Rama-Meta. “Ky takim ishte shumë frytdhënës, në planin më të gjerë. Në kuptimin, jo se çfarë është diskutuar atje, por faktin se udhëheqësit e partive duhet të shkëmbejnë mendime me interes kombëtar”
Ndërkombëtarët: “Kemi të bëjmë me aspekte shumë të rëndësishme. I pari vizita e Kryeministrit Berisha në Uashington, ku mendoj se ka marrë mesazhe konkrete. I dyti lidhet me vizitën e zotit Fule në Shqipëri”
Kushti. “Sot kërkohet një president me një zë të vetin, të fortë brenda Kushtetutës, e mbi të gjitha të mos jetë klient i asnjërës partie politike. Nuk duhet të kemi një president nga strukturat e larta PD-PS”
Intervista
Deputeti i PS: “Berisha ka marrë mesazhe konkrete nga SHBA e BE
BLEDAR HOTI – Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, në një intervistë për gazetën “Shqip” shprehet se presidenti i ri nuk duhet të jetë një emër që vjen nga një profil i lartë politik, nga strukturat politike nga PD apo PS. Ai vlerëson pozitivisht takimin që bëri bujë mes Ramës dhe Metës.
Zoti Minxhozi, ditët e fundit skena politike shqiptare është përfshirë nga një lëvizje e papritur, një takim mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta. Si e shihni ju një takim të tillë, në një kohë që ka pasur shumë kontestime, pasi dy liderët e partive kanë qenë edhe si kundërshtarë politikë?
Kjo nuk është diçka e re, pra risi. Gjithmonë “armiq”, në një moment të caktuar kanë pasur takime të përzemërta, të lumtura, dhe kjo jo për shkak të dashurisë mes njëri-tjetrit, por për shkak të një domosdoshmërie për të pasur një dialog, një bashkëpunim, e mbi të gjitha një shkëmbim idesh. Ajo që ka dëmtuar Shqipërinë në këto 20 vite ka qenë pikërisht mungesa e dialogut politik, pavarësisht kaheve politike. Prandaj ky takim ishte shumë frytdhënës, në planin më të gjerë. Në kuptimin, jo se çfarë është diskutuar atje, por faktin se udhëheqësit e partive politike duhet të shkëmbejnë mendime për interesin kombëtar.
A mendoni se një takim i tillë do ta dëmtojë PS-në? Nisur nga fakti se socialistët kanë qenë kundërshtarë dhe madje kanë sulmuar ashpër kreun e LSI-së?
Unë do mendoja diçka tjetër se ka pasur takime jo thjesht brenda këtij spektri, por edhe të partive realisht historikisht antagoniste me njëra-tjetrën, siç kanë qenë takimet e Ramës me Berishën, apo siç kanë qenë kohë më përpara takimet mes Nanos dhe Berishës. Duhet të kemi parasysh se faktori ndërkombëtar trysninë kryesore e ushtron në një fakt, te mungesa dialogut. Kjo ka krijuar një hendek shumë-shumë të madh, duhet kapërcyer qoftë edhe me kosto, për fjalët që janë thënë në mënyrë të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit. Jemi në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë dhe një ndër trysnitë kryesore të Brukselit është që partitë të ulen të diskutojnë për probleme me interesa kombëtare, shumë më të gjera sesa interesat partiake, ku një rol shumë të rëndësishëm ka edhe zgjedhja e presidentit të vendit.
Me këtë takim, Rama-Meta, bëhet fjalë vetëm për një bashkëpunim për çështjen e presidentit, apo në të ardhmen ai mund të shtrihet edhe për qëllime elektorale në vitin 2013?
Ne duhet të ecim hap pas hapi, tema kryesore e takimit Meta-Rama ka qenë për çështjen e ngërçit politik të zgjedhjes së presidentit. Dhe kjo nuk ndalon që në të ardhmen të ketë takime të tjera për çështje të interesit të përbashkët për të çuar më tej reformat në Shqipëri.
Duke u ndaluar te çështja e presidentit, a mendoni se ai mund të zgjidhet që në raundin e parë, siç edhe ka hedhur si ide dhe ambasadori amerikan, Arvizu, pra me 84 vota?
