ARSIM SINANI


Demokracia e qelqtë e kam titulluar analizën time, sepse mbi këmbë të qelqta qëndrojnë marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë që nga themelimi i këtij vendi dhe e gjithë kjo gjeneron krizë, sepse mosrregullimi, anashkalimi dhe injorimi u bëhet shqiptarëve në kontinuitet që nga viti 1945 e deri më sot 2012. Ka një mendim i cili kërkon që shqiptarët të quhen qytetarë të këtij vendi, por pa të drejta, memec, të padenjë për të kontribuar për këtë vend dhe në këtë luftë virtuale kërkohet që shqiptarët të merren vetëm me probleme, t’u krijohen probleme që kurrë mos të kenë qetësi, mirëqenie, lumturi dhe ardhmëri. Ky mentalitet që mban në dorë marrëdhëniet e qelqta shqiptaro-maqedonase forcën e vet e gjen thellë në pakënaqësinë e brendshme nacionale të maqedonasve të sotshëm, të cilët me dashje apo pa dashje mundohen që dështimet e veta dhe mllefin e grumbulluar ndër shekuj ta zbrazin mbi shqiptarët e këtij vendi. Duke mos arritur të gjenden rrugëdalje nga pengesat e fqinjëve të vetë kërkojnë që fajtorin ta gjejnë te shqiptari, i cili pa të drejtë ndëshkohet në këtë shtet, sepse ekziston këtu, frymon dhe kërkon atë që zoti ia ka falur, të drejtën mbi ekzistencë e mirëqenie. Kështu janë ngritur raportet ndëretnike në Maqedoni dhe po e ilustroj për të krijuar fotografinë për lexuesin si p.sh: babai im, Ramadan Sinani, një intelektual shqiptar u dënua në vitin 1968 pse së bashku me nxënësit e tij të gjimnazit të Tetovës, shokët e tij të idealit dhe bashkëmendimtarët kërkuan që shqiptarët në Maqedoni t’i gëzojnë të drejtat e tyre. U burgos pa të drejtë, e mbajti dënimin dhe mbi 30 vite nuk pati të drejtë të kthehet në auditorët shkollorë. Pse? Sepse donte që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre. Nëna ime, Shpresa Sinani, mësuese duhej që të distancohej nga babai im, sepse Partia Komuniste kërkonte që këtë ta bëjë për të kënaqur maniret e veta që kishte kundër shqiptarëve. Sot në vitin 2012, shqiptarët kërkojnë me të drejtë që jeta e tyre të jetë e denjë, e vlefshme, kërkojnë përdorimin e lirshëm të gjuhës shqipe, të flamurit, të përfaqësimit adekuatit në aparatin shtetëror të Shkupit, të jenë pjesë e vendimeve dhe të jenë subjekt, e jo objekt. Të vazhdoj më tutje me tregimin tim, në vitin 1994, autori i këtyre rreshtave Arsim Sinani me shokë, bashkëmoshatarë mbështetën themelimin e Universitetit të Tetovës si një e drejtë elementare njerëzore, për një dekadë protestuan katundarë e qytetarë e mbrojtën këtë kauzë dhe sot ky institucion është i lirë, vepron frymon. Sot këtu mësojnë edhe maqedonasit edhe turqit edhe të gjitha komunitetet. Por ajo që nuk harrohet është se secili ka  kontributin e vetë dhe kjo doktrinë e qartë triumfoi pavarësisht se  llogarinë bashkë me shokët e mi e paguam dhe i ruajmë edhe sot vendimet e dënimet që na u shqiptuan nga gjykatat maqedonase, sepse e mbrojtëm Universitetin e Tetovës sot Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT), që sot aty të mësojnë të gjithë qytetarët pa dallim race, gjinie, ngjyre. Dua të dal tek ajo se shqiptarët nuk kanë fobi, nuk frikësohen në raportet me bashkëqytetarët e vetë maqedonas, dhe pavarësisht nga faturat e larta që i kanë paguar në të kaluarën e largët po edhe në të kaluarën e afërt, gjejnë forcë dhe i ftojnë vazhdimisht maqedonasit që t’i rregullojmë këto raporte, t’i japim kuptim këtij shteti. Shkarkimi i mllefit maqedonas nuk duhet të bëhet mbi shpinën e shqiptarit, por dialogu do duhej të ishte ilaçi i kësaj sëmundjeje kronike që vazhdon të jetë prezente me simptoma në kancelaritë e Shkupit zyrtar.


