Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu sot shqetësimin se mesazhet e ndërkombëtarëve për realizimin në kohë të reformave po bien në veshin e shurdhët të kryeministrit Sali Berisha. Në një dalje për shtyp, Rama i bëri apel kreut të mazhorancës që të garantojë të gjitha kushtet, që Shqipëria të mos humbasë statusin e vendit kandidat, të cilin aspiron ta marrë në vjeshtën e vitit 2012. “Shprehem sot i shqetësuar, sepse koha nuk pret. Berisha nuk po reflekton për asgjë. Deklarata më e fundit e komisionarit Fule dhe vizita e sotme e ministrit danez të çështjeve evropiane tregojnë qartë se jemi në një moment kur miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për të na ndihmuar në emër të interesave të vendit tonë dhe familjes evropiane, të cilët kërkojnë t’i ndihmojmë me rezultate konkrete.
Berisha nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi ato personale. Nuk po reflekton në asgjë dhe për asgjë. Ky moment historik për Shqipërinë përballë udhëkryqit të zgjedhjes së Presidentit, dhe të provimit të madh të Vjeshtës e imponon reflektimin e krejt klasës politike shqiptare, dhe të kryeministrit në radhë të parë”, u shpreh kreu i selisë rozë.
Ndërkaq lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri, Rama ritheksoi se opozita kërkon një president për popullin, ndryshe nga qeveria. “Ne kërkojmë president për të gjithë shqiptarët, kryeministri kërkon president për veten. Në këtë moment, historik kryeministri po bën shurdhin ndaj kërkesës tonë për dialog për zgjedhjen e presidentit. Por a mund të sakrifikohet interesi kombëtar vetëm e vetëm se kryeministri kërkon me çdo kusht dhe Prokurorin e Përgjithshëm, dhe SHISH, dhe kreun e Forcave të Armatosura?”,- theksoi Rama. Më tej kryesocialisti Rama e ka ftuar kryeministrit të garantojë ecurinë e reformave në vend.
“Berisha t’i lerë akuzat, shpifjet dhe sukseset e tij imagjinare, sepse koha nuk pret. Kjo është koha për reformat që Shqipëria të marrë Provimin e Vjeshtës. Të garantojë unitetin e kombit me rastin e 100 vjetorit të vendit. Ne nuk mund ta marrim statusin nëse nuk mbyllim reformën zgjedhor përpara 24 majit”, tha Rama.
16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)