Të organizuar përgjithësisht përmes përdorimit të rrjeteve sociale si Facebook, protestuesit parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke mbajtur një parrullë ku shkruhej “Pro Familjes, Pro Moralit”.
“Manifestimi ynë nuk synon kundër protestë, as një kundërpërgjigje vulgare për paradën e këtij komuniteti, por ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar dhe ruajtur me fanatizëm vlerat morale të familjes, bërthamës së çdo shoqërie. Duke iu referuar axhendës, mendojmë që marshimi të nisë fillimisht me një përshëndetje të shkurtër, ndërsa në duar do të kemi një banderolë ku shkruhet: Pro familjes, pro moralit, pro jetës. Nuk synojmë të pengojmë paradën, as të krijojmë situata konfliktuale, sepse i kemi instruktuar të gjithë pjesëmarrësit që të mos kenë në duar banderola fyese”, tha Roald Hysa sekretari i Forumit Mysliman për gazetën “Shqip”.
Manifestimi paqësor u organizua si një reagim ndaj aktiviteteve të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të komunitetit LGBT (Lesbike, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transseksualë). Shoqatat që luftojnë diskriminimin e minorancave seksuale organizuan gjatë ditëve të fundit disa aktivitete kundër homofobisë, ku njëri prej tyre përfundoi me një incident të vogël ndërsa të tjerat shkuan normalisht.
Gjatë një ekspozite të titulluar “Kukafshehti” në qendrën kulturore Tirana Express, të mërkurën në mbrëmje Xheni Karaj, një nga aktivistet për të drejat e komunitetit LGBT tha se aktivitetet kundër homofobisë këtë vit qenë të suksesshme.
“Them se kemi bërë hapin e parë për të thënë se ne nuk jemi duke jetuar më fshehurazi,” tha Karaj.
Në anën tjetër, Forumi Musliman tha se me manifestimin e vet dëshironte të ndërgjegjësonte shqiptarët mbi problemet e familjes.
“Ne, jemi sot këtu edhe për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me problemet që po kalon sot familja shqiptare. Numri i divorceve po pëson rritje galopante në një shoqëri gjithonë e më të shpërqendruar. Numri i fëmijëve të cilët vuajnë pasojat e divorceve të prindërve, është një plage e madhe sociale pasojat e së cilës do të shihen pasi ky brez të arrijë moshën e pjekurisë.
Një tjetër fakt shqetësues për të cilën FMSH ndjehet i obliguar të manifestojë dhe sensibilizojë, është numri jashtëzakonisht i madh i aborteve të aplikuara në rang kryeqyteti apo edhe në rang vendi, fenomen ky që dëmton drejtpërdrejt familjen shqiptare.
Krimi dhe dhuna në familje janë akte të papranueshme për një shoqëri, e cila shpreson dhe beson tek vlerat njerëzore. Rritja e numrit të rasteve të tilla, tregon për krizën e rëndë që ka kapluar familjen shqiptare dhe domosdoshmërinë që ajo t’i kthehet virtytit dhe dashurisë reciproke,” thuhet në njoftimin e Forumit.
“Forumi Musliman i Shqipërisë mbron me forcë vlerat dhe moralin familjar të trashëguar nga e drejta hyjnore dhe do të angazhohet për të bërë gjithçka nevojitet për të sensibilizuar opinion publik por edhe për të rritur ndjeshmërinë sociale në lidhje me ruajtjen dhe shenjtërimin e familjes,” thuhet më tej në deklaratë.
17 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)