Nga parashikimi i koniunkturës mësohet se në tremujorin e fundit të vitit 2011 dhe sipas parashikimeve edhe në tremujorin e parë të 2012-s ka pasur një tkurrje të aktivitetit ekonomik. Edhe në vijim të vitit 2012, ekonomia e vendeve të Eurozonës parashikohet të tkurret, ndërkohë që kriza e borxheve do të vazhdojë të ndihet sërish. Sipas parashikimit të Komisionit Europian, gjatë këtij viti, në ekonomitë e 17 vendeve që përdorin si monedhë euron, tkurrja parashikohet të jetë 0.3 për qind. Sipas komisionerit europian për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Oli Rehn, ndonëse duke filluar nga viti 2013 pritet të ndodhë një rritje e lehtë ekonomike dhe ka një lloj perspektive për ripërtëritje, gjendja ekonomike mbetet delikate. Kjo sepse sipas Rehn, situata ekonomike vazhdon të jetë e dobët dhe se ekzistojnë dallime dhe pabarazi të theksuara në vendet anëtare të euros. Për 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian në tërësi komisioni parashikon gjatë vitit 2012 një rritje prej 0 përqindësh, ndërsa për vitin e ardhshëm një rritje prej 1.3 përqindësh. Edhe papunësia pritet gjithashtu të mbetet e lartë. Dhe megjithëse gradualisht pritet një rritje ekonomike, papunësia në Eurozonë pritet që vitin e ardhshëm të jetë deri në 11 për qind. Nga ana tjetër reduktimi i deficitit në Europë po bën sipas Olli Rehn-it përparime, megjithëse me ritme shumë të ndryshme në vende të ndryshme. Gjermania, sipas të dhënave të saj është, siç pritej, shumë mirë. Edhe Italia, e cila ishte parë gjatë me shqetësim, po bën sipas parashikimeve të komisionit përparime në uljen e deficitit. I rëndësishëm për Presidentin e ri francez, François Hollande, për të cilin kursimi nuk është me sa duket aq i rëndësishëm, është lajmi se Franca me sa duket nuk do t’i realizojë objektivat e saj për konsolidimin, të cilat ishte rënë dakord. Nëse nuk ndryshon gjë në këtë drejtim, komisionit do t’i duhet në të ardhmen të marrë masa shtrënguese ndaj Francës. Mjaft mbi objektivin për deficitin është Spanja. Aty situata është veçanërisht e tensionuar, për shkak të bankave. Rehn-i e la të hapur nëse komisioni do t’i lejojë Spanjës një periudhë më të gjatë për uljen e deficitit, por shprehu besimin për qeverinë e Madridit. Në lidhje me çështjen e uljes së deficitit, presidenti i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann, i ka hedhur poshtë njoftimet se Banka Gjermane do të pranojë në të ardhmen një normë më të lartë inflacioni. Në disa intervista për gazetat gjermane, Weidmann theksoi qëndrimin e institutit të tij që është i pandryshueshëm. Detyra është që normën e inflacionit në Eurozonë të mbajmë në nivelin e vetëm 2 për qind. Kjo mund të jetë norma edhe në Gjermani, megjithëse ajo, edhe këtë herë, është mbi mesataren. Aktualisht inflacioni në Gjermani është 2 për qind. Në Eurozonë ai është 2,6 për qind.