Aktiviteti
Arkivi i Filmit shënon 65-vjet nga themelimi i tij. Për këtë rast, sot në mesditë bëhet një takim, në të cilin është i ftuar ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Tiranë, organizma që na kanë mbështetur financiarisht apo moralisht, artistë, kineastë, ish-punonjës të AQSHF, kolegë, bashkëpunëtorë e dashamirës. Me këtë rast do të shfaqet një material filmik rreth 30 minuta, përgatitur nga stafi i AQSHF, me ngjarjet më të rëndësishme historike në këto 100- vjet shtet shqiptar, kompozuar me materiale arkivale që ruhen në fondin e arkivit. Materialet datojnë që në vitin 1911 e deri në vitet 2000 dhe do të ketë materiale ekskluzive që shfaqen për herë të parë. Në prill 1947, krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluara nga shtetëzimi i kinemave private. Pikërisht kjo datë është edhe themelimi i Arkivit të Filmit, sepse i gjithë fondi që është trashëguar dhe ruhet sot, ka marrë fillesën nga grumbullimi i filmave pas shtetëzimit të kinemave private, duke u pasuruar me vonë me prodhimet e reja nga kinostudioja “Shqipëria e re”, pjesë e së cilës Arkivi i Filmit ka qenë që me themelimin e saj në 1952 e deri në 1997 kur u shkëput dhe doli si institucion më vete nën varësinë e MKRS. Me shkëputjen nga ish-kinostudio dhe funksionimin si institucion më vete, arkivi mori edhe emërtimin Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.