NJË PRESIDENT I ASKUJT DHE I TË GJITHËVE

ANDREA STEFANI - Të gjithë thërrasin se President duhet të bëhet një figurë e gjithëpranuar. Dhe argumenti që japin për këtë, shqiptarë apo ndërkombëtarë qofshin, është se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Por ndërsa thonë një gjë të tillë harrojnë të mendohen pak më thellë dhe të shtrojnë pyetjen: A ekziston vërtet mes shqiptarëve i shumëpërfoluri, por edhe i pakuptuari i “unitetit i popullit”? Na duket se pikërisht mungesa e një uniteti të tillë është shkaku kryesor i vështirësisë së gjetjes së një zgjidhjeje të duhur për çështjen e Presidentit.

***

Operimi me klishera, si kjo e “unitetit të popullit” të trashëguar nga propaganda moniste, është tipari më i përhapur jo vetëm i zhargonit politik të majtë e të djathtë, por edhe i atij diplomatik të disa ndërkombëtarëve. Është një dukuri që përpiqet të fshehë, por njëherazi edhe e denoncon, mungesën e arsyetimit që mundëson kuptimin e realitetit politik. Që Presidenti ta përfaqësojë unitetin duhet që më parë ky unitet të ekzistojë. Dhe në kuptimin politik, uniteti nuk buron automatikisht nga fakti që shqiptarët janë shqiptarë. Në kuptimin politik, uniteti ka të bëjë me dakordësinë e shqiptarëve për sistemin politik të bashkëqeverisjes apo të vetëqeverisjes së tyre. Po të shikosh Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të rezulton se shqiptarët kanë rënë dakord, ndër të tjera, që “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore”. Por ndërsa ndjek dinamikën e politikës në këta 20 vjet, shikon se uniteti i popullit në faqet e Kushtetutës nuk reflektohet thuajse fare as në rezultatet e votimit dhe as në pozicionimet e partive politike apo udhëheqjeve të tyre. Masa të tëra shqiptarësh kanë vazhduar të votojnë tradicionalisht një forcë politike edhe pse kjo dhe lidershipi i saj, ka manifestuar praktikisht ambicien që sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë të mos bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ashtu sikundër është shkruar në Kushtetutë. Ndonëse një ambicie e tillë nuk ka lënë pa prekur partitë e tjera, ajo ka qenë më e pranishme dhe më agresivisht e aplikuar, gjatë qeverisjeve të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha. Praktikisht shqiptarët nuk janë në unitet për sa i takon natyrës së sistemit politik edhe pse të gjithë ata, si dhe liderët politikë që duartrokasin dhe votojnë, flasin ditën dhe natën për integrimin e Shqipërisë në Europë. Një fakt tjetër që ilustron ndarjen e sloganeve politike nga praktika politike, fjalën nga vepra. Kjo çarje në preferencat për sistemin politik manifestohet edhe në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Integrimi në Europë kërkon që  President të zgjidhet një person që i ka shanset t’i shërbejë ndërtimit të një sistemi ku pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor janë të ndara nga pushteti ekzekutiv. Dhe kjo gjë, që është sanksionuar dhe në Kushtetutë, nuk mund të ndodhë kurrë nëse në postin e Presidentit zgjidhet një kandidaturë e shumicës qeverisëse. Aq më pak mund të shpresohet një gjë e tillë nëse kjo kandidaturë zgjidhet me 71 votat e qeverisë edhe pse deformimet e Kushtetutës në 21 prill, e bëjnë një akt të tillë të duket si kushtetues. E ndërsa shpall se ka qëllim kryesor integrimin europian, Kryeministri Berisha dhe PD këmbëngulin që Presidenti të dalë nga një kandidaturë e tyre. Vetëm dje, Astrit Patozi, figura e dytë e mazhorancës, këmbënguli se “logjika politike të çon në atë që lokomotiva e tranzicionit, që në rastin tonë jemi ne, i bie të bëjë edhe zgjedhjen e një institucioni të rëndësishëm që është Presidenti i Republikës”. Në këtë frazë, ku nuk mungon as figuracioni i lokomotivës të stërlodhur nga propaganda bolshevike, shprehet gjithë mendësia moniste e berishizmit sipas të cilës, pushtetet duhet të përqendrohen në një dorë, në një parti, në një lider.

