Kreu i ekzekutivit ka kërkuar uljen e tarifave të mësimit të gjuhës angleze.  Nxënësit të mësojnë mirë dy gjuhë të huaja


Deri në vitin 2015, çdo mësues që fillon me klasën e parë duhet të jetë anglishtfolës. Ndërkohë që nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme duhet të kenë të përvetësuara mirë dy gjuhë të huaja. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës së organizuar nga British Council, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, “Gjuha angleze dhe sistemi arsimor – Një mundësi e re”, me pjesëmarrjen e ministrit të Arsimit, zotit Myqerem Tafaj, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Tiranë, zotit Nicholas Cannon, përfaqësuesve të institucioneve arsimore, universiteteve publikë dhe privatë. Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se me ndryshimet e reja në sistemin arsimor gjuha angleze do të nisë të mësohet në shkollë që nga klasa e tretë.”Ne nuk  do ta fillojmë anglishten që në klasën e parë, çka është e diskutueshme, por do ta fillojmë në klasën e tretë dhe mësuesi në sistemin e ri do ta përcjellë nxënësin deri në klasën e gjashtë. Mora këtë shembull për të theksuar se ne jemi në një ndryshim të vazhdueshëm. A është kjo një kërkesë shtesë? Po, por është një kërkesë plotësisht e realizueshme për mësuesin, që lartëson standardin e tij, e ndihmon të pasurojnë njohuritë e tij të gjithanshme”, është shprehur Berisha, i cili më tej është ndaluar në cilësinë më të mirë të mësimdhënies së gjuhës angleze dhe çmimin më të lirë për mësimin e saj.


“Natyrisht, në kushtet e tregut, nuk ka asgjë pa një çmim, por duhet të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë atë studentëve, të gjejmë mënyrat sesi testi i British Council apo TOEFL apo teste të miratuara nga ju të jenë sa më lehtë të përballueshme nga studentët tanë”, ka thënë Berisha, duke kërkuar që nxënësit në Shqipëri të përvetësojnë të paktën dy gjuhë të huaja nëpër shkolla.


“Çdo nxënës duhet të mbarojë gjimnazin me dy gjuhë të disponuara. E dyta do të jetë frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, kinezçe, detyrimisht duhet të ecim edhe me këtë gjuhë, e cila gjithnjë e më shumë merr terren dhe rëndësi të veçantë, pasi sot, Kina është superfuqia e dytë e botës në ekonominë planetare”, ka thënë Berisha.


18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)