Kemi të bëjmë me aspekte shumë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. I pari vizita e Kryeministrit Berisha në Uashington, ku mendoj se ka marrë mesazhe konkrete. I dyti lidhet me vizitën e zotit Fule në Shqipëri. Nëse keni parasysh një shprehje interesante të komisionerit se ‘Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë një figurë që përfaqëson interesat e gjithë vendit’, e përkthyer kjo, kreu i shtetit duhet të gëzojë respektin e konsideratën, jo thjesht të shtresave të ndryshme të popullsisë në Shqipëri, por në radhë të parë edhe të partive politike.
Ai plotëson këto kritere kandidati i vetëshpallur për president, zoti Nano, edhe pse kohët e fundit pas takimeve me Ramën dhe Berishën duket se sikur u skartua nga ky proces?
Nuk dua të veçoj emra të caktuar, si atë të Nanos, por edhe kandidaturat e përfolura në lidhje me këtë proces. Bashkohem mendimin e ambasadorit Arvizu, jo thjesht si kryediplomat i SHBA-së në Tiranë, po për faktin se kërkon një president për mbi të gjitha përfaqëson interesat e të gjithëve, i cili duhet të jetë mbi palët. Unë nuk dua të komentoj për kontributet dhe erudicionin e zotit Nano, apo për kandidaturat e tjera, qofshin partiake ose jopartiake. Por në Shqipëri, sot kërkohet një president me një zë të vetin, të fortë brenda Kushtetutës, që mund të vihet mbi palët, e mbi të gjitha të mos jetë klient i asnjërës partie politike.
Pra, jeni për një president me profil jopolitik?
Presidenti në vetvete është një person politik. Ne nuk mund ta ndajmë me thikë nëse është nga shoqëria apo politika, sepse në një mënyrë apo një tjetër janë të përfshirë në politikë. Mendoj se në asnjë mënyrë nuk duhet të kemi një president nga strukturat e larta të dy partive kryesore, duke përfshirë këtu dhe PS-në.
A mendoni se zgjedhja e presidentit me 71 vota nga PD-ja mund të shkaktojë krizë politike, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme?
Jemi përpara dy sfidave të rëndësishme, zgjedhja e presidentit dhe votimet e përgjithshme të vitit 2013. Nëse dështon zgjedhja e presidentit sipas standardeve dhe rekomandimeve të partnerëve euroatlantikë mendoj se ky është një sinjal ogurzi për demokracinë shqiptare dhe për zgjedhjet e ardhshme. Guri i provës së klasës politike për arritjen e standardeve është zgjedhja e presidentit. Nga kjo provë varen dhe shumë procese të tjera, duhet që ne të krijojmë atë klimën e një bashkëpunimi real, të mundohemi të vendosim institucionet e besimit reciprok, aq sa mund të arrihet. Pra jo të një indiference totale të mbajtjes së pozicioneve, por asaj të zbutjes së klimës politike në atmosferën e përgjithshme në Shqipëri dhe për më tepër atë kjo është ajo çfarë kërkon Brukseli. Realisht duhet të ulemi dhe të bisedojmë për çështjet kruçiale të vendit.
Ndërkohë, duket se sikur ka një ngurrim nga ana e Kryeministrit Berisha për të ulur në një tryezë nga partitë politike për çështjen e presidentit. A mundet që PD-ja, kreu i saj, Berisha, të mos e pranojë “presionin” e ndërkombëtarëve, duke e zgjedhur me 71 vota nga radhët e saj kreun e ri të shtetit?
Kjo do të ishte në kontekstin e para një muaji. Ma do mendja se edhe brenda gjirit të PD-së, duke përfshirë edhe Kryeministrin Berisha gjërat kanë ndryshuar, sepse duhet ketë një mentalitet të ri, që gjithsecili duhet ta pranojnë, qoftë Rama apo Berisha.
5 raunde: Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon një proces me 5 raunde votimi
84 vota: Sipas ligjit themeltar të shtetit shqiptar, kreu i shtetit në tre raundet e para zgjidhet me 84 vota
18 maj: Kuvendi i Shqipërisë parashikohet të mbledhë më datën 18 maj konferencën për caktimin e 5 raundeve
