Akuza
Gjykata e Tiranës hodhi dje poshtë kërkesën e deputetit socialist, Sajmir Tahiri, për përjashtimin e gjyqtares Fatime Deçolli nga gjykimi i çështjes mes tij dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj. Kërkesa e hedhur poshtë dje është bërë një seancë më parë nga deputeti socialist, me pretendimin se gjyqtarja e çështjes është gruaja e kandidatit të PD-së për kryetar bashkie në Berat në zgjedhjet e fundit lokale. Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh, pasi gjyqtarja Deçolli ka theksuar se ajo ka kohë që është bashkëshortja e Ilir Deçollit, ish-kandidatit të PD-së për Beratin dhe këtë i padituri Tahiri duhet ta kishte ditur sapo nisi procesi. Pas seancës, deputeti socialist deklaroi se tashmë vendimi për të është i pritshëm, pasi gjyqtarja kishte konflikt të pastër interesi. Pas këtij vendimi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka reaguar, duke i konsideruar proceset gjyqësore ndaj deputetëve të PS-së si procese të motivuara e montuara politikisht nëpërmjet gjyqtarëve militantë që shkelin mbi drejtësinë e mbi ligjin për llogari të shefave politikë të pushtetit dhe qeverisë, duke degraduar njëkohësisht gjyqësorin dhe drejtësinë. “Deputeti Saimir Tahiri kërkoi përjashtimin e saj, me argumentin se “në një proces gjyqësor kundër një funksionari publik, ish-rojë i Kryeministrit aktual e njëkohësisht një eksponent i njohur i PD-së, nuk mund të më gjykojë bashkëshortja e një tjetër funksionari publik dhe eksponenti të lartë të PD-së”. Megjithëse Kodi i Procedurës Civile (neni 74, pika 2) parashikon shprehimisht mundësinë për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares sapo njëra nga palët vihet në dijeni të faktit që mundëson përjashtim, dhe në këto raste përjashtimi i gjyqtares është taksativ, gjyqtarja Deçolli, në mënyrë absurde dhe në shkelje të plotë të ligjit, vendosi të mos përjashtohet, por të vazhdojë ta zhvillojë ajo vetë gjyqin e nisur nga një militant i pushtetit të PD-së kundër një deputeti të opozitës”, thuhet në reagimin e grupit parlamentar të PS-së. Ndërkohë, Partia Socialiste denoncon faktin se janë “mbi 10 deputetë të opozitës që sot u janë nënshtruar proceseve gjyqësore me paditës eksponentë politikë të lartë të PD-së dhe qeverisë së Kryeministrit Berisha”.