Procesi
Prokurorët: Ka bërë fushatë për shfarosjen e popullsisë joserbe
Ai është i fundit prej protagonistëve kryesorë në luftërat ballkanike të viteve 1990, që po përballet me një gjyq ndërkombëtar në Hagë
Dje nisi në Hagë gjyqi kundër ish-gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, mbi të cilin rëndojnë 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe gjenocidin. Ai është i fundit prej protagonistëve kryesorë në luftërat ballkanike të viteve 1990 që po përballet me një gjyq ndërkombëtar në Hagë. Gjenerali Mlladiç akuzohet për orkestrimin e masakrës ku u vranë më shumë se 8,000 djem dhe burra myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995. Lista e akuzave kundër tij, derisa ishte komandant ushtarak i serbëve në luftën në Bosnjë, në vitet 1992-1995, fillon me gjenocid e me vrasje, e vazhdon me aktet e terrorit dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Vetë Mlladiç i ka cilësuar si monstruoze akuzat e ngritura nga gjykata për të. 70-vjeçari Ratko Mlladiç qëndroi më shumë se 15 vite në arrati dhe u kap nga forcat serbe vetëm majin e kaluar, për t’u dërguar më pas në Hagë. Ish-gjenerali ka qenë në pritje të gjyqit në të njëjtin burg, si ish-lideri i tij politik Radovan Karaxhiç, i cili u arrestua në vitin 2008, mbi të cilin rëndojnë thuajse të njëjtat akuza si ato të gjeneralit Mlladiç. Prokuroria e hapi seancën me një prezantim audio-viziv, ku paraqitej rasti i gjeneralit Mlladiç. Një nga prokurorët, Dermot Groome, tha se do të provojë përfshirjen e gjeneralit Mlladiç në krime. “Në atë kohë Mlladiç dhe trupat e tij masakruan me mijëra veta në Srebenicë. Atëherë, ata ishin të mirinformuar për atë që po bënin”, tha ai para gjykatës. Po ashtu Groome u tregoi gjyqtarëve videon famëkeqe të bombardimit të një tregu në kryeqytetin boshnjak Sarajevë, ku vdiqën dhjetëra njerëz. Groome tha se sulmet ishin pjesë e një plani “gjithëpërfshirës” për të spastruar etnikisht ata që nuk ishin serbë, nga e gjithë Bosnja. Disa orë para fillimit të gjyqit, një pjesë e anëtareve të grupit “Nënat e Srebrenicës” u mblodhën jashtë gjykatës. Autoritetet gjyqësore hodhën poshtë pretendimet e mbrojtjes për të vonuar seancën gjyqësore. Gjenerali Mlladiç akuzohet për kryerjen e gjenocidit dhe krime të tjera kundër boshnjakëve myslimanë (boshnjakë) dhe kroatëve boshnjakë. Ai akuzohet edhe për rrethimin 44-mujor të Sarajevës gjatë të cilit më shumë se 10,000 njerëz vdiqën. Pas luftës, Ratko Mlladiç u kthye në Beograd, ku disa ekspertë besojnë se ai mbrohej dhe mbështetej nga Presidenti i asaj kohe, Slobodan Millosheviç. Por pas arrestimit të Millosheviçit në vitin 2001 dhe transferimit të tij në Hagë, Mlladiçi nisi të jetonte në fshehtësi. Ai u arrestua në majin e vitit të kaluar, thuajse tre vjet më vonë pas arrestimit të udhëheqësit politik të Bosnjës gjatë luftës, Radovan Karaxhiçit. Ekspertët thonë se Ratko Mlladiç duhet të ketë pasur mbështetje mes ushtrisë serbe dhe shërbimeve sekrete që arriti të shmangte arrestimin e tij për disa vite. Gjykata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur akuzat ndaj tij dhe aleatit të tij, Radovan Karaxhiç që në vitin 1995.