Ministria: Orët shtesë, fakultative. Drejtoritë e shkollave: Jo me zgjedhje, të detyruara
Maturantët do të kenë në dispozicion orë shtesë për të ripërsëritur njohuritë e përftuara në lëndët që do të testohen në muajin qershor. Kështu nxënësit që do të marrin pjesë në provimin e parë të detyruar të maturës shtetërore, atë të letërsisë dhe gjuhës shqipe, do të kenë në dispozicion plot 24 orë konsulta për tetë ditë me radhë. Çdo ditë në oraret 10:00-11:00, 11:00–12:00 si dhe 12:00-13:00, të rinjtë do të kenë mundësi të marrin pjesë në këto orë konsultimesh, që janë parashikuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë paqartësi mbi lëndën. Orët shtesë do të zhvillohen të ndara sipas profileve që kanë përzgjedhur nxënës të ndryshëm, pra si profili natyror, ashtu edhe ai shoqëror, do të realizohen më vete. Specialistët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se konsultimet e parashikuara për provimin e letërsisë do të nisin më datë 20 maj në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Konsultat do të shërbejnë jo vetëm për ata nxënës që kanë mangësi në lëndën e letërsisë, por edhe për ata që kanë rezultate të mira, praktikë që u nevojitet për të rifreskuar informacionet e marra deri më tani. Ekspertët e arsimit, duke iu referuar përvojave të mëparshme, sqarojnë se konsultat do të jenë fakultative, por drejtuesit e disa shkollave të mesme në kryeqytet preferojnë që ato të jenë të detyruara, pasi në rast zgjedhjeje, maturantët do të tregoheshin neglizhentë, për rrjedhojë rezultatet do të ishin të pakënaqshme. Kështu, sipas të dhënave nga disa shkolla të mesme në Tiranë, për të vendosur nxënësit në pozita pune, theksohet se konsultat nuk do të jenë me zgjedhje, por të detyruara. Mësohet se nxënësit do të zhvillojnë mësim jashtë orarit zyrtar. Duke nisur nga data 20-28 maj, 5 ditë përpara zhvillimit të testit të parë të detyruar, letërsisë dhe gjuhës shqipe, nxënësit do të kenë mundësi të marrin njohuri të detajuara mbi programin lëndor të këtyre lëndë, qofshin ato shqiptare apo botërore. Nëpërmjet analizave që do t’u bëjë mësuesi veprave të ndryshme letrare, mendohet se do të ndihmojë sidomos ata nxënës që nuk e kanë përvetësuar siç duhet lëndën gjatë vitit.
Provimet dhe notat
Sipas Ministrisë së Arsimit, provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila, ndërsa testet e provimeve me zgjedhje vetëm 1 orë. Përqindja e notave të provimeve të detyruara për shkollat e mesme profesionale dhe social-kulturore do të jetë e ndarë në bazë të rëndësisë që ka kjo lëndë në institucione të ndryshme. Kështu, duke iu referuar sqarimeve të specialistëve në MASH, në shkollat profesionale, letërsia përfshin 15 për qind, ndërsa matematika 25 për qind të notës. Në shkollat social-kulturore, tezës së letërsisë i është bashkangjitur edhe lënda e gjuhës shqipe, e cila në total zë 25 për qind dhe matematika vetëm 15 për qind. Sakaq, në shkollat pedagogjike, letërsia dhe gjuha shqipe do të vlerësohen me 20 për qind të notës dhe provimi i dytë i detyruar, ai i matematikës, do të përfshijë po 20 për qind të saj.