Axhenda
Shqipërisë i duhet një president i ri me konsensus. Ky është qëndrimi i mbajtur nga ministri danez i Çështjeve Europiane, Nikolai Vamen, i shprehur në takimin e pasdites së djeshme me kreun e shtetit, Bamir Topi. Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se në këtë takim u theksua se një ndër përparësitë e programit të Presidencës daneze të radhës së Bashkimit Europian, mbetet vazhdimësia e procesit të zgjerimit dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat. Zoti Vamen garantoi përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Danimarkës në përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Njoftimi i Presidencës bën të ditur më tej, se ministri danez theksoi rëndësinë e përmbushjes së kritereve politike nga ana e Shqipërisë dhe përfundimin me sukses të reformave të nevojshme për anëtarësim si ajo zgjedhore, reforma parlamentare, si dhe zgjedhja me konsensus e kreut të ri të shtetit shqiptar, i cili duhet të përfaqësojë unitetin e të gjithë popullit”. Ministri danez i Çështjeve Europiane, Nikolai Vamen, nga ana e tij, pasi falënderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, vlerësoi me këtë rast kontributin e rëndësishëm dhe moderues të Presidentit Topi në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë, si dhe rolin pozitiv të shtetit shqiptar në ruajtjen e qëndrueshmërisë, paqes e prosperitetit në Ballkan e më gjerë. “Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, theksoi Presidenti Topi në takim, kërkon një angazhim maksimal të institucioneve dhe të klasës politike shqiptare, dialog serioz dhe sjellje dinjitoze të të gjithë aktorëve politikë, përkushtim dhe zbatim korrekt të legjislacionit në fuqi, si dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë”. Mbretëria e Danimarkës kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Ministri Vanem pritet të ketë një axhendë të ngjeshur, duke u takuar me Kryeministrin Berisha, liderin e opozitës, Edi Rama, ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Integrimit.