Largimet


Tashmë është zyrtare: Te Milani ka përfunduar një cikël. Pas lamtumirës së Alesandro Nestës, nga kuqezinjtë zyrtarizohen edhe largimet e Xhenaro Gatuzos dhe Filipo Inzagit. Gatuzo konfirmoi largimin nga “Djalli”, pas një takimi të zhvilluar me Galianin, që nuk solli fundin e lumtur. Ndryshe nga katër vjet më parë, kur administratori i klubit e bindi mesfushorin luftarak të mos transferohej te Bajerni, tashmë palët nuk kanë gjetur akordin për rinovimin e kontratës. Kjo ka bërë që Gatuzo të vendosë të tërhiqet nga futbolli i luajtur: “Nuk kishte më hapësirë për mua, por u ndamë si miq. Ky është thjesht një mirupafshim”, ishin fjalët e 34-vjeçarit. Trishtimi për tifozët e Milanit në këtë ditë lamtumirash mori përmasa edhe më të mëdha, pasi Inzagi, ikona e golave kuqezi dha lamtumirën. Sulmuesi zgjodhi të konfirmonte largimin nëpërmjet një letre prekëse, të publikuar në faqen zyrtare të klubit. Tashmë pritet edhe largimi i mesfushorit Klarens Sedorf, një tjetër ikonë e skuadrës së Karlo Ançelotit.