“Mendoj se LSI po luan për një president afër saj dhe kaq”


Ylli Pata


Një nga politikanët e njohur të së majtës, Petro Koçi, deklaroi në një intervistë për “Shqip” se takimi privat mes Ramës dhe Metës nuk duhet të ishte bërë dhe se opozita nuk duhet të hyjë në grackën e numrave për presidentin…


Z. Koçi, nga lideri i opozitës, Edi Rama, është hedhur akuza e tentativave për shitblerjen e deputetëve. Një akuzë e rëndë që ka marrë përgënjeshtrimin nga mazhoranca. A duhej hedhur një akuzë e tillë në tregun politik?


Ka kohë që është folur për përpjekje të tilla në skenën politike. E keqja është se aktet e shitblerjes së deputetëve sa vjen e po kthehen në normalitet moral. Besoj se Edi Rama ka patur informacion serioz kur është detyruar ta pohojë dhe denoncojë përpjekjen e mazhorancës për të blerë vota presidenciale nga opozita. Ndërkohë, më duhet të rideklaroj se sistemi aktual zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese e bazojnë qëndrueshmërinë e mazhorancave dhe rrëzimin e tyre te pazari politik e jo dhe aq te vullneti elektoral i qytetarëve shqiptarë. Ja përse Berisha është i vendosur kundër ndryshimeve të sistemit zgjedhor. I shndërruar në biznesmen, ai tashmë beson se vota e qytetarit dhe e deputetit mund të blihen kollaj. Këto fenomene duhen denoncuar me forcë dhe nuk duhen votuar mbartësit e kësaj sëmundjeje të rrezikshme për demokracinë dhe qeverisjet.


Takimi Rama-Meta ka sjellë një klimë të re në opozitën shqiptare, por që natyrisht ka pasur edhe komente jopozitive nga kampi opozitar. Cili është opinioni juaj?


Takimi zyrtar Rama – Meta ishte i pashmangshëm dhe normal. Takimet zyrtare për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të jenë përjashtuese dhe ndërkohë, nuk është PS që zgjedh kryetarin e LSI-së e as anasjelltas. Ndërkohë, përflitet se ka pasur një takim privat mes tyre dhe kjo nuk lë shije të mirë në publik. Sepse krijon perceptime për politikë jo transparente dhe konspirative. Konspiracioni në marrëdhëniet politike të brendshme është gjasë për rrezikshmëri. Gjykoj se ky lloj takimi mund të ishte shmangur. Jo se Rama dhe Meta duhet të mbeten armiq të përjetshëm, por do kishte nevojë për disa reflektime në publik prej të dy palëve para se të ndërmerrej ky hap. Detyrohem të përsëris rrethin vicioz që sanksionon sistemi aktual politik ndaj mundësive për ndryshime të mazhorancave qeverisëse. Pesha e votës është më e vogël se pesha e marrëveshjeve politike apo pesha e prishjeve të këtyre marrëveshjeve.


Përballë situatës kur Berisha po refuzon të ndryshojë KQZ siç kërkon opozita, merkatos së deputetëve etj., si duhet të veprojë opozita për zgjedhjen e Presidentit?


Opozita s’mund të anulojë atë çka ka bërë deri më sot. Kam parasysh sidomos gafën me pranimin e ndryshimeve kushtetuese që projektoi dhe propozoi Berisha. Shpresa për një zgjidhje të pjekur të procesit të zgjedhjes së Presidentit nuk qëndron dhe aq te kuadri i brendshëm rregullator i këtij procesi sesa te kërkesat parimore për standard europian konsensusi të faktorit ndërkombëtar si edhe në ngërthimin e këtij votimi me situatën e përgjithshme jopozitive të integrimit europian të vendit. Opozita nuk duhet të hyjë në lojën e numrave parlamentarë me kandidaturë alternative, por të qëndrojë fort dhe me kushtëzime parimore për t’ia mbërritur vendimit politik dypalësh për President konsensual.


Zoti Prifti foli për një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë në Kuvend, të cilën PS e ka vënë provë për Metën për të bashkëpunuar me opozitën. E shikoni ju të mundur?


Kam thënë prej shumë kohësh se dalja e menjëhershme e LSI nga koalicioni me PD do ta ngushtonte hendekun e saj me PS. Sidoqoftë, akoma nuk ka të dhëna të besueshme se jemi në prag të një hapi të tillë. Ngjarje të tilla si “21 Janari” kanë nevojë për sqarim publik para se të vijmë te një bashkëpunim luajal PS-LSI. Votimi për anëtarin e KLD nuk ishte provë se marrëdhëniet PD-LSI po prishen dhe nëse votimi do rrëzonte kandidatin e PD-së, kjo nuk do dëshmonte automatikisht rënien e koalicionit qeveritar. Mocion mosbesimi i mbështetur nga LSI do ishte lajm i besueshëm nëse prishej shpejt koalicioni. Kam përshtypjen se LSI-ja po luan për të zgjedhur një President afër saj dhe kaq.


 




  1. Shitblerja – “Edi Rama ka pasur informacion serioz kur është detyruar ta pohojë dhe denoncojë përpjekjen e mazhorancës për të blerë vota presidenciale nga opozita”

  2. Rama-Meta – “Takimi privat krijon perceptime për politikë jo transparente dhe konspirative. Konspiracioni në marrëdhëniet politike të brendshme është gjasë për rrezikshmëri”

  3. Numrat – Opozita s’duhet të hyjë në lojën e numrave parlamentarë me kandidaturë alternative, por të qëndrojë fort dhe me kushtëzime parimore për t’ia mbërritur vendimit politik”

  4. LSI – Akoma nuk ka të dhëna të besueshme se jemi në prag të një hapi të tillë. Ngjarje të tilla si “21 Janari” kanë nevojë për sqarim publik para se të vijmë te një bashkëpunim luajal PS-LSI