Itali 


Mariana Marku, shqiptarja që u gjet e vdekur para pak ditësh në Itali, rezulton të jetë viktimë e një aksidenti rrugor. 30-vjeçarja, sipas hetimeve të Policisë së Akuilas, rezulton se është shtypur nga një makinë, e cila më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Komandanti i policisë lokale, Guarino Savano, tha dje se bazuar në hetimet dhe ekspertizën e kryer, rezulton se e ndjera, ish-bariste e një lokali, është shtypur me makinë dhe drejtuesi i mjetit është larguar pas ngjarjes. “Ne nuk mund të aludojmë për asnjë hipotezë tjetër lidhur me vdekjen e Mariana Markut”, deklaroi z. Savano. Ai pohoi se është rindërtuar skena e ngjarjes dhe minutat e fundit të jetës së Markut. “Viktima ka qenë duke përshkuar më këmbë rrugën dhe në momentet që ka dashur të kalojë nga njëra anë në tjetrën një makinë e ka përfshirë nën rrota”. Sipas hetimit, në orët e natës dhe në atë zonë, rëndom makinat udhëtojnë me shpejtësi të lartë. Gjithsesi policia nuk konfirmon ende nëse makina që u gjet e djegur të nesërmen është e njëjta me atë që shtypi Marianën.