Gejët shqiptarë mes mitit dhe realitetit

Nga ERVIN QAFMOLLA

Termi “gay, i shqipëruar “gej”, dhe në shumës (trajta e shquar) “gejët”, nuk ka pasur kurdoherë kuptimin që i jepet sot. Referenca e parë zyrtare që ua atribuon këtë term, homoseksualëve meshkuj, mund të gjendet në fjalorin e N. Erskine të vitit 1933, kur autori, termin “gay-cat” (fjalë për fjalë: “maçok i hareshëm”) ia atribuon djalit homoseksual. Referenca të tjera sugjerojnë se termi përdorej për djemtë që shërbenin si mantenuta të meshkujve më të rritur dhe më të pasur. Fjalori në fjalë quhet “Underworld & Prison Slang”, domethënë “Zhargon i botës së krimit dhe burgut”. Megjithatë, mund të gjenden referenca shumë të hershme në letërsi, që nga 1800-a e deri tek Xhek London, ku “gay” shoqërohet me sjellje të pahijshme seksuale apo dyshime për të tilla.

Termi origjinal “gay”,në anglisht nënkupton: i hareshëm, gazmor, i lumtur, e të tjera sinonime të kësaj linje, duke u përdorur gjerësisht në këtë kuptim. Nuk dihet ekzaktësisht, si dhe pse ai mori një formë praktikisht zyrtare për të emëruar homoseksualët. Një hamendësim ka të bëjë me sjelljen e hareshme, hokatare dhe të prapë, të personave homoseksualë të angazhuar në prostitucion, të cilët pa turp e ndrydhje e ekspozonin këtë sjellje në publik.

Në Shqipëri ama, është përdorur për një kohë të gjatë, dhe ekziston ende sot, një term i huazuar por deri diku autokton: Dylber. Dylberi ishte një djalë i ri, i cili gëzonte përkujdesjet ekonomike dhe vëmendjen seksuale të një personi më të moshuar dhe përgjithësisht, të pasur. Kështu, “gay-cat”-i i gjuhës angleze është bash dylberi i shqipes (huazuar nga osmanët).

Ndryshe nga ç’mund të thotë zv.ministri i Mbrojtjes dhe ish-zv.ministri i Kulturës, Z. Ekrem Spahia, pseudonimi: “Do t’i kapim me hu!”, homoseksualizmi i shfaqur në publik në forma të ndryshme, nuk është i ri për Shqipërinë. Ekzistojnë me dhjetëra bejte, vjersha e këngë që flasin për “dylberllëkun”, të cilat shtrihen nga jugu në veri. Sa për të dhënë ndonjë shembull, mund të përmendim këngën e bukur kavajase dhe që rëndom luhet nëpër dasma “M’u rrit mjekra m’u bo greth” (e interpretuar me mjeshtëri edhe nga Ustai i Madh Myslym Lela), nga e cila po ekspozojmë një strofë:

Po na vjen nji vark’ me vela,

Thon’ se ka manifaturë,

qenka mushun me dylbera,

jalla Zot shkarkoji ktu.

Po ashtu, bejtexhiu i njohur shqiptar, Nezim Frakulla (i njohur dhe si Nezim Berati), nga derë e sojshme bejlerësh, ishte qejfli dylberllëqesh. Në një nga punët e tij, ai kushton plot dashuri e afsh,vargje dehëse për dylberin. Po veçojmë dy strofa:

Lumë kush i ban bahçes hysmet,

Vjen nji vaht që çelin’ trandafilat’

Ç’i merr malli për dyllberat,

Kur zan’ e këndojn’ bilbilat.

 

S’gjen ndonji zok qi këndon,

Të gjith’ janë e po qájnë.

I mjeri ashik sa fort po duron,

Prej dyllberit po e dajnë.

