Ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare këngëtarja e madhe amerikane Dona Summer. Sipas “Tmz.com”, diva e muzikës së zezë amerikane e humbi jetën pas një beteje të gjatë me kancerin. Këngëtarja, emri i vërtet i së cilës është LaDonna Adrian Gaines, ishte rritur në një familje shumë religjioze dhe pikërisht në korin e kishës e nisi rrugën drejt këngës, atje ku ra në sy edhe vokali i jashtëzakonshëm i saj.


Dona ka kënduar disa hite të muzikës në vitet ‘70, siç është ‘I Feel Love’, ‘Last Dance’ dhe ‘Bad Girls’, ‘Hot Stuff’ apo kolona zanore e filmit shumë të njohur ‘Hair’ (Flokët) dhe për shumë vite është cilësuar si mbretëresha e diskotekave. Pas një shkëputjeje nga muzika pas viteve ’90, ajo realizoi në vitin 2008 edhe diskun e saj pas 17 vjetësh me titull ‘Crayons’.

Dona Summer është fituese e disa çmimeve në muzikë dhe kohët e fundit kishte në plan të nxirrte një album të ri, por sëmundja e rëndë nuk e lejoi ta çonte deri në fund projektin e saj.

17 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)