Ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, duket se nuk i ka harruar sjelljet e dhunshme. Paraditen e sotme, teksa zhvillohej seanca e dytë e procesit ndaj tij për krime lufte, ai ka kërcënuar një delegacion grash nga Srebrenica. I ashtuquajturi “Kasapi i Bosnjës” u është drejtuar duke vendosur një gisht tek fyti, çka nënkupton: “do t’iu pres fytin”.
“Në një moment, Mlladiç është drejtuar nga publiku. Mendova se na njohu si gratë e Srebrenicës. Vendosi gishtin në afërsi të fytit, si të thoshte: “Unë iu pres gurmazin”,- ka thënë për agjencinë “Afp”, Munira Subasic, e cila drejton organizatën “Nënat e Srebrenicës”.
Subasic tregon më pas se ka reaguar pas atij veprimi. “Iu drejtova duke i imituar duart e prangosura. Ka reaguar, por nuk e dëgjuam dhe bërtitëm: ‘kasap’, ‘kriminel’”.
Ndërkaq, zëdhënësja e gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nerma Jelacic, ka konfirmuar se ka pasur: “komunikim mes të pandehurit dhe personave nga publiku”, por pa saktësuar se çfarë ka ndodhur konkretisht.
Pas incidentit, gjykatësi ka kërkuar pushim, në mënyrë që të rikthehej qetësia në sallë. Mlladiç akuzohet për krime lufte, mes të cilave masakrimin e 8 mijë myslimanëve të Srebrenicës, të gjithë burra dhe djem. 17 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)