Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe: Do reagojmë ndaj çdo përpjekje për të eksportuar krizën nga kjo krahinë


Gjendja e sigurisë në Kosovë ka rrezik të ndërlikohet për shkak se shumë probleme nuk janë zgjidhur dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë. Kështu është shprehur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjeneral-kolonel Lubisha Dikoviç. Sipas tij, ushtria e Serbisë po ndjek të gjitha zhvillimet në rajon që mund të reflektohen në sigurinë e vendit dhe ajo ka bashkëpunim të mirë me fqinjët.


“Sfida më e madhe për sigurinë në Serbi është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, është shprehur Dikoviç duke shtuar se: “Të jeni të sigurt se do të reagojmë në mënyrë adekuate në përputhje me vendimet dhe autorizimet ndaj çdo përpjekje për të eksportuar krizën nga kjo krahinë”, siç e quan ai Republikën e pavarur të Kosovës, “në Serbinë qendrore”, kanë cituar mediat kosovare.


Më tej Dikoviç është shprehur se Ushtria e Serbisë e ka planin e parandalimit të krizës dhe aftësinë që t’i përgjigjet rolit të vet kushtetues.  Sa i përket Kosovës, autoriteti kryesor sipas Marrëveshjes teknike-ushtarake është KFOR-i, që Dikoviçi shprehet të jetë i sigurt se mund t’u përgjigjet atyre sfidave. “Ka mundësi të bëhen përpjekje për eksportimin e destabilitetit në hapësirat e Serbisë qendrore, por kemi forcë e aftësi të pengojmë përpjekjet e tilla dhe t’i mbrojmë qytetarët”, citohet të ketë thënë Dikoviç.


18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)