Lëvizjet
30 prill: Prezantohet para publikut partia më e re e së djathtës shqiptare, Fryma e Re Demokratike. Grupi nismëtar i partisë përfshin ish-drejtues të PD-së
Oketa: sh-deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, është zgjedhur kryetar i grupit nismëtar të kësaj partie, ndërsa në Parlament është shkëputur nga grupi i PD-së
Deputetët: Drejtuesit e FRPD-së bënë të ditur në publik se kanë pritshmërinë që një grup deputetësh të Partisë Demokratike do t’i bashkohen partisë së re
Tirana: Me largimin e Gëzim Karapicit, ish-deputet i PD-së, këshilltar i Bashkisë së Tiranës, PD-ja humb mazhorancën e brishtë në këshill prej 27 anëtarësh
Mazhoranca
Ikën Karapici. Biberaj: Presim të zgjerohet grupi parlamentar
Fatjona Mejdini
Skena politike shqiptare po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, në prag të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në një kohë kur zhvillime të rëndësishme po ndodhin brenda së majtës, ujërat po turbullohen dhe brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Teksa partia e sapokrijuar, Fryma e Re Demokratike, po merret me organizimin e strukturave të saj, përfaqësuesit e saj shprehen optimistë se së shpejti do të arrijnë të rrisin në numër dhe grupin e tyre parlamentar. Por “turbullirat” duhet se nuk janë tashmë vetëm atribut i ligjvënësve shqiptarë. Burimet bëjnë të ditur se mbështetje FRD-ja po merr edhe në radhët e këshillave bashkiakë në vend, ose të quajtura ndryshe qeveritë vendore. Kështu, të njëjtat burime bënë të ditur për “Shqip” se një nga anëtarët e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Gëzim Karapici pritet të shpallë bashkimin e tij me FRD-në e sapokrijuar. Kjo lëvizje pritet të pasohet dhe me disa të tjera, të cilat lidhen me kalimin e funksionarëve të ndryshëm demokratë, si përfaqësues të kësaj partie politike.
Deputetët
Partia e re e së djathtës, FRD-ja, duket se sapo ka nisur të shpalosë planet për t’u pozicionuar fort në skenën politike shqiptare. I pyetur për këtë çështje, në një prononcim për “Shqip”, një nga themeluesit kryesorë të kësaj partie, Aleksandër Biberaj konfirmon faktin se FRD ka nisur negociatat me disa deputetë të PD-së për t’i tërhequr në një grup parlamentar. “Grupi parlamentar i yni do të rritet. Kemi sinjale se deputetë të PD-së do të afrohen së shpejti me ne”, konfirmon Biberaj pa dashur të japë shumë detaje dhe duke theksuar faktin se negociatat nuk kanë përfunduar ende. Një zhvillim i tillë do të krijonte një situatë krejt të re në Parlamentin shqiptar, duke vendosur në vështirësi të madhe Partinë Demokratike, e cila pas firove nëpër vite, tashmë numëron 66 deputetë. Ndërkaq FRD është direkt një parti parlamentare, gjë që u bë e mundur nga largimi i ish-deputetit demokrat, Gazmend Oketa, nga PD drejt kësaj partie.
Këshillat
Një lëvizje interesante po ndodh dhe në këshillat bashkiakë të qyteteve kryesore në vend dhe fillimisht pritet të konfigurohet në Tiranë. Burimet bëjnë të ditur se ish-deputeti demokrat, Gëzim Karapici, i cili aktualisht është anëtar i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, pritet t’i bashkëngjitet në mënyrë zyrtare FRD-së. Ky bashkim do të sillte dhe lëvizjen e balancave tepër delikate të votave në këshillin bashkiak të kryeqytetit. Aktualisht mazhoranca qeverisëse ka 28 vota në këtë këshill dhe opozita ka vetëm 27. Një ndryshim i qëndrimit të anëtarit Karapici në këtë këshill do t’i kushtonte mazhorancës qeverisëse humbjen e shumicës në “qeverinë lokale” të kryeqytetit të vendit. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se mbështetje FRD-ja ka dhe nga shumë këshilla bashkiakë të qyteteve të tjera të vendit, në të cilat gjithashtu balanca mes dy forcave kryesore është delikate. Fakti që dy partitë e mëdha janë shumë afër për sa i përket votave në Parlamentin shqiptar, si dhe në qeveritë vendore, po e faktorizon FRD-në si një parti e djathtë, e cila ka në dorë të lëkundë ekuilibrin e krijuar. FRD duhet se po shfrytëzon dhe momentin në të cilin ndodhet Partia Demokratike. Kjo parti, si rezultat i mbajtjes së pushtetit prej shtatë vitesh, tashmë e ka spostuar vëmendjen nga organizimi i brendshëm i partisë dhe i ka vënë në lëvizje strukturat demokrate vetëm në prag të fushatave zgjedhore.