Procedurat


Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvend pritet të mblidhet nesër për të vendosur në lidhje me datat në të cilat do të vendosen pesë raundet për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Miratimi i këtyre datave pritet të bëhet me konsensus nga të gjithë përfaqësuesit e partive në Konferencën e Kryetarëve, organ ky i drejtuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas Kushtetutës së miratuar me konsensusin e PD-së dhe PS-së në vitin 2008, kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në njërin nga pesë raundet që do të përcaktohen. Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar votash e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita. Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde të tjera në të cilat kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me 71 vota. Por situata politike për këtë zgjedhje është bërë shumë e komplikuar dhe vështirë se në këto momente mund të parashikohet se në cilin nga raundet do të zgjidhet kreu i ri i shtetit. Ndërkombëtarët janë të qëndrimit se Presidenti i ri duhet të zgjidhet që në raundin e parë, që do të thotë se ai duhet të jetë një figurë konsensuale e cila ka marrë paraprakisht miratimin e pjesës më të madhe të deputetëve në Parlament. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, e theksoi këtë në mënyrë të qartë se ishte e udhës që klasa politike shqiptare të ndiqte këtë udhë. Por në realitet ky skenar ka pak gjasa që të ndodhë, nisur dhe nga fakti se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka theksuar në mënyrë të qartë se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike. Ky qëndrim është kundërshtuar ashpër nga ana e Partisë Socialiste, por dhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë shprehur qartë se kreu i ri i shtetit duhet të jetë mbi palët politike. Por ky qëndrim i ri i bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, përkon me deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, duke bërë që aktualisht për këtë çështje të rëndësishme PS dhe LSI të jenë dakord. Ky zhvillim i ri pritet të hapë siparin e një shumicë të re parlamentare në vend dhe po kështu ta kthejë çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit në një garë të mirëfilltë mes dy kampeve. Nga ana tjetër, Ilir Meta shoi zërat se do të ishte kandidaturë për të qenë President, duke theksuar se ai tashmë e gjen veten në politikën aktive dhe për këtë çështje ka shumë kohë përpara të mendoj. “Kam 30 vjet kohë për të menduar në lidhje me këtë çështje”, theksoi Meta, duke lënë të kuptohej se kishte kohë dhe për gjetjen e kandidaturës së përshtatshme për këtë pozicion tepër të rëndësishëm.


 


Kushtetuta


Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar votash e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita