MOIKOM ZEQO – Ideja plebishitare, d.m.th e votimit mbarëpopullor për strukturën politike, për ndryshimshmërinë e saj progresive është prova e një arsyetimi naiv romantik, ose grotesk për shumë politikanë shqiptarë që nuk e kanë fare të qartë këtë nocion. Për shkak të formimit të mangët dhe diletantizmit provincial disa politikanë e kanë konsideruar idenë plebishitare si një atu fantazmagorike të fitores së ëndërruar vetjake me padurim. Po kjo është një keqkuptim i frikshëm, një lloj harikiri iluzionist për ta. Ideja plebishitare është mbipartiake, mbi normalitetin ritual parlamentar. Ndodh në raste kthesash të mëdha, që nuk përsëriten shpesh. Vota plebishitare në 22 mars 1992 nuk qe votë thjesht për PD-në, por më substancialisht një votë popullore për shkëputjen përfundimtare nga sistemi i dështuar totalitar. Votimi plebishitar mbas ngjarjeve tragjike të 1997-s në Shqipëri nuk qe një mbështetje masive thjesht për PS-në, por një reagim popullor i ndërlikuar kundër menaxhimit fatal të pushtetit dhe demokracisë së keqpërdorur barbarisht. Nuk janë dy dukuri autentike dhe të barasvlershme megjithatë. Si PD ashtu dhe PS nuk i kuptuan në thellësi kumtet e vërteta të vitit 1992 dhe 1998. Panë vetëm anën e jashtme të plebishitarizmit, madje i pronësuan si atribute të vetvetes. Pra u morën me propaganda partiake të rëndomta dhe jo me reflektime konceptuale, madje deri më sot. Nga viti 1992 e gjer në 2012, PD numëron 14 vjet në qeverisjen ekzekutive të Shqipërisë, kurse PS vetëm 8 vjet. Ky është një fakt i kronikës historike, fakt i padiskutueshëm. Mund të mos ishte kështu, por ja që është kështu.
Mbas vitit 1997 PD në opozitë ka qenë më e kujdesshme për përmendjen e ndryshimit plebishitar në favor të saj dhe të udhëhequr prej saj, duke ushtruar hullinë e pragmatizmit më të mistifikuar dhe vulgar politik dhe është në qeverisje këta 8 vitet e fundit falë kalkulimeve të koalicioneve, më saktë falë /////////////////////osmoszës me LSI-në.
E djathta zyrtare nuk flet fare për fitore plebishitare ndaj së majtës. Kurse PS u hipnotizua nga ideja plebishitare e fitores ndaj të djathtës dhe realisht i humbi dy herë rresht zgjedhjet e mëdha politike. Sloganet e PS-së qenë buçitëse, mbarëpërfshirëse, kushtrimore, por krejt spektakolare dhe për më tepër diletante, si “përtej të majtës dhe të djathtës” deri tek i fundit “rilindja shqiptare” (rilindje pa elektoratin e djathtë ?!)Ky është një vështrim manikeist, vetëm bardhë e zi në politikë, paradigma “ne” dhe “ata”, ku “ne” shpallet e Mira dhe “ata” e Keqja. Pra një lojë shahu ku gurët e bardhë fitojnë, ose duhet të fitojnë mbi gurët e zinj. Ky kuptim i tillë i politikës demokratike moderne është padyshim katastrofik.
Politika e vërtetë, pavarësisht përplasjeve dhe mospajtimeve programore dhe konceptuale është megjithatë komplementare.
PS është partia më e madhe politike në Shqipëri dhe ka 8 vjet në opozitë. E meriton t’i fitojë zgjedhjet politike në 2013. Por kjo nuk është e lehtë. PS duhet të emancipohet e të heqë dorë konkretisht nga ideja mesianike, si dhe e fitores gjoja plebishitare.
Vërtet Shqipëria po përjeton një krizë të tmerrshme dhe të shumëfishtë, ka pakënaqësi, pasiguri, zhgënjime. Klasa parapolitike shqiptare që ende nuk është bërë një klasë e vërtetë dhe moderne politike është përgjegjëse për këtë situatë. Pra jo vetëm PD, por edhe PS. Partikracia e zhvilluar prej tyre për 20 vjet, lidershipet virtuale që nuk janë personalitete të vërteta, deintelektualizmi si formë pllenuese e servilizmit, korrupsioni i përvijuar, i kthyer në sistem arkaik dhe të rrezikshëm, mungesa e vizionit afatgjatë, diletantizmi klanor, kthimi i partive nga institucione të shenjta, të hapura publike në klane të mbyllura dhe klube shokësh etj., janë arsye tepër serioze, pafundësisht serioze për t’u analizuar me gjakftohtësi, përtej emrave konkretë, mllefeve, inateve të vogla, larg mediokritetit historik shqiptar, larg gabimeve të rutinizuara mjerueshëm.
Situata politike dhe ekonomike e rajonit nuk ka qenë asnjëherë më keq, kjo reflektohet edhe te ne. Por ideja e një Shpëtimtari, i një Sol Invictus nuk funksionon në Shqipëri. Liderët e vetëshpallur mesianikë janë qesharakësia e vetvetes, nuk i beson askush.
Mjaft me mesianizëm idiot politik!
Zgjedhjet politike të 2013-s nuk ka gjasa të jenë dhe nuk do të jenë ndryshime radikale plebishitare, por një proces shumë i vështirë dhe tejet delikat, me shumë të panjohura algjebrike, ndoshta me ndryshime të një lloji tjetër, të lëvizjeve për thyerjen e monopolit 20-vjeçar zotërues të dy partive të madha, të krijimit të ekuilibrave të rinj sipas konotacioneve të faktorëve të rinj politikë, por pa atributin e shkopit magjik të plebishitarizmit onirik.