Greqia po ecën drejt zgjedhjeve të reja pasi bisedimet për krijimin e një qeverie të bashkimit kombëtar dështuan në arritjen e një marrëveshjeje, tha udhëheqësi i partisë socialiste Pasok Evangelos Venizelos. Lajmi bëhet i ditur nga BBC.
Seanca e fundit e bisedimeve mëngjesin e sotëm përfundoi pa marrëveshje.
Zgjedhjet e 6 majit dhanë një votë tepër të shpërndarë mes shumë partive, ku as partitë kryesore nuk bënin sëbashku 50 për qind të parlamentit për të qeverisur vendin.
“Për fat të keq, vendi ynë po shkon sërish drejt zgjedhjeve,” tha Venizelos për gazetarët pas takimit të sotëm.
Udhëheqësit europianë thonë se ata do të ndërpresin ndihmën për Greqinë në rast se kjo e fundit nuk respekton marrëveshjen e arritur në mars. Kjo do të sjellë praktikisht falimentimin e Greqisë dhe detyrimin e Athinës për të dalë nga eurozona.
Euro ra ndjeshëm në bursa pas dhënies së lajmit nga 1.284 USD në 1.277 USD. Kjo është kuota më e ulët për euron që nga 18 janari.
15 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)