Berisha: Presidenti, i PD-së


Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ka bërë të ditur qëndrimin në lidhje me kushtet për zgjedhjen e presidentit të vendit. Ai ka bërë të ditur se pas rreth dhjetë ditësh do të mbledhë kryesinë e PD-së për qëndrimin e mazhorancës. “Partia Demokratike do të shkojë në negociata me kandidatin e saj, që duhet të jetë një nga drejtuesit e Partisë Demokratike”. Ky kandidat, siç është shprehur Kryeministri Berisha, “nuk do të jetë një drejtues me rëndësi të dorës së dytë apo të tretë”.


Parlamenti Europian


Komisioni i Jashtëm i PE-së, seancë dëgjimore me Haxhinaston, Bregun dhe Bushatin


BLEDAR HOTI – Për më shumë se gjysmë ore, europarlamentarët kanë zhvilluar seancën dëgjimore për arritjet e Shqipërisë në realizimin e 12 kritereve për integrimin europian. Në këtë seancë të Komisionit të Çështjeve me Jashtë të Parlamentit Europian, ishin të ftuar zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe si përfaqësues i opozitës, kryetari i komisionit parlamentar të Integrimit, socialisti Ditmir Bushati. Seanca ka nisur me paraqitjen e qëndrimeve të Haxhinastos, Bregut dhe Bushatit në lidhje me ecurinë e reformave, që prej marrëveshjes politike të nëntorit të vitit të shkuar ndërmjet PS-së dhe PD-së. I pari ka folur kryediplomati Haxhinasto, i cili ka vënë në dukje disa prej arritjeve, siç janë miratimi i ligjeve me 3/5 e votave, zgjedhja e Avokatit të Popullit, si dhe faktin që palët, PS-PD janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e heqjes së imunitetit të zyrtarëve. Ndërsa ka cilësuar se Censusi në Shqipëri është realizuar sipas standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë etninë dhe kombësinë. Ai ka garantuar mbylljen e reformës zgjedhore në kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, duke theksuar kontributin e opozitës në përmbushjen e angazhimeve, tërhoqi vëmendjen se qeveria duhet t’i kthejë fjalët në vepra. Bushati nënvizoi se zgjedhjet e gjyqtarëve kanë qenë të politizuara. “Zgjedhjet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese kanë qenë të politizuara, pjesa më e madhe e zgjedhur nga Presidenti Topi janë hedhur poshtë nga Parlamenti. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 8 anëtarë jo 9 që duhet të ketë. Këto fakte tregojnë rëndësinë për të siguruar një proces gjithëpërfshirës për zgjedhjen e presidentit. Gjyqësori, mbrojtja dhe shërbimi demokratik janë të rëndësishme, lufta kundër korrupsionit, në gjyqësor, e drejta e pronës dhe antidiskriminimi kundër komunitetit rom. Jemi të gatshëm të heqim imunitetin, do japin kontributin tonë për të çuar para reformën dhe për t’i mbikëqyrur nëse zbatohen siç duhet, kërkojmë që qeveria t’i kthejë fjalët në vepra”, deklaroi Bushati. Ndërsa ministrja Bregu theksoi se “që nga marsi gjatë takimit të MSA në emër të qeverisë i kam shprehur zotit Mirel gatishmërinë për heqjen e imunitetit për të marrë statusin e vendit kandidat. Ka ende një rrugë të gjatë përpara nesh, ju lutem të na gjykoni nga ajo që kemi arritur dhe nga ajo që do arrijmë”.


Qëndrimi për presidentin


Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Eduard Kukan, deklaroi se ka marrë së fundmi lajme të mira nga Tirana zyrtare, ku duket se palët politike po bashkëpunojnë, ndërsa e ftojnë klasën politike shqiptare të vazhdojë në këtë rrugë dhe të japin rezultatet e pritshme për zgjedhjet presidenciale. “Është mirë që marrim disa lajme të mira nga Tirana. Koha ecën shpejt, zgjedhjet presidenciale janë afër, duam rezultate të kënaqshme. Unë personalisht jam i kënaqur që situata politike ka ndryshuar. Duhet të vazhdoni me rrugën e kompromisit siç ju kemi nxitur neve”, tha Kukan. Ai vlerësoi së tepërmi rolin e drejtorit të Zgjerimit, Stefano Sannino, dhe fjalimin e mbajtur së fundmi në Parlament, nga komisionieri i lartë, Stefan Fule. “Nesër do të ketë konkluzione nga këshilli Çështjeve të Jashtme, e jam i sigurt se ditën kur të shprehet se janë materializuar 12 prioritetet atëherë mund të themi se ka ecur përpara. Jemi të kënaqur se situata është duke ecur për mirë do isha i kënaqur nëse do ishte një trend i vazhdueshëm”, tha Kukan. Ndërsa eurodeputeti Rouçek ishte i vetmi që bëri të qartë se kush mund të jetë presidenti i ri vendit. “Për muaj dhe vite kemi bërë thirrje për bashkëpunim politik. Që në nëntor ka pasur ndryshime në Shqipëri si rezultat i dialogut politik dhe shoqërisë civile, e shohim një progres i jashtëzakonshëm në këto 6 muaj. Dobësia kryesore ishin kryesisht zgjedhjet. Kur kishte zgjedhje në Shqipëri kishte tensione politike. Ajo që do të kërkoja t’i pranoni rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, është rëndësishme për të pasur një ligj elektoral me marrëveshje mes partive politike, por ajo është e rëndësishme që çdo gjë të jetë e kthjellët dhe të ketë progres në ligjin elektoral. Presidenti, nuk është në dorën tonë për treguar se kush duhet zgjedhur. Për atmosferën në Shqipëri do të ishte dikush që nuk do e ndante shoqërinë, por do e bashkonte popullin”, tha Rouçek. Për çështjen e presidentit ka mbajtur qëndrim zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. “Për sa u takon çështjeve presidenciale, pikëpamja që prevalon do të ishte kjo: ky do jetë një proces i pjekur, i negociueshëm, që respekton Kushtetutën. Dhe sa i përket zgjedhjes së presidentit, ky respektim vjen nga Kushtetuta, jemi të përgatitur për këtë. Jemi në një proces negocimi mes partive parlamentare, shumë shpejt do të fillojë negocimi mes mazhorancës dhe partive parlamentare të opozitës”, tha Haxhinasto.


 


Qëndrimi: Presidenti, nuk është në dorën tonë për të treguar se kush duhet zgjedhur. Për atmosferën në Shqipëri do të ishte dikush që nuk do e ndante shoqërinë, por do e bashkonte popullin”, tha Rouçek


Haxhinasto: Jemi në një proces negocimi mes partive parlamentare, shumë shpejt do të fillojë negocimi mes mazhorancës dhe partive parlamentare të opozitës