Skandali
Personi që ka lidhur kontratën ka ndërruar jetë dhe në banesë nuk jeton askush
CEZ Shpërndarja faturon 20 milionë lekë të vjetra për një qytetar nga Komuna Gjinar e Elbasanit, i cili rezulton i vdekur prej më shumë se gjashtë vjetësh. Faturat kanë shkuar në emër të Konstandin Shqaut, ndonëse djali i tij Kristaq Shqau pretendon se në banesë nuk jeton askush prej shumë kohësh. 46-vjeçari thotë se banesa është e amortizuar dhe drejt shembjes, madje energjia elektrike është shkëputur. Pavarësisht kësaj, ai ka paguar vazhdimisht shumën prej 340 lekësh, e cila është një shumë e detyrueshme që shërben për mirëmbajtjen e rrjetit të energjisë elektrike dhe për televizorin. Sipas faturës tatimore për shitje energjie elektrike me nr. 105277639 që është lëshuar më 10 qershor 2011, rezulton se abonenti Konstandin Shqau detyrohet të paguajë pak më shumë se 20 milionë lekë të vjetra. “Kjo është një lajthitje e CEZ Shpërndarjes. Madje para dy ditësh më telefonuan dhe më thanë që kam për të paguar 40 milionë lekë, por kur tërhoqa faturat, vura re se ato shkonin diku tek 22 milionët, duke marrë parasysh të gjitha periudhat që nuk janë paguar nga muaji prill 2011 e deri në këtë moment që po flasim së bashku. Nuk e kuptoj se si lexuesi i matësit apo ku ta di unë se kush është përgjegjës për këtë, të mund të gabojë kaq rëndë. Ky nuk është thjesht një abuzim, kjo është anomali”, ankohet Kristaq Shqahu. Pas faturës së lartpërmendur, të gjithë muajt pasardhës kanë ardhur normalisht dhe abonenti Konstandin Shqahut i është faturuar 340 lekë çdo muaj. Kristaqi thotë se ka bërë një ankesë pranë zyrave të CEZ Shpërndarjes më datë 11 gusht 2011, por pavarësisht kësaj nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Kërkoj që kjo çështje të merret seriozisht dhe qeveria duhet t’i kërkojë llogari kompanisë, pasi ajo është përgjegjësja që ka lidhur kontrata me një kompani aspak serioze”, thotë Shqahu. Gazeta “Shqip” u interesua pranë zyrave të CEZ Shpërndarjes në Elbasan dhe e vetmja përgjigje që morëm ishte se informacioni merret vetëm në zyrat qendrore në Tiranë, edhe pse problemi është në Elbasan. Kjo nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për mbifaturime. Pranë zyrës së ankesave të kompanisë në fjalë, dorëzohen me qindra kërkesa për rishqyrtim, por asnjëherë qytetarët nuk marrin përgjigje.
S.Muça