Rrjeti i shoqatave që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT i dorëzoi sot Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, pasi i konsideroi deklaratat e tre udhëheqësve të kësaj partie si antikushtetuese. Kërkesa u dorëzua pasi në media u publikua deklarata e fundit e kryetarit të PLL Ekrem Spahia, i cili kërkoi që ambasadori i Vendeve të Ulëta në Shqipëri të shpallet person i padëshirueshëm për shkak të aktivitetit të këtij të fundit në mbrojtje të LGBT.
“U njohëm sot me deklaratat e papërgjegjshme, krejtësisht të palogjikshme dhe të rrezikshme të z. Ekrem Spahia, i cili pa e kuptuar as vetë kërkon të nxisë një incident diplomatik me një prej vendeve anëtarë te Bashkimit Europian. Por ajo që shokon është fakti se ky politikan duket se është i paaftë të kuptojë veprimet dhe domethënien e deklaratave që lëshon. Qartazi zoti Spahia nuk ka lexuar asnjë rresht të Kushtetutës së Shqipërisë, nuk njeh asnjë protokoll ndërkombëtar dhe asnjë konventë ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar prej kohësh,” – thuhet në deklaratën e Aleancës Kundër Diskriminimit.
“Nëse zoti Ekrem Spahia beson se ambasadori i Vendeve të Ulta duhet të shpallet person non grata në Shqipëri atëherë i bie të shpallim non grata edhe Ambasadorin e SHBA i cili mbështet publikisht të drejtat e komunitetit LGBT, ambasadorin e BE, i cili gjithashtu mbështet publikisht të drejtat e LGBT, apo Ambasadorin e Suedisë, atë të Danimarkës, Ambasadoren polake, atë të Francës, atë të Gjermanisë, apo të Britanisë së Madhe, e të gjithë ambasadorët e BE në Tiranë!
Ne i bëjmë thirrje të hapur kryeministrit Sali Berisha që të shkarkojë menjëherë këtë zëvendësministër të paaftë për të kuptuar as parimet bazë të demokracisë (të diplomacisë jo e jo), ndërkohë që jemi duke pritur përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë pas kallëzimit penal që Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Pro LGBT kanë bërë kundër z. Spahia,” vijon më tej deklarata.
Aktivistët LGBT organizuan një parakalim me biçikleta mbrëmjen e së hënës në Tiranë, aktivitet që u mbyll pas një incidenti ku disa të rinj hodhën bomba tymuese kundër tyre. 15 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)