Mediu: Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka votuar kundër tri nismave të qeverisë për procesin e pronësisë në tokat bujqësore në Shqipëri


Oketa: Vota kundër qeverisë ndaj tri ligjeve të pronave ka ardhur dhe nga deputeti i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa


Opozita: Partia Socialiste ka pasur qëndrim për të abstenuar në këto tri nisma të qeverisë, por 2 deputetët, Doshi e Isaraj votuan kundër


Berisha: Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, për shkak të vizitës së tyre në Kosovë kanë munguar në këtë seancë


Tri draftet kalojnë me vetëm 68 vota pro, Oketa shprehet kundër


BLEDAR HOTI



Tre ligjet e pronave reduktojnë mazhorancën në 68 vota, duke mos marrë shumicën minimale të kërkuar për formimin e qeverisë, 71 vota. Me mungesën e Kryeministrit Sali Berisha dhe të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, mazhoranca, falë opozitës ka kaluar tri nismat për pronat, pasi PS-ja mund të mos kishte marrë pjesë në votim, duke krijuar një mungesë kuorumi në Kuvend. Por socialistët kanë preferuar të mos matin forcat, edhe pse kjo mund të ishte një tregues i qartë i raporteve mazhorancë dhe opozitë vetëm dy muaj përpara zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Nëse opozita do të ishte më e organizuar, atëherë demokratët mund të pësonin tronditjen e parë në vështirësinë e kalimit të ligjeve në Kuvend. Ndërsa në krah të PD-së kanë qenë aleatët si LSI, ku deputetët Vangjel Tavo, Nasip Naço dhe Lefter Koka, si dhe deputetët e PDIU-së, Dashamiri Tahiri dhe Shpëtim Idrizi votuan pro. Por në këtë votim kreu i PR-së, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka votuar kundër tri nismave të qeverisë. Kundër votoi dhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. Nëse tre deputetët e LSI-së dhe dy të PDIU-së do të abstenonin, atëherë PD do të katandisej në 63 vota.


Debati për Gërdecin


Kreu i PR-së, Mediu, në fjalën e tij nuk ngurroi t’i cilësonte nismat e qeverisë në të cilat bën pjesë si antikushtetuese, ndërsa nuk sulmonte socialistët për çështjen e pronësisë. “Shalsi më bën thirrjetë kërkoj falje, por ju duhet të kërkoni falje që i keni burgosur, që u keni thënë ish-pronarëve nuk jeni pjesë e partisë tonë”, deklaroi Mediu.  Si replikë, deputeti socialist, Shalsi, akuzoi Mediun për tragjedinë e Gërdecit. “Do të them një ndryshim të madh, nuk më bën përshtypje që ke qenë ministër në kohën që Shqipërisë i ka ndodhur një fatkeqësi, duhet të ishe kokulur, janë vrarë 26 veta dhe ke kurajë të më tregosh faljen mua”, tha Shalsi. Ministri Mediu deklaroi se ndien vetëm dhimbje morale, ndërkohë kërkoi nga opozita që “të përballet hapur me të vërtetën dhe të mos luajë rolin e kukuvajkës”. “Të kishe pasur minimumin tim të kurajës, atëherë duhet të doje të dije vërtet çfarë ka ndodhur dhe të mos bëje kukuvajkën, por ju e bëni vetëm për interes politik, pozicionin tim e kam bërë të qartë, dhe kam vetëm dhimbje morale dhe jo lidhore”,- deklaroi Mediu. Kryeparlamentarja akuzoi opozitën se ka gënjyer shqiptarët duke thënë se u ka vrarë qeveria, ndërkohë propozuan avokatin e Gërdecit për postin e nënkryetarit të KLD-së. “Ishit ju që propozuat avokatin e Gërdecit, ndaj na kërkoni neve të falur se keni gënjyer shqiptarët duke thënë se u ka vrarë qeveria. Jeni në krizë të thellë morale, më e madhja që ka pasur politika në 20 vjet dhe pastaj ikni se nuk jeni burra”, theksoi Topalli.


 


Tabela e votave


“Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” 68 vota pro, 55 abstenime, 3 kundër. Votuan kundër Fatmir Mediu PR, Gazmend Oketa FRD, Tom Doshi PS Vangjel Dule nuk votoi


“Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” 68 vota pro, 56 abstenime, 3 kundër. Votuan kundër Fatmir Mediu PR, Gazmend Oketa FRD, Tom Doshi PS. Vangjel Dule nuk votoi


 


Mungonin




  • Sali Berisha

  • Myqerem Tafaj

  • Pandeli Majko

  • Ben Blushi

  • Fatmir Xhafaj

  • Andis Harasani

  • Blendi Klosi

  • Hazir Gashi

  • Bashkim Fino

  • Dritan Prifti

  • Kastriot Islami

  • Ilir Meta

  • Vasillaq Ngresi

  • Mehmet Xheka