Forumi mysliman akuzon: Studentët dhe gjimnazistët u paguan të dilnin në bulevard


Shpresa Mezini


Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë u festua zyrtarisht për herë të parë dje edhe në vendin tonë, ndërsa nuk munguan akuzat e forumit mysliman për blerjen e pjesëmarrësve në aktivitet. Ndonëse për muaj me radhë është diskutuar për zhvillimin e një parade me përfaqësues të këtij komuniteti, por jo vetëm, festa u përmblodh me një koncert modest në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Altin Hazizaj, kreu i ambasadës “Pink” tha se duke qenë viti i parë i festimit të kësaj dite, menduan të organizonin një koncert të thjeshtë, ndërsa parada do të parashikohet të zhvillohet vitin e ardhshëm.


Edhe pse komuniteti ka mbështetjen e një pjese të popullatës, të personave publikë apo politikanëve shqiptarë e të huaj, pjesëmarrja ishte e vogël. Shumë prej tyre ishin të rinj e gjimnazistë, disa prej të cilëve i kishin lyer gishtat e dorës me ngjyra të ndryshme për të treguar se e mbështesin këtë komunitetet personash dhe se respektojnë të drejtat e tyre. Në aktivitetin e djeshëm morën pjesë përfaqësuesit e ambasadës “Pink”, ambasadori i Vendeve të Ulëta, Van Den Dool, ambasadori amerikan Alexandër Arvizu, Avokati i Popullit dhe zëvendësministrja e Punës, të cilët kërkuan respektimin e të drejtave të njeriut.

“Shqiptarët janë homofobikë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të shikojë mundësinë që sa më parë të miratojë ndryshimet që adresojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e krimeve kundër komunitetit LGTB dhe çdo komuniteti tjetër në Shqipëri. Ne ftojmë politikanët, partitë politike, administratën, të marrin masa serioze për të ndërtuar kapacitetet e stafeve të tyre për të mbrojtur dhe për të respektuar të drejtat e komunitetit LGTB”, tha Hazizaj.


Myslimanët

E ndërsa në njërin cep të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” zhvillohej koncerti i komunitetit LGBT te sheshi “Vëllezërit Frashëri” marshonin përfaqësues të forumit mysliman dhe lidhjes së hoxhallarëve, të cilët propagandonin për moralin, jetën dhe një familje të shëndoshë. Edhe pse komuniteti LGBT gëzon mbështetje të konsiderueshme, ndonëse nën zë, pjesëmarrja në aktivitetin e organizuar nga forumi mysliman ishte më e ndjeshme. Gra të veshura me perçe, fëmijë, të rinj e persona që i përkasin moshës së tretë qëndronin të gjithë bashkë për një qëllim të vetëm, atë të mbrojtjes së familjes, si shtylla kryesore e një familje. “Nuk kishim për qëllim t’i kundërpërgjigjeshim komunitetit LGBT. Ata kanë jetën e tyre, por nuk bashkohemi dot me faktin që ky fenomen të propagandohet me zë të lartë, siç po ndodh aktualisht. Madje, mendoj me bindje në emër të forumit mysliman se parada, siç preferojnë ta quajnë vetë ata, nuk ka për qëllim respektimin e të drejtave të tyre, por përfitimet monetare nga organizatat ndërkombëtare”, tha Roald Hysa, sekretar i këtij forumi. Ai thotë për gazetën “Shqip” se gjimnazistët që ishin pjesë e këtij organizimi janë paguar për të dalë dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Sipas të dhënave që kam arritur të grumbulloj më rezulton se gjimnazistët e shkollave të kryeqytetit kanë lënë orët e mësimit vetëm e vetëm, sepse janë paguar nga ambasada pink me një shifër prej 150 mijë lekësh të vjetra, ndërsa studentët e universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ të cilët kishin ardhur posaçërisht nga qyteti i Durrësit janë paguar me një shumë që varijon nga 400-600 mijë lekë të vjetra(afro 300-400 euro). Kjo e rëndon situatën, pasi pjesëmarrja duhet të ishte e lirë, por u kthye në detyrim në shkëmbim të parave të dhëna nën dorë”, theksoi Hysa.


Aktiviteti


Pas përfundimit të koncertit të organizuar nga komuniteti LGBT, aktiviteti vijoi në orën 13.00 në qendrën e informimit të Bashkimit Europian, ku u çel ekspozita me foto të ndryshme ku mbizotëronin të gjitha ngjyrat e ylberit, simboli dallues i këtij komuniteti. Në të morën pjesë persona të ndryshëm, ku më së shumti të tërhiqnin vëmendjen shtetasit e huaj, të cilët fotografonin apo bisedonin me njëri-tjetrin për të drejtat që duhet të gëzojë komuniteti LGBT edhe në vendin tonë, ashtu si në shumë shtete të tjera të zhvilluara në botë.