Kaq sa për krenarinë kombëtare. Çuditërisht, ai që historia shkollore na e ka mësuar si turku i tmerrshëm, despotik dhe ekstremist fetar, nuk i ndalonte vjershërimet që haptas propagandonin: “Lumë kush i ban bahçes hysmet”. Ndërkohë që “hysmeti” nuk ishte diçka fort e fshehtë, apo nga e cila rrezikohej integriteti fizik i “përdoruesve”, duke qenë se “bahçeja” e tyre mbrohej nga ligji me të njëjtat të drejta si ajo e qytetarëve të tjerë. Këtu rrëzohet pikësëpari teoria sipas së cilës, kinse shqiptarët nuk kanë marrë vesh nga punë të tilla. Një pikë tjetër që bie poshtë është se shqiptarët na qenkan tradicionalisht homofobë, të ndikuar edhe nga e shkuara e tyre osmane. Ekziston një rregull universal, sipas të cilit,çdo perandori e madhe dhe jetëgjatë priret të lejojë dekadencat dhe lezetllëqet e çdo lloji. Sa për kuriozitetin e lexuesit, Perandoria Osmane dekriminalizoi homoseksualitetin në vitin 1856, ndërsa Mbretëria e Bashkuar në 1967-ën, më shumë se një shekull më vonë.

Jo për të shfajësuar Shqipërinë, por mjafton të hedhim një sy nga disa prej vendeve fqinje për të kuptuar sesa serioze është çështja e diskriminimit dhe brutalitetit me të cilin përballen homoseksualët e atjeshëm. Pa dyshim, Mali i Zi dhe Sebia (kjo e fundit përfitoi edhe statusin e vendit kandidat për në Familjen Europiane) janë kampionë të brutalizimit dhe nëpërkëmbjes së të drejtave njerëzore të komunitetit në fjalë.

Që ndër shqiptarët ka homofobi dhe diskriminim seksual, kjo është diçka e qartë sa as nuk vlen të diskutohet. Por, masa dhe intensiteti hanë diskutim. Realiteti mund të mos jetë aq tragjik sa ç’bëhet nga propaganduesit e kauzës në fjalë, apo nga të nderuarit përfaqësues të vlerave europiane në Shqipëri. Ndërkohë që diskriminimi ekziston, rastet e provuara të shkeljes së të drejtave të gejëve e të tjerëve, kufizohen në shumë pak raste të izoluara dhune, ofendime dhe batuta. Nëse këtu përfshihen edhe anekdotat për homoseksualët, pa dyshim, që “diskriminimi” rritet ndjeshëm, në vëllim por edhe në cilësi. Por, kjo panoramë – joshkencore dhe jofaktike duke qenë se ky autor nuk disponon shifra të besueshme për incidencën e ngjarjeve të tilla nga asnjëra palë – vështirë se legjitimon apokalipsin që fabrikohet në epruvetat e asaj pjese të shoqërisë civile, e cila pavarësisht fushave ku operon, ideologjisë, apo ngjyrës së mbathjeve, shohin vetëm euro e dollarë në gjithçka që lëviz e merr frymë.

Provokimi i egërsirave që rrahin gratë sa herë u teket, që vrasin fëmijët se vodhën te ara e komshiut, që therin vëllezër e motra për “çështje nderi”, e të tjera makabritete të kësaj natyre, nuk mund të sjellë asgjë tjetër veçse telashe. Është sikur të ngacmosh një koshere grerëzash e pastaj të ankohesh publikisht se të pickuan. Nganjëherë grerëzat pickojnë kot, por nuk ndodh sa herë ndez televizorin.

Diçka tjetër që është servirur gabim në diskutimin publik mbi këtë çështje është se pavarësisht faktit që “bahçeja” është një çështje intime, në Shqipëri ka ca kohë që është vendosur në mënyrë të sforcuar, nën projektorët e vëmendjes së publikut. Diskutimi mbi të drejtat e barabarta të këtij komuniteti (sepse termi LGBT më duket stereotipizues dhe diskriminues) duhej shtruar në rrafshin e të drejtave universale dhe të rrahjes së argumenteve racionale, dhe jo përmes spërkatjes së çdo zjarri budalla me benzinë mediatike.

Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë dyshim se çdo njeri meriton trajtim të barabartë, pavarësisht prirjeve të tij seksuale, dhe çdo lloj nëpërkëmbjeje duhet denoncuar si e dënueshme. Dhe më kujtohet kur një mik homoseksual vërejti: “Përdorimi i organeve përkatëse për të bërë seks, quhet thjesht seks, pavarësisht orientimit individual. Përdorimi i tyre për të bërë para quhet prostitucion. Sërish, pavarësisht orientimit”.

Autor te 17 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Anton

    Nuk ekziston ne gjuhen shqipe fjala “gejet”! Kjo eshte nje shpikje e deshtuar e juaja zoti Qafmolla, qe nuk ka vend ne leksikologjine e mirefillte shqipe. Ne shqip perdoret fjala “homoseksualet” dhe ne kuptimin ofendues dhe perbuzes “pederastet”. Gabime te tilla nuk duhen toleruar nga gazetaret!

    • Teo

      Po pra se po vrisja dhe une mendjen per kete termin pak te cuditshem. Sipas wiki-answers shumesi i gay eshte gays. Ne shqip mund te behet gay-et. Se dhe LGBT e perdorin vete si term kur thone gay. Ndoshta mund te mos shqiperohet komplet por shumes duhet te kete.

  • pionieri i Enverit

    Fjala gej (gay) esht nje fjale qe perdoret zakonisht ne vended perendimore dhe eshte bere nje fjale nderkombetare ndaj ska ndonje gje te keqe qe te perdoret edhe ketu ne Shqiperi.

    • Anton

      :D Shko e thuaju zviceraneve pra “gay”. Asnjeri nuk e kupton. Thuhet ose “homosexuell” ose “schwul”. Nuk kam degjuar ke ne Zvicer te perdoret fjala “gay”. Meqe ra fjala per vendet perendimore, mos u bej shume i zgjuar se jetoj vete ne perendim!

      • Bled

        Kot me te pyt po fjala homoseksual eshte gje Shqip? Pastaj ate schwul ne ca kantoni te Zvicres e perdorni se besoj eshte fjale ne gjermanisht nese nuk gaboj.

        Sa per faktin qe jeton jasht me fal te te them por kjo ste ben me te zgjuar se dike tjeter apo se Shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi, Kosove apo kudo tjeter.

        • Anton

          Kur jeton jashte shtetit e kupton se sa e varfer eshte gjuha shqipe Bledi. Jo cdo fjale qe vjen nga Anglishtja duhet te merret shabllon e te perdoret me pretekstin se eshte gjuhe nderkombetare. Fjala “homoseksual” eshte nderkombetare, dhe jo “gay”. Prinderit e mi nuk e kuptojne kete fjale, dhe me te drejte se nuk i perket fjalorit tone. 
          Nuk me pelqen fakti qe ne perfshijme kaq shpejt fjale te huaja nga gjuhe te ndryshme pasi con varferimin dhe cshqiptarizimin e gjuhes tone. Mua me duket qesharake fjala “gejet”. Neqoftese ju nuk ua vret veshin…!

      • pionieri i Enverit

        Anton edhe une jashte jam. Por kjo nuk eshte tema se si e therasin popujt e ndryshem kete zakon. Termi gay eshte futur nga anglishtja e cila eshte nje gjuhe nderkombetare.Sa per homot ata perbejne nje perqindje te pallogariteshme ne shoqerine njerzore ndaj dhe ata nuk perbejne ndonje rrezik per shoqerine . Nje njeri normal nuk mund te behet gay. E mira e te mirave eshte qe ne ata ti leme te qete se edhe ata kane te drejtat e tyre pamvarsisht se kjo eshte anormale per ne.Homot kane egzistuar qe ne lashtesi dhe do vazhdojne te egzistojne duam apo s’duam ne. E mira te mirave eshte qe ne te mos i ngacmojme ata por njekohesisht te mos bejme kaq zhurme rreth tyre se dashur pa dashur ju ngreme vlerat si kur shoqeria nuk mund te ecen dot perpara pa ta. 