***

Kundër këtij pozicioni autokratik është rreshtuar opozita politike që këmbëngul se Presidenti i ardhshëm nuk duhet të jetë një kandidaturë e Partisë Demokratike. Një kërkesë e drejtë kur dihet se figura si p.sh. Jozefina Topalli, të paafta të lartësohen as deri në pozicionin e paanshëm të spikerit të Kuvendit, s’mund të shpresohet se do të kishin aftësi të sublimoheshin për të arritur atë neutralitet kushtetues dhe mbipartiak që kërkon posti i Presidentit të Republikës. Ndërkaq, zgjedhja President e një kandidature të opozitës, ndërsa do t’i vinte kufi ambicies së Berishës për të kapur të gjitha pushtetet, mund të shfaqte të njëjtën problematikë për sa i përket ndarjes së pushteteve nëse do të kemi rotacion në vitin 2013. Prandaj kërkesës së drejtë të opozitës se Presidenti nuk duhet të jetë njeri i qeverisë, i duhet shtuar edhe se ai nuk duhet të jetë as njeri i opozitës. Vetëm një kandidaturë e një personi që nuk i përket asnjë partie, do të shtonte shanse që Shqipëria të ketë një President që duke qenë i askujt, do të mund të ishte Presidenti i të gjithëve. Vështirë se ka ndonjë figurë partiake që mund të plotësojë kriterin për të qenë “i askujt”. Veç jashtë partive, jashtë komunitetit të politikanëve, mund të gjenden jo pak. Një i tillë mund të ishte publicisti Daut Gumeni. Një i përndjekur politik që ka vuajtur burgjet komuniste, por edhe që ka demonstruar pjekuri, integritet dhe ndershmëri dhe përkushtim ndaj idealeve demokratiko-liberale gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Por shihet qartë se klasa politike kërkon ta kllaposë listën e kandidaturave brenda saj ndërsa riciklon lloj-lloj mbeturinash politike, duke e argumentuar këtë kufizim me gjoja nevojën e  “përvojës” politike. Në fakt, një përvojë aspak e admirueshme që i ka ardhur në majë të hundës jo pak shqiptarëve. Gjithsesi, mungesa e konsensusit për Presidentin, është tregues i mungesës së unitetit të shqiptarëve dhe politikanëve të tyre për sa i takon sistemit. Në momentin që ndodhemi, pozita tenton bashkimin e pushteteve, opozita ndarjen e tyre. Dhe është e vështirë që Berisha me oreksin e tij për të kapur gjithë pushtetet, të lërë t’i ikë nga dora rasti për të zgjedhur President një delfin të tijin vetëm me 71 vota. Një katastrofë për demokracinë dhe integrimin që mund të shmanget vetëm me ndërhyrjen e fuqishme të ndërkombëtarëve për një kandidaturë që shkon në favor të ndarjes së pushteteve. Vetëm atëherë politikanët shqiptarë do të mund të zgjedhin me “konsensus” dhe, sikundër sugjeroi dhe ambasadori i SHBA, Arvizu, qysh në raundin e parë, një President. Një President që duke qenë i askujt do të mund të jetë i të gjithëve, një President që duke i shërbyer ndarjes së pushteteve, do të kontribuonte në bashkimin e shqiptarëve.

Autor te 11 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Miftar Zybri

    Edhe unë Z. Stefani jam me ju, të zgjedhim një president që
    do ti bashkonte shqiptarët, por jo vetën ato të Shqipërisë, ti bashkojë të
    gjithë shqiptarët ku do qoftë që ata gjinden. Vetëm një Shqipëri e bashkuar mund
    të jetë frytdhënëse për vet shqiptarët mbase edhe më gjerë. Presidenti shqiptar
    pikësëpari duhet t`a dojë Shqipërinë më pastaj edhe Evropën, me fjalë të tjera
    presidenti shqiptar duhet të jetë patriot shqiptar dhe jo ai të dojë më tepër
    Greqinë, Italinë apo Amerikën më shumë se Shqipërinë. Unë nuk di se në Shqipëri
    ekziston një njeri i tillë?!

    • Endri

      E ke ngatrru shum punen o Miftar! Nuk e kuptoj se çfar te keqe ka te duash Europen dhe pse nje gje e tille qenka penges per me qen patriot shqiptar. A nuk ishin shqiptaret ata qe kerkuan ta bejme Shqiperine si gjithe Europa?

