Hetimet 


Akuza sekuestron dokumentet te MASH. Ministria nuk i konvertoi diplomën e pjekurisë


Sokol Çobo – Zgjerohet skandali i pajisjes me diplomë false të Renzo Bosit në Shqipëri. Prokuroria zbulon se djali i politikanit ekstremist italian, Umberto Bosi, është regjistruar në universitetin “Kristal” me një vërtetim që shkruante se personi në fjalë kishte përfunduar shkollën e mesme në Itali. Dorëzimi i këtij dokumenti daton në vitin 2007, në kohën kur “Trofta” ende nuk kishte marrë diplomën e pjekurisë.


Megjithatë, “bashkëpunëtorët” e tij kanë paraqitur të gjitha dokumentet në universitetin privat dhe zyrtarisht “shkruhet” se 24-vjeçari ka ndjekur rregullisht studimet, në një kohë që vetë ka pranuar se nuk di asnjë fjalë shqip dhe se nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Deklarata e lëshuar nga Renzo ka lehtësuar punën e prokurorëve të njësisë Task-Forcë, të cilët kanë vërtetuar se për rastin në fjalë kemi një falsifikim dokumentesh. “Do të kryejmë ekspertizën e origjinalitetit të diplomës së sekuestruar nga Prokuroria e Milanos dhe Napolit. Nëse rezulton se është origjinale, atëherë pedagogët dhe persona të tjerë që kanë bërë regjistrimin e tij në universitetin privat mund të ndiqen penalisht. Tashmë është vërtetuar se kemi të bëjmë me një rast abuzimi, pasi personi që ka marrë diplomën pretendon se nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat shtojnë se do bashkëpunojnë me drejtësinë italiane për zbardhjen e këtij abuzimi në sistemin universitar. “Do të kërkojmë pyetjen zyrtarisht të Renzo Bosit për diplomën e marrë në universitetin ‘Kristal’. Gjithashtu kërkojmë diplomën origjinale të sekuestruar në Itali, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera”, pohojnë burimet nga njësia Task-Forcë. Sipas tyre, hetimet do të vijojnë me pyetjen e pedagogëve që kanë firmosur në listën e notave apo regjistrin e universitetit. Rezulton se Renzo ka marrë 29 provime gjithsej.


Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka marrë më së fundmi dokumentet nga Ministria e Arsimit, në lidhje me rastin “Renzo Bosi”. “Ministria e Arsimit na ka vënë në dispozicion disa dokumente për auditet tek universitetet private. Kemi kërkuar prej tyre nëse kishin njësuar diplomën e shkollës së mesme të Renzo Bosit. Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se nuk ka një vendim të tillë dhe me sa duket, ministria nuk ka pasur informacion për këtë student”, thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se po verifikohet edhe roli i MASH në këtë çështje.


Grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se Renzo Bosi është regjistruar në universitetin “Kristal” pa diplomën e pjekurisë dhe përpos kësaj ka arritur të marrë pikët maksimale në Shqipëri, duke u diplomuar në degën e Menaxhim Biznesit. Rezulton se Bosi ka marrë 29 provime, të gjitha në gjuhën shqipe, për të cilin kanë firmosur pedagogët, madje me nota 8, 9 dhe 10, që konsiderohen shumë të larta në Shqipëri. Madje, Bosi ka marrë provimet e pjekurisë në Itali vetëm në vitin 2009, ndërkohë që në dokumentet e universitetit privat në Shqipëri rezulton se ai është regjistruar në vitin 2007. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se Renzo Bosi nuk ka pasur diplomë pjekurie dhe megjithëkëtë mungesë është regjistruar në universitet, vetëm me një vërtetim, i cili dyshohet se është fals. Oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë edhe listën e notave nga Renzo, ndërsa kanë saktësuar edhe mënyrën e regjistrimit të tij në këtë universitet. Nga verifikimet e para ka rezultuar se djali i Umberto Bosit ka frekuentuar edhe seminaret e leksionet. Sipas dokumenteve, Renzo paraqitet një student serioz, i pranishëm në leksione dhe seminare, madje edhe aktiv, megjithëse rezulton se ai nuk di gjuhë shqipe, kjo e faktuar edhe nga një deklaratë e tij dy ditë më parë për mediat italiane.


Bosi ka nxjerrë një mesatare rreth 9, në një kohë që në Itali ende nuk kishte përfunduar shkollën e mesme


 


Kule


Akreditimi i universiteteve, jo nga qeveria. Hesht për shitjen e diplomave


Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, nuk ka pranuar të komentojë mbi atë që është quajtur skandali i shitjes së diplomave në universitetin “Kristal”, pa përfunduar më parë hetimi i prokurorisë. Ai tha se është shumë i rëndësishëm akreditimi i universiteteve private, nga një institucion i pavarur dhe jo nga Agjencia e Akreditimit. “Procesi i akreditimit, e kemi theksuar është një domosdoshmëri nuk mund të komentohet dhe gjykohet, procesi i akreditimit për universitetet publike, pra shpesh ka komente që përse nuk akreditohen edhe ata. Ky është një sofizëm, sepse gjithë procedurat e miratimit të kuotave, të programeve, i kanë kaluar nëpër këto institucione. Për akreditimin e universiteteve, domosdoshmërisht në vende si Shqipëria, është nevoja e një agjencie të pavarur”, tha Kule duke kundërshtuar hapur të marrë pjesë në sistemin e ankimit të kryer nga Ministria e Arsimit, pa u kryer më parë akreditimi i universiteteve private. Sipas “Top Channel”, në vendin tonë, operojnë rreth 45 universitete private, një pjesë e madhe e të cilave funksionojnë edhe pse disa pjesë të programeve e kanë të paakredituar. Në krye të këshillit të akreditimit në agjencinë e publike të akreditimit, është këshilltari aktual i Kryeministrit Sali Berisha, Bardhyl Musai, i cili vendos për hapjen e universiteteve private në vendin tonë.