Ndërsa Bode kërkon borxh te BB, Kryeministri rrit pagat dhe pensionet për 800 mijë vetë
ARD KOLA
Nuk është hera e parë dhe natyrisht nuk do të jetë e fundit, për aq kohë sa janë bashkë. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri kryesor i kabinetit të tij, Ridvan Bode, me jetëgjatët e qeverisë demokrate (nga 2005-a), në jo pak raste janë përplasur me njërin-tjetrin sa i takon buxhetit. E fundit u regjistrua dje, kur në mbledhjen e radhës së qeverisë, Kryeministri premtoi se në korrik do të rrisë pagat dhe pensionet për afro 800 mijë persona. Deklarata vjen në një kohë kur ministri i Financave ndodhet në situatë tepër të ngushtë ekonomike me arkën e buxhetit të shtetit. Prej të paktën katër muajsh, ministri Bode po negocion me Bankën Botërore për të përfituar të paktën një këst kredie, afro 100 milionë dollarë. Shuma është e nevojshme, aq sa detyroi ministrin të udhëtonte drejt Uashingtonit në SHBA, ku për tri ditë u mundua të bindte zyrtarët e BB të lëshonin çekun e dëshiruar. Negociatat shkuan dëm dhe Bode u kthye duarbosh, por bisedimet janë zhvendosur tashmë në Tiranë dhe ministri është shumë afër marrëveshjes. Shefi i Financave po bind BB-në se paratë duhen për zhvillimin e vendit, përballimin e krizës dhe uljen e kostos së borxhit dhe në këmbim pranon të ulë shpenzimet, borxhin dhe deficitin nën 3 për qind (aktualisht është 3.5 për qind). Deklarata e Kryeministrit nuk ka ardhur në momentin e duhur dhe injoron tërësisht punën e ministrit për arritjen e paktit me Bankën Botërore, e cila nuk lëshon terren për kushtet e vendosura.
Në këtë mbledhje dëshiroj të informoj qytetarët se qeveria, Ministria e Financave, po përgatit vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, në përputhje me platformën tonë, premtimin e bërë për rritje të rrogave dhe pensioneve, rritje që prek direkt 800 mijë familje shqiptare, që ndikon dhe rrit të ardhurat mujore familjare të 800 mijë familjeve shqiptare”, deklaroi Berisha.
Kryeministri bëri të ditur se sipas vendimit që po përgatitet, pensionet në qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten me mbi 5 për qind. Gjithashtu, edhe rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind dhe do të ketë një shpërndarje të tyre, sipas të cilës, rrogat e larta do kenë lëvizje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes. Kryeministri nënvizoi se ky nuk është një vit elektoral dhe ky vendim nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç një detyrimi të madh njerëzor.
“Paga mesatare për arsimtarin në arsimin e mesëm do të rritet në masën 58.802 lekë. Ajo ka qenë në vitin 2005, gjithsej 26.831 lekë. Pagesa për arsimtarin në arsimin 9-vjeçar do të jetë 50.019 lekë. Krahasuar me vitin 2005, ajo ka qenë 22.771 lekë. Mjekut do t’i rritet paga në 57.553 lekë. Në vitin 2005 ka qenë 22.683 lekë. Paga mesatare e infermierit ka qenë 15.000 lekë, në vitin 2012 do të bëhet 36.725 lekë”, tha Berisha.
Edhe pse është në dijeni të faktit se institucionet financiare, si BB, synojnë të na ndihmojnë për të përballuar krizën, Berisha lëshon deklarata kontradiktore. “Rritja mesatare në Shqipëri ka qenë 4 herë më e madhe sesa rritja e rajonit dhe krizën e kemi përballuar me sukses”, shton Kryeministri.