  • Ana

    Shkrim i meçuar dhe i kulturuar….Urime autorit!

  • Arif Gjongjini

    Shkrimi është i saktë e i paanshëm. Analiza e fjalës përcaktuese për zgjedhjen apo imponimin e prirjes seksuale nga autori është përdorur për të shtjelluar historikun e asaj prirjeje, e cila, sipas tij, nuk është ndonjë gjë e re, përkundrazi është tepër e vjetër, ka qenë e pranuar e edhe i është kënduar mu këtu bash në këtë Shqipërinë tonë “konsrevatore”. Çështja shtrohet: zanaçinjtë e kësaj dukurie seksuale, kur mund të përceptohen si të diskriminuar, në njëmijë e tetëqindën, apo sot, dhe a ka ndonjë historik protestash të llojit të tyre më përpara, nëse jo, pse? Sot ç’kanë? Sa po duket janë minjtë e parave që përdorin veglat e të orientuarve ndryshe seksualisht, që i fryjnë zjarrit, për ta bërë të madhe, për ta paraqitur veten sikur s’u rreshtin lotët për vegla të diskriminuara. Ligji është miratuar, edhe pse Berisha, që u falnderua nga ca amabasadorë për mbështetje institucionale e qëndrim të drejtë ndaj çështjes kaq delikate për ta, po dhe për Shqipërinë (paçka se kjo vetë nuk është rritur dhe aq sa ta kuptojë vetë se ku i pikon vërtetë çatia), pra edhe pse Berisha, kur përmendi temën e ligjit që do miratonin në mbledhje të Qeverisë nuk e mbajti dot qeshjen qesëndisëse.
    Ai ligj  i ka bërë të ligjshëm gejt, tani ç’duan më, mos duan që e tërë pjesa tjetër e popullit shqiptar të vihet në shërbim të tyre për t’u mbajtur pishën? Presioni publik për ta detyruar pjesën heteroseksuale që ta pëlqejë me pahir prijen e tyre homoseksuale është shkelje e të derjtave të njeriut (Apo jo?). Ambasadorët e vendeve të akredituara në Shqipëri, nëse kanë këtë çështjen më me përparësi, do bënin mirë të mos treten për këtë punë. Çdo popull ka zakonet e veta, ashtu siç ka edhe masën e devijimit nga ato zakone, dhe mendjet, mendimi, kultura…., nuk imponohen dot, ato duan kohën e tyre të evoluimit dhe unë do lutesha që evoluimi të ndodhte në drejtimin e duhur, në më të mirin, në atë që përputhet me më të natyrshmen.
    Më në fund propozoj të botohet një përmbledhje këngësh me dylberë e për dylberët, po të ketë syresh të incizuara le të bëhet edhe një CD (ose të krijohet enkas një kor) e t’u dhurohet ambasadorëve në merak për çështjen gey.

  • Samir

    Te ishin gay do te ishte mire, por jane plehrat e fondeve dhe gay-ve, sepse disa gay jane njerezore. Prandaj i duhen ambasadorit

  • Erni

    Anton, Gruezi aus der Schwiz! Man sagt auch: anders ‘rum! :D

    • Anton

      lol :D

  • Lepurushjavogel

    Une them te mos quhen “gejët” por “gejtë”. Tingellon me pak diskriminuese. Si thoni meqe muhabeti ka ngelur te emri?

  • shqip

    Me shume me pelqeu komenti i Arif Gjonit se vete shkrimi per gej.homosex. etj etj. Nuk jam dakord dhe urrej perversitetin e cdo lloji, sepse ndoshta do te vije nje dite qe te lejojme si vlere edhe pedofiline!!!!!!!!! Pershendetje A.Gjoni.