Ambasadori amerikan: Berisha të mendojë për çështje më të madhe


Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se nëse presidenti nuk zgjidhet me 84 vota do të ishte një shans i humbur për Shqipërinë. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Arvizu ka dhënë mendimin e  tij në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit. “Unë jam përpjekur që të shmang përdorimin e termit konsensual, sepse ai nënkupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm. Dhe nëse nuk arrihet një konsensus nuk mendoj se duhet të jetë shkaku i një krize politike. Pra një proces kushtetues, kur themi këtë, janë tre raundet e para. Dhe do të doja shumë këtë dhe jo me vetëm 84, por pse jo 140, do të ishte e shkëlqyer nëse mund të realizohet. Nëse ata përpiqen për më të mirën e tyre, nëse ata përpiqen unë besoj se ata mund t’ia dalin mbanë, nëse nuk e bëjnë, do të thotë se njëra anë apo pala tjetër nuk kanë përfituar sa duhet, pasi nëse duan ata e zgjedhin”, tha Arvizu.


Ndërsa për deklaratën e Kryeministrit Berisha se kandidati për president do të zgjidhet me 71 vota nga radhët e PD-së, diplomati amerikan u shpreh se “mund ta kuptoj se pse ai (Kryeministri) dëshiron dikë që e beson, por edhe që mund të ndikojë. Por mendoj se ai duhet të mendojë për çështjen më të madhe. Me gjithë respektin që kam për personat që janë në kabinetin qeverisës, ky nuk është një post në kabinetin e Kryeministrit, por është një post për Presidentin e Republikës. Konsideratat që hidhen mes këtij procesi duhet të jenë konsultative”. Porse cili mund të ishte qëndrimi i SHBA-së, nëse kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota? “Nëse vjen puna te zgjedhja e dikujt në raundin e katërt me 71 vota dhe kjo do të bëhet në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte komuniteti ndërkombëtar apo SHBA? Nëse ajo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën, po. Por unë do ta shihja, SHBA-ja do ta shihte një si një mundësi e humbur, një shans i humbur. Do të kishte pasur një mundësi që të kishim një president që kapërcen partitë politike dhe për të cilën arsye ato nuk kanë qenë të gatshëm për të kompletuar, për të gjetur një marrëveshje. E shoh si një mundësi, pse duhet të mos zgjidhjet, e shoh si një mundësi me 84. Një shans i humbur për të lënë mënjanë të gjithë këto interesat partiake. Do të doja që të arrihet në një marrëveshje se cili është kandidati më i mirë si president”, theksoi Arvizu. Ambasadori ka dhënë komente dhe në lidhje me takimin mes Ramës dhe Metës, duke e vlerësuar dhe takimet e fundit të Nanos. “Është gjë e mirë që ata takohen me njëri-tjetrin, por problemi shqetësues që unë kam, nëse ata duhet të takoheshin për të pasur një kandidat konsensual për 84 ose 140 vota, mendoj se do të ishte e shkëlqyer dhe SHBA do ta vlerësonin, do të ishin të lumtur. Por puna është se grupet e ndryshme po mendojnë se si mund të arrijnë 71 vota”, theksoi Arvizu. Diplomati amerikan ka dhënë mendime dhe në lidhje me takimin e ditëve të fundit me liderin e PS-së, Edi Rama, duke theksuar se vendin e lokalit e përzgjodhi vetë, por se “nuk kishin ngrënë ngjala, por se kishin folur për ato”. “Meqenëse bashkëshortet tona ishin aty duhet të ishim sjellë shumë mirë. Pra pasi ambasadori mbërriti dhe ndodhi incidenti i 21 janarit, ishin zgjedhjet vendore, të Tiranës, një kohë e vështirë për vendin, për PS, kemi zhvilluar shumë biseda dhe disa prej tyre kanë qenë pak të vështira. Është e natyrshme, sepse jemi njohur në rrethana të vështira, por mund t’ju them se tani kemi marrëdhënie të shkëlqyer, gjatë muajve të fundit ndihem i hapur dhe komod me të”, theksoi ai. Arvizu ka dhënë komente dhe në lidhje me kandidaturën e Nanos, ku theksoi se përpos atyre të servirura nga gazetari Çani, ish-kryeministri është i vetmi që kërkon të arrijë një president me 84 vota.