Vendimi


Qeveria lëvron fondin për gjyqin me kompanitë e naftës


Qeveria i hapi rrugën sot pagesës prej rreth 140 mijë eurosh, të cilat do të përdoren për të paguar shpenzimet juridike për në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar ndaj dy firmave që kanë hedhur në gjyq shtetin shqiptar. Kështu, nga buxheti rezervë i shtetit, Ministrisë së Drejtësisë iu akordua dje një fond prej 70 mijë eurosh fillimisht për firmën “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products” dhe kjo shumë vetëm për këstin e parë të shpenzimeve administrative. “Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi 70 000 (shtatëdhjetëmijë) euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i parë) për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr. ARB/11/24 ‘Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe Anonyme S.A., kundër Republikës së Shqipërisë’, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet (ICSID)”, theksohet në vendimin e djeshëm të qeverisë, duke shtuar faktin se ky fond do të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa. Nga ana tjetër, e njëjta shumë i është dhënë dje Ministrisë së Drejtësisë për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Burimi srl & Eagle Games, sha, kundër Republikës së Shqipërisë”. Shqipëria, e përfshirë si palë në këto çështje gjyqësore, shpreson që në këtë gjykatë të fitojë të drejtën, përndryshe shumat që do të përdorë për dëmshpërblimin e firmave do të jenë shumë më të mëdha.


 


Gjykata


Firmat e ndryshme, të cilat kërkojnë të padisin shtetin shqiptar, zgjedhin ta çojnë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit, nisur nga problemet e shumta që paraqet sistemi ynë i drejtësisë


 


Pronat


Shumë fatura edhe me Strasburgun


Shqipëria ka ende shumë fatura të papaguara për sa u përket çështjeve që qytetarët shqiptarë kanë fituar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Shumë familje shqiptare kanë gjetur drejtësinë e mohuar për çështjen e pronave në Gjykatën Europiane dhe si palë përballë kanë pasur shtetin shqiptar. Madje, mospagimi në kohë i këtyre faturave nga ana e qeverisë, ka bërë që herë pas here në rrugë zyrtare kjo gjykatë të kërkojë dëmshpërblimin e menjëhershëm në lidhje me çështjet e fituara. Në Strasburg shkohet pasi pala e interesuar ka kaluar të gjitha fazat e gjyqësorit shqiptar.