Koncesionet
Nuk ka vonuar gjatë reagimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pas skandalit të radhës në fushën e koncesioneve, të denoncuar kësaj here nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Mësohet se pas publikimit të raportit me shkeljet e shumta në fushën e kontratave koncesionare te hidrocentralet lokale, METE nisi procedurat për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), Shkëlqim Kërluku. Ky është zyrtari i parë i ndëshkuar nga ministri, por mësohet se të tjerë me radhë do të penalizohen për shkeljet e dokumentuara nga KLSH, ndërsa sakaq, dosja hetimore ka shkuar në prokurori.
“Po studiojmë me seriozitet raportin e KLSH. Do marrim çdo vendim, në bazë të ligjit, duke njoftuar edhe publikun çdo ditë”, ishte i vetmi reagim zyrtar i ministrit Nasip Naço. Ky i fundit shkarkoi me bujë, rreth një vit më parë, sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Durim Kraja, me motivacionin e abuzimit me postin në vlerësimin e ofertave në tenderët e koncesioneve. Edhe krijimi i ATRAKO-s u pa si ogur i mirë për fillimin e një procesi transparent dhe ligjor, por faktet tregojnë se sektori i koncesioni është i zhytur tërësisht në korrupsion dhe ku arka e taksapaguesve shqiptarë nuk po merr frytet e duhura.
A.K