemtë e tjerë luajnë tenis dhe fillojnë të bisedojnë për Gertën. Tani thotë se ajo ka strategjinë e saj, ndërsa Genta i thotë se asaj nuk i intereson strategjia e Gertës dhe e askujt tjetër. Më pas vajzat vendosin të futen brenda dhe ftojnë edhe Tanin që ta vazhdojë bisedën me to, por Tani qëndron në oborr për të luajtur me djemtë e tjerë.
Genta e Françeska vazhdojnë të komentojnë Gertën edhe në dhomën e gjumit. Françeska thotë “edhe mua nuk më duket se ka strategji ajo”, ndërsa Genta nis të flasë për faktin që në mëngjes Gerta u zgjua me Liamin në të njëjtin shtrat dhe kjo është një gjë që Gerta ka thënë se nuk do ta bënte, sidomos për lojë. “Mua më habiti shumë ai fakt, por nuk dua që ta komentoj”, thotë Genta për fjetjen e Gertës me Liamin. Genta thotë se ajo nuk do që të kapet me Gertën për këtë dhe as të flasë për të, sepse në këtë mënyrë i jep më shumë rëndësi. Françeska shprehet se ajo nuk mund të japë gjykime për Gertën që fjeti me Liamin, sepse ajo është në një situatë të tillë, pasi fle çdo natë me Ermalin. Genta i thotë Françeskës se situata e saj nuk është njëlloj me atë të Gertës sepse ajo ka një lidhje të deklaruar me Ermalin, ndërsa Liami e ka lidhjen e tij të deklaruar që në fillim të “Big Brother”, jashtë shtëpisë. “Mendoj se ky ka për të humbur shumë pikë, sepse e ka lidhjen jashtë”, thotë Genta. Ajo shton më pas se këtë gjë nuk ka se kush t’ua vërë në dijeni atyre.
Françi: Gjithë barrën e lidhjes e kam mbajtur unë
Tri vajzat e mbetura të shtëpisë rrinë pranë njëra-tjetrës dhe bisedojnë për finalen. Gerta thotë edhe një herë tjetër se sheh më shumë Françeskën si finaliste se sa Ermalin. Françeska e merr seriozisht bisedën dhe thotë se jashtë shakasë, asaj me të vërtetë do t’i pëlqente që të ishte në finale. “Jo se e kam sigurinë, por sepse mendoj se kam dhënë aq shumë sa për të shkuar në finale, por pse jo, edhe për të fituar, pavarësisht se kësaj asnjëherë nuk i dihet”, thotë Françeska. Gerta i thotë se tashmë nuk është më gjithçka në dorën e tyre, sepse ata nuk e dinë se si janë interpretuar veprimet e tyre nga publiku. “E rëndësishme është që jam e fituar brenda vetes”, thotë më tej Françeska. Ndërsa Genta fillon të kujtojë ish-banorët dhe ata që kanë kaluar gjatë qëndrimit të tyre në shtëpi. Françeska, nga ana tjetër, nis të flasë për lidhjen me Ermalin që për një kohë të gjatë shërbeu edhe si pikë sulmi për banorët e tjerë. Françeska thotë se në fillim të hyrjes së saj në shtëpi, banorët janë kapur shumë pas lidhjes së saj me Ermalin dhe faktit që ajo fjeti me të. “Me mua janë kapur shumë për lidhjen, kam debatuar shumë dhe gjithë barrën e kësaj lidhjeje e kam marrë unë përsipër”, thotë Françeska. Gerta e pyet “po pse e ke mbajtur vetëm ti barrën e lidhjes?” dhe Françeska, e mbështetur edhe nga Genta, thotë se Ermali nuk u jepte rëndësi atyre që thoshin banorët për lidhjen e tyre, ndërsa ajo mundohej që të ruante imazhin e saj. “Ka qenë barrë e dyfishtë për mua, një loja dhe dy lidhja”, thotë më tej Françeska. Ajo shprehet se një ndër personat që është zënë më shumë brenda shtëpisë ka qenë Klaudja, sepse, sipas saj, Klaudja e ngacmonte me tendencë Ermalin dhe shpesh i fliste Françeskës me ironi. Gerta pyet se si ka reaguar Ermali në këtë pikë dhe këtu ndërhyn edhe Genta, e cila thotë se një ndër debatet më të forta të Ermalit me Klaudjan është bërë vetëm për ofendimet që ajo i bëri Françeskës gjatë një loje.
Eri-Françit: Vetë më keni lejuar të bëj shaka me ju
Erioni dhe Françeska sqarohen për debatin që lindi mes tyre nga fakti se ai dhe Genta kishin qeshur me një moment intim të saj me Ermalin. Ai thotë se komentet dhe e qeshura ishin në kuadër të shakasë, pasi kanë qenë vetë Françeska dhe Ermali ata që ia kanë lejuar këtë gjë. “Unë jo, Ermali”, i thotë Françeska. Ndërsa Erioni i kujton disa situata, ku ajo vetë ka bërë shaka lidhur me këtë gjë. Françeska thotë se ndihet e ofenduar që ai e ka quajtur “femër të ulët”, ndërsa Erioni e sqaron se nuk ka qenë ashtu, por ka thënë “gjest i ulët”. Pasi sqarohen me njëri-tjetrin, mendojnë të hyjnë brenda dhe të nisin të luajnë “Monopoli”.
Tani-Arbrit: Je i lëkundur, po humbet pozicion
Tani i vë në dukje Arbrit faktin që ai është i lëkundur e thotë se kjo gjë tashmë është e qartë për të gjithë. Ndërsa Arbri nuk e pranon e thotë se nuk e sheh këtë gjë te vetja. Tani i kujton atij diçka që Arbri i ka thënë Liamit, ku sipas tij, Arbri e ka thënë vetëm për ta nxjerrë keq përballë të tjerëve, ndërkohë që në një bisedë që bëjnë vetëm të dy, nuk mund t’ia thotë. Arbri shprehet se ka thënë gjithmonë gjërat që mendon se ekzistojnë vërtet dhe këtë gjë e ka bërë me të gjithë. Ai bën dallimin e karakterit të tij nga Genta, duke thënë se nuk i pëlqen fakti që Genta vërtet rri me të gjithë, por nuk ia thotë në sy atë që mendon dikujt, por e diskuton me të tjerët. “Pavarësisht kësaj, unë ndryshimet tek ti i kam parë”, i thotë Tani. “Të gjeta të fortë, por të lëkundesh në këtë lloj mënyre duket sikur humbet pozicionin”, vazhdon t’i thotë Tani. Ai ia bën të qartë Arbrit që të mos pretendojë se mund të gjejë një pozicion tjetër më të mirë se ai që ka pasur. Për këtë i merr shembull veten, duke i thënë se ka qenë i lëkundur në momentin që ka hyrë, por tani është pozicionuar, pasi i është dashur kohë për ta bërë këtë gjë, ndërsa Arbrit nuk mund t’i lejohet kjo gjë. Tani thotë se fakti që Arbri i vlerëson shumë banorët e grupit tjetër, bën që të tregohet i dobët në njëfarë mënyre dhe t’ia rrisë vlerat kot.
Tani: Dihej që Ermali do nominonte Françeskën, është vetëm në lojë
Gerta, Liami e Tani janë duke marrë rreze dielli dhe bisedojnë për lojën që bëjnë ata brenda shtëpisë. Tani i thotë Gertës se ai nuk e sheh shumë normale që ajo arriti të pozicionohej aq shpejt pranë Liamit dhe Arbrit. Gerta i thotë se ajo e ka pasur të mjaftueshme një javë për t’u pozicionuar. Ajo akuzon Tanin se ai mundohet që gjithmonë pyetjet asaj t’ia bëjë me tendencë.
Pas kësaj ata nisin të komentojnë lojën e Ermalit. Geri thotë se Ermali po luan shumë dhe një ndër gjërat që e vërteton këtë është edhe fakti që ai nominoi Françeskën. Liami nuk e pranon mendimin e saj dhe thotë se Ermali e nominoi Françeskën nisur nga rrethana të tjera. “Ai e ka thënë më përpara se është vetëm në lojë dhe do vinte një moment që do ta tregonte me vepra këtë dhe e tregoi” thotë më tej Gerta për Ermalin. Tani kundërshton Gertën duke i thënë “ai e ka treguar që është vetëm, jo vetëm me këtë, po edhe me gjëra të tjera”.