Vetëm tre qentë e repartit RENEA kanë marrë rezultate të mira


Bledi Gilaj – Qentë antidrogë dhe antieksplozivë që përdor policia shqiptare janë nivel i ulët, ose stërvitja e tyre nuk është bërë siç duhet. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga një testim i kryer ndaj 42 qenve që përdoren kryesisht nga policia kufitare. Testimi është realizuar nga specialistët e PAMECA-s, ndërkohë që të vetmit qen-policë, që kanë kaluar testimet pa problem dhe me rezultate të kënaqshme, janë ata të repartit special RENEA.


PAMECA organizoi testime për të gjithë qentë e kufirit dhe të sektorëve të veçantë në polici


Testimi i qenve të policisë është planifikuar disa muaj më parë, ndërkohë që kontrollet përkatëse janë kryer gjatë muajit shkurt. Për testimin e tyre janë angazhuar specialistë të misionit europian PAMECA, e cila asistonte pranë policisë shqiptare. Në këto kushte, ata përgatitën për qentë e policisë tri lloj testimesh, konkretisht në terren të hapur, në terren të mbyllur dhe në automjete. Gjithashtu, testimet u kryen si për qentë antieksplozivë, ashtu edhe për ata antidrogë. Testimet u kryen sidomos për të gjitha drejtoritë e kufirit dhe migracionit, por edhe për sektorë të veçantë që kanë qen-policë.


Në këto kushte, PAMECA testoi 42 qen, ndër të cilët tre i përkisnin repartit special RENEA. Nga informacionet e mbledhura, rezulton se gjatë testimit, pjesa më e madhe e qenve, rreth 75 për qind e tyre, kanë arritur rezultate të pakënaqshme, me fjalë të tjera nuk kanë marrë nota kaluese. Burimet policore shpjegojnë se tri testimet e përgatitura i kaluan me rezultate të mira vetëm tre qentë e lartpërmendur, ndërsa nëntë të tjerë kaluan disa prej ushtrimeve, por jo të gjitha. Ndërsa 30 qen të tjerë kanë lënë për të dëshiruar. Kryesisht qentë janë testuar për drogë, pasi i përkasin kufirit, ku janë parë aftësitë e tyre në fushë të hapur, në zyra dhe në makina, por nuk kanë mundur t’i realizojnë ushtrimet, që sipas të dhënave nuk kanë qenë të ndonjë niveli tepër të vështirë për kalimin e tyre.


Kjo mangësi është bërë prezente nga PAMECA pranë policisë shqiptare, ndërkohë që veç qenve janë testuar edhe instruktorët e tyre. Burimet policore shpjegojnë se disa mangësi në trajnimin e qenve kishin dhe instruktorët, për shkak të kohës së paktë që kishin kaluar me ta, duke marrë shkas edhe nga ndryshimet dhe lëvizjet nga një funksion në tjetrin.


Por ky fakt sjell shqetësimin më të madh për problemin e trafikut të drogës apo të lëndëve plasëse. Nëse qentë apo instruktorët e tyre kanë probleme me realizimin e detyrave policore, atëherë kjo sjell vështirësi në kontrollin e trafikut të drogës, sidomos nëpër pikat e kalimit kufitar, pasi nuhatja e qenve-policë nuk është në nivelin e duhur.


Ushtrimet


Instruktorët: Veç qenve, testime u janë bërë edhe instruktorëve të tyre, të cilët nuk kanë pasur rezultate të mira, për shkak të transferimeve


Raporti: Nga 42 qen të testuar në muajin shkurt, vetëm 12 prej tyre cilësohen se kanë kaluar klasën për tri llojet e testimeve të kryera


Shqetësimi: Rezultatet e dobëta të qenve antidrogë sjellin shqetësim, sidomos për policinë kufitare mbi kontrollin e trafikut të drogës