Shumica
Që të realizohet një skenar i opozitës për të hyrë në zgjedhje me një qeveri tjetër, duhet vënë në përdorim “shumica e re” e aktivizuar në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës
Skenari i mocioneve në Kuvend, shifrat dhe nenet e Kushtetutës
Refuzimi i mazhorancës për të ndryshuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të realizuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe rezistenca për numërimin elektronik, mund të çojë në një qëndrim të ri të opozitës ndaj qeverisë, i cili do të artikulohet sipas situatës. Burime brenda opozitës bëjnë të ditur se po elaburohen të gjitha variantet, por ka gjasa që nëse dështon reforma dhe vendi futet në një qerthull krize, ka gjasa që Partia Socialiste të artikulojë qëndrimin e saj për të shkuar në zgjedhjet parlamentare pa qeverinë aktuale të drejtuar nga Kryeministri Berisha. Por një qëndrim i tillë nuk do të bëhet pa u përdorur të gjitha mjetet e ndërmjetme dhe vetëm nëse dështojnë ato. Pikërisht një acarim i situatës do të bënte të mundur testimin e asaj që po gatuhet prej ditësh nga Edi Rama dhe Ilir Meta për një pakt të ri mes të majtëve shqiptarë. Nëse do të ishte e pamundur që të ndryshohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili kërkon 84 vota në Kuvend, atëherë do të duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare pa u mbyllur mandati i kësaj KQZ-je, i cili skadon në muajin e dytë të vitit 2013. Pra, zgjedhjet duhet të zhvillohen para kësaj date. Por që të realizohet një skenar i opozitës për të hyrë në zgjedhje me një qeveri tjetër, duke vënë në përdorim “shumicën e re” të aktivizuar në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, pra PS+LSI+të pavarurit, do të duhet që të aktivizohet një mocion mosbesimi në Kuvend. Sipas një gjeopolitike të re të Parlamentit, në rast se LSI-ja largohet nga qeveria, atëherë mund të krijohen votat për të rrëzuar Berishën. Partia Socialiste ka aktualisht 63 deputetë, LSI-ja ka 4 deputetë, shto Vangjel Dulen, Dritan Priftin, Kastriot Islamin dhe Gazmend Oketën bëhen 71 deputetë, pra 50 plus 1 e Parlamentit. Sipas nenit 105 të Kushtetutës së ndryshuar më 21 prill të vitit 2008: “Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri”. Nëse ndodh rrëzimi i qeverisë me mocion, atëherë sipas pikës 3 të nenit 106, “Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend”. Por si çdo reagim që ka kundërreagimin e tij, edhe Berisha mund të lëvizë në mënyrë të shpejtë duke përdorur pikërisht një nga nenet e ndryshuara në Kushtetutë. Bëhet fjalë për nenin 104, i cili i jep Kryeministrit të drejtën për të paraqitur një mocion besimi në Kuvend. Nëse shumica e deputetëve nuk e votojnë këtë mocion besimi, atëherë brenda 10 ditëve duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme nga Presidenti i Republikës. Nëse ndodh kjo zgjedhjet zhvillohen me qeverinë në detyrë, pra me Berishën. Por pika 2 e nenit 104 thekson: “Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105”. Pra gjithçka varet nga mekanizmat që aktivizohen në Kuvend si pasojë e procedurave për t’u futur në rendin e ditës. Por përvoja ka treguar që mazhoranca ka pasur përparësi në vendosjen e çështjeve të preferuara në rendin e ditës, duke përfituar nga ekzistenca e kreut të Kuvendit nga PD-ja, si dhe anashkalimi i procedurave të interpretueshme që parashikohen në rregulloren e Parlamentit. Disa ditë më parë, në një intervistë televizive, deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, deklaroi se nëse Ilir Meta do të rrëzojë qeverinë, atëherë do të mund që të krijohen shanset e bashkëpunimit me LSI-në. Ndërkaq, vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dy ditë më parë që zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin një variant i mirë për vendin. Por zgjedhjet e parakohshme mund të aktivizohen vetëm nëse Berisha do të kërkonte mocion besimi në Kuvend. Në këtë panoramë të brishtë shifrash, palët po luajnë me nervat e njëri-tjetrit, për të arritur që të hyjnë në domenin e tjetrit, për t’u prishur numrat që zotërojnë. Përvoja ka treguar se në politikën shqiptare nuk ka qenë shumë e vështirë që deputetët të kalojnë nga njëri krah në tjetrin.
Numrat: PS-ja ka aktualisht 63 deputetë, LSI-ja ka 4 deputetë, shto Vangjel Dulen, Dritan Priftin, Kastriot Islamin dhe Gazmend Oketën bëhen 71 deputetë
Blushi: “Nëse Meta ikën nga qeveria ‘Berisha’, ne jemi të gatshëm ta ofrojmë në koalicion dhe në qeveri, por nuk mund të them se do të ishte një kryeministër. Nëse ky koalicion nuk e zgjedh presidentin me 71 vota, ai ka rënë. Padyshim që ne e pranojmë Ilir Metën, nëse Ilir Meta del nga qeveria, për arsyen e tij dhe ka vullnetin e mirëkuptimin, qetësinë e perspektivën për të ndërtuar një aleancë me ne, jo për emra, por me program”
Kushtetuta – Neni 105
1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri
2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e kryeministrit në detyrë dhe emërimin e kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend