“Kërkuam gjashtë herë informacion për buxhetin, tenderin dhe rikonstruksionin e sallës së seancave plenare”
Lëvizja Mjaft ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për të “detyruar” Kuvendin e Shqipërisë ti japë një informacion zyrtar, të cilin e ka kërkuar që prej fillimdhjetorit të vitit të kaluar.
Në një njoftim për shtyp Lëvizja Mjaft ka bërë të ditur se si pasojë e mungesës së një përgjigjeje nga ana e Kuvendit ndaj gjashtë kërkesave për informacion zyrtar, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës.
” Më 5 dhjetor 2011, Lëvizja Mjaft i ka dërguar 6 kërkesa zyrtare Kuvendit të Shqipërisë me objekt marrje informacioni për buxhetin faktik dhe atë të detajuar të institucionit për vitin 2009 dhe 2010, për auditin e brendshëm si edhe për tenderin publik për mobilimin dhe rikonstruksionin e sallës së seancës plenare. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare, përtej afatit 40 ditor që përcakton Ligji për të Drejtën e Informimit, u vijua me procedurat e ankimit administrativ. Këto shkresa i janë dërguar Kuvendit të Shqipërisë më datë 10 shkurt 2012 dhe megjithëse ka kaluar afati 30 ditor për ankimet administrative, ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë. Pas ezaurimit tërësor të të gjitha hallkave administrative, Mjaft! ka zgjedhur rrugën gjyqësore, me besimin në funksionimin e një sistemi shtetëror operativ, i cili garanton respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, si në këtë rast, ku kërkohet respektimi i së drejtës kushtetuese për informimin publik, parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe rregulluar me një ligj të posaçëm. E konsiderojmë të rëndësishëm këtë hap pasi kërkojmë të sensibilizojmë të gjitha institucionet publike mbi lidhjen e pandashme që qëndron mes mirëqeverisjes demokratike dhe informimit publik mbi veprimtaritë institucionale”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Lëvizjes Mjaft.
11 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)