Sport Shpallet lista e Kombëtares, De Biazi sjell pesë surpriza

Shpallet lista e Kombëtares, De Biazi sjell pesë surpriza

293
SHPËRNDAJE

Trajneri: Objektivi? Të shohim nga afër potencialin tonë real

Altin Manallari

Trajneri italian i kombëtares kuqezi, Xhani De Biazi, ka publikuar dje edhe listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për dy miqësoret e këtij muaji, fillimisht me Katarin (Madrid, më 22 maj, dhe pas saj me Iranin (Stamboll, më 27 maj). 22 është numri i futbollistëve për këto dy sfida testuese dhe përgatitore në kuadrin e eliminatoreve të Euro 2012, e cila starton në shtator. Bëhet fjalë për një listë të Kombëtares thuajse të rindërtuar e teknikut italian për miqësoret e majit, dhe ku një ndikim jo të vogël kanë pasur mungesat për shkak të dëmtimeve të disa lojtarëve, ndërkohë që nuk mungojnë surprizat e De Biazit. Portierët Ertrit Berisha dhe Shpëtim Moçka, mbrojtësi Mërgim Mavraj, dhe mesfushorët Mërgim Brahimi dhe Sabien Lilaj (i cili mund të konsiderohet si një i rikthyer, pasi është thirrur më herët nga Josip Kuzhe), janë risitë e listës. Për dy kosovarët, Mërgim Mavrajn dhe Etrit Berishën do të jetë hera e parë që do të veshin fanellën kuqezi, ndërkohë që mesfushori kosovar, Mërgim Brahimi ka luajtur me Kombëtaren U-21 (madje ka shënuar gol në fitoren 4-3 kundër Moldavisë). Mërgim Brahimi vlerësohet si një Ervin Skela i ri, pasi në të pesë ndeshjet me Shpresat ka shfaqur një repertor të pasur teknik dhe horizont në lojë. Mbrojtësi i Teutës, Tefik Osmani; mesfushori i Rizesporit, Hair Zeqiri, sulmuesi i Polonia Varshavës, Edgar Çani, si dhe sulmuesi i Lokarnos, Armando Sadiku thirren për herë të dytë nga tekniku italian, pas asaj në miqësoren e humbur 2-1 kundër Gjeorgjisë. Portieri Samir Ujkani, i cili priti dy penallti në atë takim mungon në listë, pasi nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në dorë. Në fakt, edhe kapiteni Lorik Cana dhe mbrojtësi shkodran, Admir Teli, si dhe sulmuesi Erjon Bogdani janë për herë të parë nën urdhrat e trajnerit të dytë italian që drejton Shqipërinë, pas Xhuzepe Dosenës, pasi në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, Cana ishte në fazën e rehabilitimit pas dëmtimit në shtyllën kurrizore, Bogdani sapo e kishte kaluar një të tillë, ndërsa Teli nuk u mor në konsideratë. Nga lista e parë e De Biazit, e lojtarëve të thirrur për Gjeorgjinë, mungojnë mbrojtësi i Çernomertsit, Kristi Vangjeli (i dëmtuar), mesfushori i Këlnit, Odise Roshi (i dëmtuar), mesfushori i Tiranës, Gilman Lika (i dëmtuar), sulmuesi i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi dhe po ashtu Hamdi Salihi, i cili vazhdon të jetë i angazhuar në kampionat me DC Junajtid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trajneri i përfaqësueses, Xhani De Biazi ka lënë jashtë Xhevahir Sukajn që po shkëlqen në Iran me Sepahanin, por ka grumbulluar sërish bomberin e Shpresave. Trajneri i ka cilësuar si shumë të rëndësishme dy miqësoret: “Kemi zhvilluar vetëm një ndeshje deri tani, madje edhe atëherë punuam në kushte jo të favorshme, sepse disa futbollistë erdhën shumë vonë, një pjesë tjetër mungonin prej impenjimeve ose ishin të dëmtuar. Dua të them se ky do të jetë grumbullimi i parë i plotë dhe do të më shërbejë të shoh nga afër potencialin real të skuadrës. Objektivi ynë është të shohim se në ç’gjendje jemi dhe të marrim masa për përmirësime, apo për ndryshime të nevojshme”, është shprehur dje De Biazi. Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet sot në Durrës.

 

Lista e Kombëtares

1. Etrit Berisha (Kalmar)

2. Shpëtim Moçka (Apolonia)

3. Orges Shehi (Skënderbeu)

4. Tefik Osmani (Teuta)

5. Lorik Cana (Lacio)

6. Armend Dallku (V. Poltava)

7. Admir Teli (Karabak)

8. Franc Veliu (Flamurtari)

9. Mërgim Mavraj (Greuth Furth)

10. Andi Lila (PAS Janina, Greqi)

11. Mërgim Brahimi (Grashopers)

12. Ervin Bulku (AZAL Baku)

13. Sabien Lilaj (L. Zagreb)

14. Gjergj Muzaka (Skënderbeu)

15. Jahmir Hyka (Luzerna)

16. Emiljano Vila (PAS Janina)

17. Ansi Agolli (Karabak)

18. Elis Bakaj (Çernomorets)

19. Erjon Bogdani (Siena)

20. Edgar Çani (P. Varshavë)

21. Armando Sadiku (Lokarno)

22. Hair Zeqiri (Rizespor)

 

 

Finalja

Dështon Partizani, Tërbuni kampion i Kategorisë II

Kampion i Kategorisë së Dytë nuk është partizani, por Tërbuni i Pukës. Ky ka qenë verdikti i finales së kësaj lige. Pukjanët mposhtën 3-1 Partizanin, në finalen e “Selman Stërmasit”, ku të pranishëm ishin rreth 5 mijë shikues, ku mbizotëronin në atë fillim thirrjet “Partizani, Partizani!”, por që në fund u mbyll me festën e madhe të veriorëve nën thirrjet “Puka, Puka!”. Tërbuni erdhi me statusin e fituesit të grupit A, ndërsa Partizani, atë të grupit B. Ndeshja ishte e hapur dhe të dyja skuadrat e kërkuan nga minuta e parë fitoren dhe deri të vërshëllima e fundit e gjyqtarit me stemën e FIFA-s, Bardhyl Pashaj. Capja realizoi golin e parë për Tërbunin në minutën e 15-të. Gjoka i Partizanit barazoi rezultatin në 1-1 në të 21’, duke e mbyllur pjesën e parë me këto shifra. Autogoli i Bojas në minutën e 55-të u dha sërish avantazhin pukjanëve, që fiksuan përfundimisht rezultatin në 3-1, më anë të Kullit (75’). Episodi i fundit i ndeshjes ishte nxjerrja jashtë për protesta e trajnerit të Tërbunit, Gentian Stojku, në titullin e tij të parë. Gjithsesi, pavarësisht se Tërbuni fitoi titullin kampion, edhe Partizani do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Në këtë kompeticion do të luajnë tre ekipe që së bashku kanë fituar 35 tituj kampion të Superiores: Dinamo (18), Partizani (15) dhe Elbasani (2), duke mos përjashtuar edhe Besën (2 herë fituese të Kupës). Trofeu dhe medaljet e kampionit ua dorëzoi fituesve, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i shoqëruar nga presidenti i nderit, Miço Papadhopulli, dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv.