Fiton urdhër-mbrojtjen gruaja që u dhunua në zyrën e gjyqtares

Fëmijët: “Duam të jetojmë me mamin. Me atë jemi një familje e vërtetë”

“Unë dua të jetoj me mamin! Mami ka një familje të plotë, janë gjyshërit, janë tezet, kjo është familja ime. Unë këtë quaj familje. Ndërsa babi jeton vetëm. Unë dua të jetoj me mamin!”. Kështu u shpreh para trupit gjykues vajza e mitur 11-vjeçare, e bija e Zhaneta Petos nga Semani i Fierit, e cila u dhunua fizikisht nga ish-bashkëshorti, Anesti Mëngjesi, pak javë më parë në zyrën e një gjyqtareje në Gjykatën e Shkallës së Parë të këtij qyteti. Teksa thoshte këto fjalë para gjyqtarit të çështjes, Alfred Konomi, e mitura ngashërehej në lot dhe për një moment i ranë të fikët. Pas disa minutash, 11-vjeçarja e rimori veten, kështu seanca u zhvillua normalisht. Ndërkaq, edhe djali 13-vjeçar i Zhanetës dhe Anestit ka preferuar të jetojë me të ëmën dhe jo me të atin. Seanca gjyqësore ku do të dëgjoheshin deklaratat e fëmijëve, vijoi në prani të një psikologeje dhe të avokates mbrojtëse të Zhanetës, e cila prej një muaji kërkon caktimin e urdhrit të mbrojtjes për atë dhe fëmijët, duke pretenduar se ish-bashkëshorti shfaq rrezik për jetën e të treve, për shkak se është i dhunshëm. Nga ana tjetër, psikologia shpjegoi se fëmijët janë në gjendje të rënduar psikologjike, për rrjedhojë duhet të jetojnë sa më të qetë. Ajo shtoi se duhet marrë parasysh kërkesa e fëmijëve, të cilët shfaqën dëshirën për të jetuar me nënën e tyre. Pasi gjyqtari Alfred Konomi vlerësoi deklaratat e Anesti Mëngjesit, Zhaneta Petos, dy fëmijëve të mitur si dhe të psikologes, vendosi përfundimisht që fëmijët të jetojnë nën kujdesin e nënës së tyre. Konomi vendosi njëkohësisht që të zgjasë urdhrin e mbrojtjes edhe për një vit tjetër si për Zhaneta Peton dhe për dy fëmijët e saj. Kështu, 47-vjeçarit Anesti Mëngjesi iu ndalua rreptësisht që t’i afrohet ish-bashkëshortes apo dy fëmijëve për një periudhë njëvjeçare.

Ngjarja

Për të siguruar këtë urdhër-mbrojtje për veten dhe fëmijët, Zhaneta Peto u përball me një sërë peripecish. Ajo e akuzonte ish-bashkëshortin me të cilin është divorcuar pak vite më parë për ushtrim të dhunës fizike dhe si person të rrezikshëm për të dhe fëmijët. Për këtë arsye, gjykata kishte vendosur më parë dy urdhër-mbrojtje, ku i fundit skadoi rreth një muaj më parë. Gjatë seancës së parë për zgjatjen e urdhër-mbrojtjes të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Fier, 41-vjeçarja, Zhaneta Peto u dhunua fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, Anesti Mëngjesi, në zyrën e gjyqtares së çështjes, Irena Maneku. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Shqip”, 41-vjeçarja sqaroi se ndodheshin në zyrën e gjyqtares dhe se kur kjo e fundit doli për pak çaste jashtë, Anesti e qëlloi me grushte në fytyrë dhe i përplasi kokën me forcë në mur. Për shkak të goditjeve, viktimës iu shkaktua një çarje në hundë prej nga u gjakos i gjithë ambienti përreth. Për shkak se mjeku ligjor e vlerësoi si plagosje të lehtë, prokuroria nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Mëngjesit për plagosje të lehtë me dashje. Ai rrezikon dënimin me pesë vjet burg, pas ndryshimeve të kryera në kuadrin ligjor për dhunën brenda familjes. Edhe në seancën paraardhëse gjyqësore, zotëria tentoi sërish ta dhunonte fizikisht ish-gruan, por u ndalua në kohë nga punonjësi i policisë, në Gjykatën e Shkallës së Parë të këtij qyteti.

 

Deklarata: “Unë dua të jetoj me mamin! Mami ka një familje të plotë, janë gjyshërit, janë tezet, kjo është familja ime”

Psikologia: Ajo tha se duhen marrë parasysh kërkesat e fëmijëve, të cilët shfaqën dëshirën për të jetuar me nënën e tyre

Vendimi: Gjyqtari i çështjes, pasi dëgjoi deklaratat, vendosi përfundimisht që fëmijët të jetojnë nën kujdesin e nënës së tyre

Autor te 16 Maj 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry