Sipas një sondazhi të CBS News/New York Times, 67% e amerikanëve besojnë se deklarata ishte manovër elektorale
“Admirojmë kurajën që treguat javën e kaluar duke dhënë mbështetjen për martesat mes homoseksualëve”. Kështu e ka përshëndetur Ricky Martin, presidentin Barack Obama, i cili ka marrë pjesë në festën e organizuar nga komuniteti gay ispanik i Nju Jorkut.
“Kjo është kurajoja që ne kërkojmë nga presidenti ynë dhe për këtë arsye e mbështesim”, ka vijuar fjalën e tij ylli i muzikës, i cili dy vjet më parë deklaroi homoseksualitetin e tij.
“Ai e di që jemi bashkë në këtë kauzë dhe se bashkë do të jemi më të fortë”, ka thënë këngëtari përpara 200 pjesëmarrësve në manifestimin e organizuar në “Rubin Museum of Art”. Secili prej pjesëmarrësve ka dhënë nga 5 mijë dollarë për fushatën e rizgjedhjes së Obamës, i cili dje ka zhvilluar turin elektoral në Nju Jork. Deklarata e Obamës për martesat gay është shoqëruar me debate, madje “Newsweek” e cilësoi si “presidenti i parë gay i Amerikës”.
Sipas një sondazhi të CBS News/New York Times, 67% e amerikanëve besojnë se deklarata e presidentit është vetëm një manovër elektorale dhe vetëm 24% besojnë se Obama është “treguar i sinqert” se është i bindur për këtë gjë.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)