PS nuk do të pranojë kandidaturën e demokratëve për president. Kërkohet mbyllja në kohë e reformës zgjedhore
Kryesocialisti Edi Rama, ka akuzuar drejtëpërsëdrejti kreun e qeverisë, Sali Berisha, se po tenton të blejë me para votat e deputetëve të PS-së për zgjedhjen e presidentit. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, shefi i opozitës tha prerazi se PS-ja nuk do të votojë asnjë kandidat të propozuar nga demokratët dhe nuk do të imponojë asnjë emër nga selia rozë.
“Dy deputetëve të PS u janë ofruar para për votën e presidentit. Ka ndodhur po kështu kur kryeministri kërkonte të çante me para në dorë grupin tonë parlamentar gjatë bojkotit të parlamentit, ka ndodhur kështu në zgjedhjen e presidentit në vitin 2007 dhe po ndodh edhe sot. Kryeministri kërkon vota që nuk i ka”,- deklaroi Rama.
Ai nënvizoi vendosmërinë e opozitës për të vijuar komunikimin me krerët e partive parlamentare, siç tha ai, në të mirë të interesave të vendit. “Statusi kandidat kërkon dialogun. Ne kemi komunikuar dhe do të komunikojmë me partitë e tjera. Kemi hapur komunikim me LSI-në, PDIU-në dhe do të synojmë të komunikojmë edhe me PD dhe PR e natyrisht me PBDNJ. Duam një president që të luajë rol në marrjen e provimit të rëndësishëm të Shqipërisë në Bruksel. Duam një president të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme. Duam një president që të mos jetë noter i cilësdo parti, përfshirë edhe PS-së”- ka thënë kreu i selisë rozë Edi Rama, i cili ka kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore përpara se të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.”Kërkojmë që kjo reformë së bashku me atë parlamentare dhe me nismën për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të votohet përpara zgjedhjes së presidentit. Kemi punuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-së dhe duhet ti falenderoj edhe ekspertët e OSBE-së, që kanë asistuar në punën e komisionit. Problem kryesor të shprehur edhe në gjetjen e raportit janë të përmbledhura në 5 pika: listat, identifikimi, numërimi votave administrimi dhe ankimimi”, shtoi Rama. Më tej, ai u është përgjigjur edhe deklaratave të kryeministrit Berisha për sa i përket reformës zgjedhore duke theksuar se PS-ja është e hapur dhe beson që edhe këtu zgjidhja është në tavolinë.
“Jemi gati për diskutim, por theksoj, ky është diskutim për të cilin ka kohë, kohë nuk ka për përmbylljen e paketës së rregullave për zgjedhjet e ardhshme në një kod që është lehtësisht i përmbyllshëm si draft pa tejkaluar afatet. Më vjen keq për fjalën e kryeministrit dje, të pavërtetat, sajesa, shpotira, muhabet pazari lidhur me një çështje që është problem i mbarë vendit, problem që duhet zgjidhur me maksimumin e përgjegjësisë ndaj vendit. Fajësimi i opozitës nuk na bën përshtypje, por na shqetëson se bie ndesh me çka i duhet vendit. Sot për politikën shqiptare vlen si rrallë herë shprehja e popullit “koha është flori”, tha kryesocialisti Rama.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)