 


Pse nuk funksionojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni?


Marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë nuk funksionojnë sipas mendimit tim, sepse nuk ka vullnet politik, nuk ka një strategji afatgjatë se kah duhet të lëvizet dhe nga mospasja vizion ne jemi në gjendje të atillë që duhet të durojmë turbulenca, sepse ekonomia e dobët, papunësia, injorimi, dekadenca, ndikon që qytetari të ndiejë pasiguri dhe të jetë i frustruar çdo ditë e më shumë. Dhe mjegulla është çështja që më së lehti mundet në këto rrethana t’i servohet qytetarit shqiptar dhe atij maqedonas, pse jo edhe të gjithë të tjerëve. Kjo mjegull sjell pasiguri, tensione, urrejtje, sepse qeveria edhe pas brohoritjeve antiamerikane dhe antieuropiane ku kërkohet që shqiptari të jetë i vdekur, vazhdohet pa kurrfarë shpjegimi dhe morali që të financohet kjo urrejtje me mjete që e japin edhe qytetarët shqiptarë. Kjo arratisja nga realiteti sjell momente të rënda, të cilat më vonë bëhen trampolinë e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore e më pastaj edhe ndërnacionale. Vazhdojmë më tutje, në këto rrethana Presidenti, Kryeministri, ministrat dhe zyrtarët në vend të distancimit dhe ndëshkimit publik e institucional vazhdojnë të veshin fanella sportive dhe lejojnë që qytetarët e përkatësisë së tyre etnike në këtë rast maqedonase të prodhojnë fashizëm, i cili, i përzier me mjegull dhe me tone e këngë patriotike sjell tensione, të cilat pastaj dalin nga kontrolli, sepse nuk kanë pasur përgjigjen e duhur. Ndërsa në këtë rast si edhe në shumë raste të tjera, shqiptarët ndihen me të drejtë të fyer, të irrituar, por për dallim nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas mllefin e tyre nuk e shkarkojnë. Kjo situatë do zgjidhje, do dialogu e negociata. Ky shembull është tipik për Maqedoninë, sepse paragjykimet vijnë nga etniteti që dëshiron dominim, e do shqiptarin, por si qytetar të mjerë, si dikur në Bit Pazar të shesë vetëm domate e të jetë hamall. Nuk e do shqiptarin intelektual, sepse ai i kërkon hisen që i takon në këtë shtet. Kjo është esenca e asaj ajo që e pengon funksionimin e marrëdhënieve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Lirimi i ankthit maqedonas nuk i bën mirë këtij vendi, e shqetëson qytetarin e rëndomtë shqiptar dhe e bën të ketë ëndrra të këqija.


 


Mosfunksionimi i komisionit për marrëdhënie ndëretnike


Parimi i Badinterit i dalë si kompromis për mos t’i nënshtruar shqiptarët dhe për të rregulluar demokracinë e brishtë në Maqedoni,  bashkë me ndërkombëtarët, miqtë e këtij vendi, dizajnuan një komision për marrëdhëniet ndëretnike, por ai nuk funksionon është vetëm dekor i jetës demokratike në këtë vend dhe përdoret si mjet kozmetik për pushtetin, por edhe për opozitën që derdh vrer e asgjë më shumë. Mosfunksionimi i këtij organizmi parlamentar lejon që situata të dalë nga kontrolli, sepse mosfunksionimi lë hapësirë, boshllëk dhe kjo u lejon komuniteteve të qërojnë hesapet në stilin e njohur ballkanik. Do duhej që komisioni të zgjohet nga gjumi të rifillojë punën, të debatojë dhe të japë propozime që shkuja të mos jetë simbol i këtij komisioni parlamentar.


