Zhvillimet
Kryeministri paralajmëron ministritë. Financat: Pas qershorit
Ministria e Financave e ka ndarë mendjen. Rishikimi i buxhetit konstaton në ulje të shpenzimeve dhe prek më tepër ato institucioni që kanë dështuar të realizojnë sipas planit investimet. Plani konsiston në pritjen e rezultateve nga tatimet dhe doganat sa i takon të ardhurave, të paktën deri në maj, për të patur një ide se deri ku do të shkojë gërshëra e prerjes së fondeve. Kriza në arkën e shtetit, ku në 3-mujorin e parë doli me minus 4 miliardë lekë të ardhura dhe me deficit të rritur mbi 250 për qind, e ka komplikuar situatën me manovrën e menaxhimit të borxhit, shërbimit e të cilit këtë vit arrijnë në 50 miliardë lekë.
Financat presë rezultatet e arkëtimeve të muajit maj, për të parë konkretisht masën e shkurtimit
Sakaq, dje kryeministri ka paralajmëruar institucionet për reduktimin e pashmangshëm të buxhetit. Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim të zgjeruar me ministra të kabinetit qeveritar dhe me drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit. Duke folur për projekte të shumta në këtë sektor, kryeministri pranoi se do të shqyrtonte buxhetin në qershor, duke sqaruar se nuk ishte në planet paraprake, por 100 vjetori i pavarësisë e detyron.
Në kuadër të krizës, kreu i qeverisë i lëshon një tjetër mesazh krerëve të institucioneve, sa i takon emërimeve në administratë. “Siç e kemi bërë të ditur, nuk do shtohet as edhe një punonjës i vetëm në administratën shtetërore, përveç zëvendësimit të daljeve në pension dhe ku është e mundur do të përgatisni punonjësit ekzistues”, tha kryeministri në mbledhjen e djeshme.
“Siç e kemi bërë të ditur, nuk do shtohet as edhe një punonjës i vetëm në administratën shtetërore”
Buxheti i shtetit për këtë vit arrin në masën e rreth 397 miliardë lekëve, ku rreth 360 miliardë lekë është i siguruar nga të ardhurat. Ky zë nuk po kontribuon si duhet në arkën e taksapaguesve shqiptarë. Vitin e kaluar të ardhurat nga taksën rezultuan afro 130 milionë euro mangët, me një situatë emergjente, aq sa u ndje në fillim të vitit.
a.kola