Komisioneri i Tregtisë De Gucht pranon për herë të parë përgatitjet për daljen e mundshme të Athinës nga Eurozona


Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane po punojnë mbi mënyrat e menaxhimit dhe reagimit ndaj një largimi të mundshëm të Greqisë nga Eurozona, komisionari i BE-së për tregtinë Karel De Gucht deklaroi në një intervistë për median, sipas agjencisë Reuters. Spekulimet mbi përgatitjet e fshehta të Europës për një ngjarje të tillë kanë qenë të shumta, por për herë të parë një zyrtar i lartë i Komisionit Europian pranoi ekzistencën e faktit se plane emergjence po përgatiten për të menaxhuar largimin e parë të një vendi anëtar nga monedha e përbashkët.


“Një vit e gjysëm më parë ndoshta kishte rrezik për efekt domino,” De Gucht i tha gazetës belge De Standaard duke iu referuar rrezikut të daljes së Greqisë nga euro. “Por sot në Bankën Qëndrore Europiane si dhe te Komisioni, shërbimet po punojnë mbi skenarët e emergjencës në rast se Greqia nuk mbijeton. Dalja e Greqisë nuk nënkupton fundin e euros, siç pretendojnë disa,” shtoi ai.


Një burim pranë De Gucht tha se komisionari po shpjegonte se institucionet e BE-së nuk kanë qenë duke qëndruar duarkryq gjatë dy viteve të fundit dhe se ato janë sot më të përgatitur nga sa ishin.


Shqetësimet janë shtuar se Greqia mund të vendosë të largohet ose mund të detyrohet të largohet nga blloku i monedhës së përbashkët që ka aktualisht 17 vende anëtare, pasi politika e Athinës është përballur me një rebelim popullor kundër programit të FMN-së dhe BE-së për shkurtim shpenzimesh dhe reformë strukturore.


De Gucht i tha De Standaard se ai beson se Greqia do të qëndrojë brenda eurozonës por disa pyetje thelbësore do të lindin deri në zgjedhjet e ardhshme dhe se një nga këto pyetje qe se me çfarë kushtesh Banka Qendrore Europiane do të garantojë likuiditet për bankat e Greqisë.


“Loja finale ka filluar por se si do të përfundojë, këtë nuk e di,” tha ai. “Pyetja është nëse janë të gjithë në gjendje të mbajnë gjakun e ngrirë edhe për disa javë.”


I pyetur më herët mbi aludimet se ekzistojnë plane rezervë për përballimin e daljes së Greqisë, një zëdhënës i Komisionit Europian u përgjigj: “Ka shumë, shumë pyetje që po ngrihen dhe shumë pyetje janë të hapura sa i përket Greqisë. Shumica e përgjigjeve duhet të vijnë nga Greqia dhe ne duhet të respektojmë proceset politike atje. Është e qartë se e ardhmja e Greqisë është në Eurozonë dhe ne po punojmë për këtë.” 18 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)