 


Qeverisje e dyfishtë, me dy pamje njëra VMRO, tjetra BDI


Qeverisja aktuale e dy partive VMRO dhe BDI që në kronologji nuk e durojnë njëra-tjetrën për nga koncepti, fizionomia, tiparet dhe veset, por edhe historia nga e kaluara, ka sjellë telashe gjatë kësaj qeverisjeje në dy mandatet e fundit. Ndërkombëtarët i afruan, i pajtuan dhe i futën të qeverisin, si rezultat i votave të fituara, por kjo nuk është e mjaftueshme. Sjellja e VMRO-së duke i nënçmuar shqiptarët në mënyrë të hapur shtetërore që nga punësimi e deri tek emërimi në detyra të rëndësishme e sfidon vazhdimisht BDI-në që kërkon me të drejtë t’i kundërpërgjigjet dhe të balancojë situatën. Por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse kërkesat e shqiptarëve janë më të mëdha sesa ajo që ofron në të vërtetë. Partia shqiptare në qeveri, BDI duhet t’ia sqarojë partnerit të vet VMRO dhe t’ua bëjnë ta kuptojnë mirë dhe të gjejë rrugën e duhur për të parandaluar diskriminimin  e shqiptarëve, ky është realiteti i hidhur apo i ëmbël. Realisht BDI si fituese në kampin politik shqiptar duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme dhe t’i imponojë në mënyrë demokratike VMRO-së konceptin e saj politik, sepse kjo i rregullon marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të dëshpëruar dhe i ndihmon vendit për të qenë më demokratik. Ikja e partisë VMRO nga realiteti shqiptar dhe pronolongimi në pafundësi i çështjeve vetëm se i përkeqëson raportet shqiptaro-maqedonase dhe nuk çon askund, këtë mirë është ta thonë hapur dhe qartë shqiptarët nëpërmjet BDI-së që është në qeveri.


 


Çka shqiptarët presin pas 2001


Shpesh më rastis të debatoj dhe dëgjoj se nuk është mbyllur kjo apo ajo çështje dhe realisht mirë është të thuhen disa gjëra që janë problematike, që krijojnë mosdurim deri në dëshpërim të plotë. Shqiptarët presin pas vitit 2001 që të jenë pjesë e vendimeve në këtë shtet, të jenë edhe ata të përfaqësuar proporcionalisht. Ky është shqetësimi kryesor deri në investimet shumë simbolike në vendbanimet shqiptare, deri tek ura e gurit ku dallimet shihen. Shqiptarët presin që jeta e tyre të jetë më e mirë, por për këtë duhet vullnet politik, aksion politik dhe klimë nga pala maqedonase, gjë që nuk po ndodh. Këtë është mirë ta kuptojnë zyrtarët maqedonas dhe opozita e bashkuar maqedonase, sepse kështu vazhdimisht do kemi tensione, të cilat nuk i bëjnë mirë askujt.


 


Çka është Marrëveshja e Ohrit dhe kah noton kjo anije


Shqiptarët mirëpritën Marrëveshjen e Ohrit dhe e nënshkruan bashkë me maqedonasit, menduan se do të jetësohet plotësisht dhe do merret si koncept i ndërtimit të vendit. Por deri më sot, gjërat kanë shkuar me shumë vështirësi dhe këto kanë ndikuar që shqiptarët të mendojnë se Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm për ta ndalur luftën dhe mënyra se si trajtohen tregon se vullneti politik nuk është në nivelin e duhur. Nëse maqedonasit mendojnë dhe ndihen se me Marrëveshjen e Ohrit janë të mundur e kanë gabim, sepse nënshkrimi me garanci ndërkombëtare u bë për të krijuar një realitet të ri dhe koncepti i shtetit të fitojë edhe karakter shqiptar. Vetë buxheti që i ndahet sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit tregon se nuk ka interesim që shqiptarët të fitojnë vendin e duhur në shoqëri, por është lojë kozmetike më shumë me fjalë se me aksion konkret politik. Rasti i 1000 administratorëve shqiptarë që sot e kësaj dite rrinë në shtëpi dhe marrin rroga nga shteti tregon për mosgatishmërinë e maqedonasve që shqiptarët të jenë pjesë e shtetndërtimit në Republikën e Maqedonisë.


Mospërgjegjësia e klasës politike shqiptare dhe inatet që çojnë ujë në mullirin e huaj ku kërkesat bluhen si rezultat i zënkave në kampin politik shqiptar.


Inatet brendashqiptare ndërmjet forcave politike duke e përjashtuar në këtë rast edhe mendimin dhe sugjerimet e intelektualëve shqiptarë janë pjesë që i ndihmon skenarit maqedonas që shqiptarët të mbeten në këto pozita që fola, ato të qytetarit i cili shikon, mendon, por nuk vendos, sepse këtë e sheh nga televizori, jo nga sallat dhe vendet ku merren vendimet. Zënkat ndërshqiptare publike dhe të hedhura me mesazhe politike deri në ekstrem të kësaj që ka rezultuar që sot ne mos të mundemi të jemi vendimmarrës, sepse këtë me shumë kujdes e shfrytëzon establishmenti politik maqedonas.


 


Problemi i emrit


Shqetësimet e qytetarëve maqedonas për emrin dhe identitetin, kishën dhe gjuhën, NATO-n dhe Bashkimin Europian e vënë në siklet tërë vendin përfshirë edhe shqiptarët. Mospozicionimi shqiptar dhe pjesëmarrja pasive në këto probleme ka ndikuar në këto rrethana edhe të marrëdhënieve shqiptaro-maqedone. Përpjekjet shqiptare të pjesës që merr pjesë në koalicionin qeveritar janë për t’u përshëndetur, por kjo kërkon që partitë shqiptare të ndërtojnë një qëndrim rreth këtyre çështjeve dhe të ndikojnë edhe ata që ta shtyjnë para faktorin politik maqedonas.


Nacionalizmi si patos politik kur s’ka zgjidhje dhe nxehja e tifozëve maqedonas si rezultat i llastimit nga ana e qeverisë-pjesës maqedonase


Kur s’ka zgjidhje kërkohet të dalë para ndonjë objektiv tjetër për t’i harruar problemet që duhet të zgjidhen, në rastin tonë sallat janë vendi ku shfryhen epshet, ku nacionalizmi si patos fiton terren dhe kënaqen të gjithë, por në mëngjes kur zgjohen problemet mbeten te dera. Patosi nuk zgjidh probleme këtë duhet ta kuptojnë bashkëqytetarët tanë maqedonas me shumë dashamirësi. Ndërsa pjesa maqedonase e qeverisë mos të lejojë, financojë, por të mendojë me kujdes të zgjidhë problemet, sepse vetëm kështu dilet nga kriza dhe qytetarët do ndihen më të lirë. {Problemet duan zgjidhje, këtë të gjithë njerëzit e ditur e dinë.


Ata që nuk duan zgjidhje, vlerësoj sipas konceptit tim dhe them se Maqedonia është mirë të mos merret me probleme të brendshme artificialisht të krijuara, por të punojë në kapërcimin dhe zgjidhjen e problemeve reale. Mospasja lajme të mira nga perëndimi për hyrje në NATO dhe BE tregon se duhet më shumë punë dhe përkushtim e jo të shkohet në fundosjen e anijes së raporteve shqiptaro-maqedonase, sepse  kjo na kthen prapa në shekujt e kaluar.


Dhe krejt në fund po ngre një çështje që është mirë ta hedhim në debat: Kanë nevojë shqiptarët dhe maqedonasit ta respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit duke e kaluar patosin politik dhe duke e shtyrë vendin drejt NATO-s dhe BE-së duke arritur në një pikë, e cila do të sillte një marrëveshje historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve?  Kjo mbetet dilemë e hapur që është mirë të analizohet nga të dyja doktrinat.


(Analiza është botuar në revistën “Shenja”)