Kreu i diplomacisë kosovare ka deklaruar se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara për protokollin teknik
Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar raporti tremujor për situatën në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon. Ministri Hoxhaj ka prezantuar progresin që është arritur deri më tani në Kosovë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi në këtë fazë.
Lidhur me gjendjen në Veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se Serbia mban ende, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, policinë dhe strukturat ilegale të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe se situata është shumë e tensionuar, pasi ka ende barrikada të vendosura nga këto struktura.
“Ajo me të cilën ne jemi duke u përballur në këtë pjesë të Kosovës nuk është e re në këtë rajon. Në vitet 1990, barrikadat në Kroaci dhe Bosnjë ishin ngritur nga policia dhe strukturat e sigurisë të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në pothuajse të njëjtën mënyrë se si këto struktura ilegale janë të kontrolluara, të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në veriun e Kosovës. Agjenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status-quos dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale. Për shkak të kësaj situate, u bë e pamundur për institucionet tona që t’i integrojnë serbët e Kosovës dhe të zbatojnë Planin e Ahtisaarit në këtë pjesë të vendit tonë siç e bëmë me sukses në pjesën tjetër të Kosovës. Ky është këndi i vetëm i Evropës ku nuk ka sundim të ligjit, nuk ka pjesëmarrje demokratike në institucione”, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit. Duke iu referuar raportit të sekretarit të përgjithshëm, sipas të cilit, KFOR-it dhe EULEX-it nuk u lejohet të veprojnë atje në bazë të mandateve të tyre, Hoxhaj ka thënë se për më tepër, stabiliteti i Kosovës dhe tërë arkitektura e sigurisë në rajon varet nga situata në veri. “Më lejoni t’ju jap një shembull: në mëngjesin e hershëm të 8 prillit, një 38-vjeçar baba shqiptar kosovar u vra në banesën e tij në një shpërthim dhe dy nga katër fëmijët e tij u plagosën. Kjo ka ndodhur në një lagje të përzier në veri të Mitrovicës, dhe ky nuk është vetëm një akt i izoluar. Qyteti i Mitrovicës nuk është i ndarë nga lumi Ibër, por nga frika. Përmes frikës dhe kërcënimeve, këto struktura të sigurisë janë duke dëbuar të gjitha komunitetet jo-serbe nga veriu i Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ndërkohë sipas tij pozicioni i Qeverisë së Kosovës për këtë çështje është shumë i qartë.”Dhuna duhet të ndalet dhe Serbia duhet të tërheqë njësitet e saj policore, të sigurisë dhe ato paramilitare nga veriu i Kosovës. Kosova ka qenë gjithmonë një shoqëri multietnike dhe ajo do të mbetet përgjithmonë kështu. Si e tillë, ne jemi kundër çdo lloj ideje të ndarjes, ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territoreve.
Për qeverinë tonë, integrimi i 30.000 serbëve të Kosovës në veri është shumë i rëndësishëm dhe duhet të ndodhë në të njëjtën mënyrë se si 100.000 serbë të Kosovës janë integruar në pjesën tjetër të Kosovës. Në këtë kuptim, Qeveria e Republikës se Kosovës është e vendosur për një dialog të brendshëm me serbët në komunat në veri të Kosovës, me qëllim për të integruar këtë komunitet në institucionet demokratike dhe për të ndihmuar formësimin e një agjende për zhvillimin social dhe ekonomik në këtë pjesë të Kosovës”, deklaroi kreu i diplomacisë kosovare. Ndërkohë rreth çështjes së dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Hoxhaj ka thënë se marrëveshjet e arritura deri më tani do të jenë të pavlera, nëse nuk nis zbatimi në terren. “Kredibiliteti i tërë procesit të dialogut është në rrezik. Marrëveshjet janë të pavlera nëse ato mbeten vetëm në letër dhe nuk implementohen në terren. Dhe shumica prej tyre nuk janë implemetuar aspak: p.sh. Serbia nuk e ka nënshkruar dhe implementuar protokollin teknik në implementimin e menaxhimit të integruar të kufijve, duke e lënë me qëllim si opsion të hapur ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Në anën tjetër, Serbia ka pranuar marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forume(konferenca) rajonale, por ajo edhe më tutje bojkoton çdo takim ku është Kosova prezent dhe insiston në obligime që nuk janë paraparë në marrëveshje”, bëri të ditur Hoxhaj, në seancën e KS të OKB-së. Ministri i Jashtëm tha se disa nga marrëveshjet janë implementuar vetëm pjesërisht, siç janë liria e lëvizjes dhe tregtisë së lirë. “Këtu mos implementimi i marrëveshjeve ndërlidhet direkt me bllokadat e rrugëve në pjesën veriore të Kosovës si dhe arrestimet sistematike të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Në dy muajt e kaluar, më shumë se dhjetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar pa asnjë arsyetim duke kaluar nëpër Serbi në rrugën drejt apo nga Kosova, të cilët më vonë janë liruar”, ka bërë të ditur Hoxhaj. Ai ritheksoi se Kosova ka hyrë në këtë dialog me qëllim të mirë dhe ka luajtur një rol tejet konstruktiv në arritjen dhe implementimin e marrëveshjeve. Ndërsa, duke iu referuar vendimit të BE-së që t’i japë Serbisë statusin e kandidatit si rezultat i arritjes së marrëveshjeve në këtë dialog teknik, Hoxhaj tha se është për keqardhje që Serbia deri me tani nuk ka treguar vullnet për implementimin e marrëveshjeve.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)