      • Miftar Zyberi

        Ju z.Stefani e keni gabuar punen qe ne titull te shkrimit dhe titulli duhet te ishte i ketille:” Nje president i shqiptareve dhe i te gjitheve”. Nje president nese eshte i asjkujt atehere si do ishte i shqiptareve?!

  • SIKUR ANA.

    Ja per shembull,vete shoku Andrea si intelektual qe eshte ,do ishte shume i pranueshem si President.Ky eshrte tipiku nga ata qe i bashkon shqiptaret.Pavaresisht se sot eshte ne rolin e agjitpropit te viti ‘ 67.

  • Ela

    personi me i mire sot eshte Besnik Mustafaj ose Ermelinda Meksi

  • Fanatiku

    Sa vulgare dhe te ligj jane keta berishistet si puna e ketij SIKUR ANA. Kur nuk kane çte kundershtojne me argumete bindese kalojne gjoja ne shpotitje banale qe e shesin sikur eshte kulmi i zgjuaresise. Jam dakort me Andrean qe duhet te gjenden kandidatura jashte kesja politike qe na e ka sjelle ne maje te hundes. Z.Daut Gumeni eshte nje shembull por mund te gjenden shume te tjere. Sa per fanatike te tipit SIKUR ANA, qe jane produkte mediokre te agjitpropit te Berishes, ata do te donin qe President te behet donje si Topalli qe eshte çekiçi i Berishes ne Kuvend. Nga ana e vet Berisha do ishte i kenaqur edhe me ndonje robot te bindur si SIKUR ANA.

  • baca

    ai qe nuk don veten se pari ,nuk eshtè per askend.

  • Arif

    Atëherë le të thuhet që na duhet një president që e dëshiron unitetin e popullit dhe që do përpiqet (të mos themi të luftojë) për këtë .

  • Zaçe SEJDI

    Zoti Stefani kini plotesisht te drejte.Dhe emri perifrazusei z. Gumeni eshte shume i goditur.Por kutu luhet dicka tjeter .Fijet jane ne dore te Janullatosit violines i bie ortodoksia keto rrenje shkojne deri tek presidenti Amerikan qe caktoi Zotin Arvizu qe na flet per burra shteti ata qe vjedhin vrasin dhe shkaterrojne institucionet e pa mvarura

  • Kalorsi i Zi

    Z Stefani, ju falenderoj per artikullin dhe per shikimin pertinant qe ju karektirizon po ashtu per patriotizmin intelektual e cila i mungon shqiperise dhe shqiptareve. Sot bota ndryshon dhe shqiperia ka nevoje me shume se kurre te ndryshoje imazhin e saj te perbaltur nga politikanet shqiptar. Zgjedhja e presidentit kalon nga LSI  e cila ka nevoje dhe detyren ndaj popullit te garantoje vazhdimesine e nji shteti ose pseudoshteti aktual, per kete ka nevoje te nji ”new look” ose nji intelektual patrijot me vlera humane per te pastruar imazhin e saj. Ju uroj Ju Z Stefani dhe te gjithe patrioteve intelektual shqiptar te merni ne dore fatin e Shqiperise dhe te shqiptareve per nji te ardheme ku vlerat te jene kriteret e jetes.  Me shume respekt

  • Zasejdi

    Presidenti me gjithe kufizimet qe ka me ndryshimet kushtetusete vitit 2008 ka ne dore tri gjera drejtesine sherbimin informativ dhe prokurorine.Bamir Topi u zgjodh nga Berisha cfare beri asgje dy pale zgjedhje u vodhen prokurorja nuk ka ngritur as nje padi ndaj Berishes>nje shebull para pak ditesh Berisha tha ne parlament se ..”u a bej sic u a bera me 21 janar”’..Cfare do tjeter kejo prokurore te ngreje padi per 21 janarin dhe akuzat e Berishes si lavire bulevardi jane per te mbuluar bashk punimin.Cfare beri Bamir Topi per 21 janarin  po per Tomerit dheShashekat qe shkelin hapur ligjin dhe Bari Shaqirin nuk e lane amerikanet qe ta shkarkonte Berisha Pra Berishaa do nje Top te ri prandaj dhe vendi po shkon gjithenje e me poshte drejt nje DIKTATURE qe ndyshon nga ajo e ENVERIT se Enveri te vriste  thosh te vrava dhe nuk te jepte vend varri BERISHA te vret dhe nuk te thote qe te vrava une po te varros me lule te vret naten dhe te qa diten,Prandaj duhet nje president jo i Berishes