“Kasapi i Bosnjës” në bankën e të akuzuarve 17 vjet pas masakrës së Srebrenicës


 Ka nisur sot procesi ndaj ish-gjeneralit serbo-boshnjak, Ratko Mlladiç, i cili po gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës për krime lufte. I ashtuquajturi “kasapi  i Bosnjës përballet me drejtësinë 17 vjet pas masakrimit të 8.000 civilëve mysliman në Srebrenicë, në Bosnjë, në korrik të vitit 1995 dhe fundit të rrethimit të Bosnjës, gjatë së cilës pati 10.000 të vdekur.


Mlladiç u arrestua në maj të vitit 2011 në veri të Serbisë dhe u ekstradua në Hagë. Tashmë ish-shefi i militarëve serbo-boshnjak, duhet të përgjigjet për dy gjenocide, pesë krime kundër njerëzimit dhe katër krime lufte, ku përfshihen edhe rrëmbimi i 200 kaskave blu dhe vëzhguesve të OKB-së, në vitin 1995.


Kreu i gjykatës së Hagës, gjykatësi Theodor Meron deklaroi dje se hidhte poshtë kërkesën e mbrojtjes dhe ka saktësuar se procesi ndaj Ratko Mlladiç do të nis ditën e mërkurë, 16 maj 2012, në orën 09:00, ashtu si ishte saktësuar në fillim të procesit. Mlladiç, tanimë 70 vjeç, është “dukshëm i sëmurë” siç përshkruhet nga avokati i tij. Ai ka qenë i pranishëm në sallë, por nuk është parashikuar ndërhyrja e tij e drejtpërdrejtë. “Nuk jam i sigurt nëse mund të ndjekë pesë seanca në javë”, ka thënë përfaqësuesi i tij ligjorë. Mbrojtja ka kërkuar që seancat të zhvillohen vetëm në mëngjes deri në datën 29 maj, kur është parashikuar të thirret dëshmitari i parë i prokurorit të çështjes, belgut Serge Brammertz.


Mlladiç ishte shpallur në kërkim që nga viti 1995 dhe u arrestua korrikun e vitit të kaluar, në banesën e një të afërmi të tij, në një fshat 80 km në veri-lindje të Beogradit. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar, për shkak të dy iktuseve që i kanë paralizuar pjesën e djathtë të trupit.


Ai “vijon të mendojë të njëjtën gjë, se nuk ka asnjë lidhje me krimet, dhe se do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë avokati i tij. Ish-gjenerali rrezikon burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura nga prokurori i Hagës.16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)