Sulmi 


Ishte caktuar nga Presidenti për të negociuar mbi përfundimin e luftës me talebanët


Zyrtarët thanë se persona të armatosur vranë një anëtar të lartë të këshillit afgan të paqes, goditja më e fundit kjo për bisedimet e paqes. Autoritetet deklaruan se persona të paidentifikuar në një makinë hapën zjarr dje në mëngjes ndaj Arsala Rahmani në Kabul, ndërsa ai po shkonte në punë. “Rahmani sapo kishte nisur ditën dhe ishte duke shkuar në punë kur u sulmua nga persona të paidentifikuar dhe armë me silenciator. Fillimisht, shoferi nuk e vuri re që Rahmani ishte goditur. Plumbi erdhi nga një makinë që po ecte me shpejtësi. Më pas ai vdiq në spital”, thanë burime të policisë. Rahmani, ish-zyrtar taleban, u bë anëtar i këshillit afgan të paqes, i krijuar nga Presidenti Hamid Karzai për të negociuar një përfundim paqësor të luftës mbi 10-vjeçare në Afganistan. Rahmani shërbeu në postin e zv.ministrit të Arsimit të Lartë gjatë sundimit të talebanëve në Afganistan. Talebanët mohuan çdo përgjegjësi për sulmin e djeshëm. Gjithsesi, besohet se atentati është kryer nga sektorët më radikalë të talebanëve, që kundërshtojnë çfarëdolloj bisedimi me autoritetet zyrtare. Forca Ndërkombëtare e Sigurisë në Afganistan, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha se Rahmani “zgjodhi të jepte një kontribut pozitiv në vendin e tij, duke i kthyer shpinën një lëvizjeje kryengritëse”, që vazhdon të dëmtojë të ardhmen e Afganistanit. Në një deklaratë të Forcës Ndërkombëtare thuhej se sulmi “është një provë e qartë se ata persona që kundërshtojnë qeverinë legjitime të Afganistanit nuk janë të interesuar të mbështesin në ndonjë formë procesin e paqes”. Shtatorin e kaluar, ish-presidenti afgan, Burhanuddin Rabbani, i cili ishte kryetar i këshillit të paqes i Presidentit Karzai, u vra me anë të një sulmi vetëvrasës.


Sulmi: Autoritetet deklaruan se persona të paidentifikuar në një makinë hapën zjarr dje në mëngjes ndaj Arsala Rahmanit në Kabul, ndërsa ai po shkonte në punë


Negociatat: Rahmani, ish-zyrtar taleban, u bë anëtar i këshillit afgan të paqes, i krijuar nga Presidenti Hamid Karzai për të negociuar një përfundim paqësor të luftës mbi 10-vjeçare në Afganistan