Vendimi merret nga këshilli administrativ i Yahoo. Në vend të tij emërohet Levinsohn
CV-ja false i kushton vendin e punës administratorit të deleguar të Yahoo, Scott Thompson. Këshilli administrativ i kompanisë së motorrit të kërkimit ka zyrtarizuar largimin nga puna të numrit një të saj, pas skandalit të diplomës së tij.
Ai kishte deklaruar se ishte diplomuar në informatikë, ndërkohë që nuk e ka marrë asnjëherë diplomën, ndonëse e ka deklaruar në curriculum vitae. Këshilli ka vendosur që në vendin e tij të shkojë Ross Levinsohn (numri një i divizionit të global media).
Lajmi është bërë i ditur nga Yahoo, ndërkohë që është nënvizuar se është arritur një marrëveshje me aksionerin Third Point, në bazë të së cilës Daniel S. Loeb, Harry J. Wilson e Michael J. Wolf do të hyjnë në këshillin administrativ.
Skandali i diplomimit të Thompson është zbuluar dhe denoncuar nga David Loeb, themeluesi i Third Point, i cili zotëron 5.8% të aksioneve të Yahoo. Thompson kishte shënuar në biografinë e tij se ishte diplomuar për Kontabilitet dhe Informatikë pranë Stonehill College. Ndërkohë mësohet se Thompson është diplomuar vetëm për Kontabilitet. Diploma në informatikë është marrë në Stonehill College në vitin 1983, katër vjet më parë se Thompson të “diplomohej”.
Për Loeb largimi i Thompson përfaqëson një sukses: prej kohësh aksioneri i Yahoo ishte shprehur kundër vendimeve të kompanisë, edhe atyre menaxheriale, madje ka kërkuar një post në këshillin administrativ. Ndërsa për Yahoo, largimi i Thompson është konsideruar një humbje e madhe. Thompson, ish-numri një i PayPal, ishte nominuar me entuziazëm të madh në postin e Carol Bartz, e cila ishte larguar në fund të 2011 pas presioneve të investitorëve, sipas së cilëve aleanca e limituar me Microsoft nuk solli rezultatet e pritshme dhe performaca ishte e dobët. 14 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)