Objektivi i zgjedhjeve të reja mbetet formimi i qeverisë së majtë

Partia

E majta radikale, favoritja kryesore e zgjedhjeve 

Zgjedhjet janë një sprovë e madhe për të majtën radikale, që ka përballë pothuajse të gjitha forcat e tjera politike, që e akuzojnë për mungesë realizimi. Asnjë nga forcat politike nuk e mori përsipër fajin për kohën e çmuar që humbi vendi i zhytur në krizë dhe i kërcënuar seriozisht me dalje nga Eurozona. Analistët mendojnë se është e padrejtë, që dështimi t’i faturohet ekskluzivisht së majtës radikale dhe se arsyeja e tij qëndron në dy “jo”, që u thanë gjatë ditëve të mandateve. “Pasok-u dhe Demokracia e Re nuk e donin Partinë Syriza në rolin e forcës së parë opozitare dhe Syriza nuk donte të hynte në qeveri”, thonë ata. Një qeveri, që do të materializonte memorandumin dhe do të komprometonte në mënyrë të pariparueshme të majtën radikale, që kishte bërë flamur të fushatës së saj elektorale shfuqizimin e tij. Në të njëjtën linjë shprehet edhe zëdhënësi i së majtës radikale, Panos Skurletis: “Në thelb kërkonin që e majta të bëhej bashkëpërgjegjëse për të gjithë kursin e mëparshëm, pa e pasur ajo vetë këtë synim por edhe një angazhim të tillë para votuesve të saj të dielën e 6 majit”, thotë Skurletis.

Pyetja që shtrohet është, nëse krijimi i një qeverie të majtë antimemorandum mbetet edhe objektivi kryesor i zgjedhjeve të qershorit. “Ai është synimi ynë dhe ne, me këtë platformë politike, do të shkojmë në zgjedhjet e reja”, thotë Skurletis. Ai shton se “do të zhgënjehen fort ata, që thonë se nuk do të ndryshojë asgjë”. Pak më parë, në deklaratën e tij, vetë kreu i Partisë Cipras kishte ftuar votuesit, që të kompletojnë hapin e rëndësishëm të hedhur më 6 maj dhe të “vendosin në dollapin e historisë forcat e së djeshmes, që sheshuan vendin dhe shoqërinë”. “Të krijojmë një qeveri të majtë, me fuqi më të madhe në Parlament dhe shoqëri, për t’u dhënë fund njëherë e përgjithmonë politikave, që shkatërrojnë vendin”, theksoi Cipras, duke dhënë në thelb edhe stigmën e fushatës së re elektorale. Anketimet e para pas zgjedhjeve të 6 majit evidentojnë një avantazh të së majtës radikale, që në qoftë se do të ruhet, do ta afirmojë si forcën e parë politike dhe do të shkaktojë tërmet te kundërshtarët politikë. Rezultati mund të mbetet enigmë, por për këto zgjedhje, një gjë është e sigurt, se “do të jenë të gjithë kundër Partisë Syriza”.


Faji: Analistët mendojnë se është e padrejtë që dështimi t’i faturohet ekskluzivisht së majtës radikale dhe se arsyeja e tij qëndron në dy “jo”-të që u thanë gjatë ditëve të mandateve 

Qeveria: Pyetja që shtrohet është, nëse krijimi i një qeverie të majtë antimemorandum mbetet edhe objektivi kryesor i zgjedhjeve të qershorit

 

Autor te 17 Maj 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry