Champions League


Bajern-Çelsi, një rast i mirë për t’u bërë të mëdhenj. Bavarezët mendojnë për këtë ndeshje që kur mësuan se finalja do të luhej në “Allianz Arena”


Formacionet e mundshme


BAJERN MYNIH (4-2-3-1): Nojer; Lahm, Boateng, Timoshuk, Kontento; Shvanshtajger, Kroos; Roben, Muler, Riberi; Gomez.


Trajner: Hejnkes.


Të skualifikuar: Badshtyber, Alaba, Luiz Gustavo.


ÇELSI  (4-2-3-1): Cech; Bosingëa, Cahill, Luiz, Cole; Mikel, Lampard; Sturridge, Mata, Kalou; Drogba.


Trajner: Di Mateo.


Të skualifikuar: Terry, Ivanovic, Ramires, Meireles.


I padisponueshëm: Malouda.


Gjyqtar: Pedro Proenca (Portugali).


Ora: 20.45 në SuperSport


Gjithçka gati për finalen, që është rruga për lavdinë europiane


Altin Manallari



Nuk do të jetë Champions League e Mesit dhe Kristiano Ronaldos, por ndeshja Çelsi-Bajern i Mynihut është po aq e denjë për të qenë një finale e Champions League. Sfida e “Allianz Arena” mund të ishte transformuar në arenën e një tjetër “El Clasico”-je mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, por jofavoritët në letër kanë triumfuar në gjysmëfinale, edhe sepse Bajerni ishte konsideruar që nga fillimi i kompeticionit si një nga të paktat skuadra të afta për të sfiduar dominimin spanjoll. Dhe në fakt, skuadra bavareze mendon për këtë ndeshje që në momentin e parë që mësoi se finalja do të zhvillohej në stadiumin e tij “Allianz Arena”. Për këtë nuk ka hequr dorë asnjëherë, as nuk ka shitur asnjë prej “yjeve” të tij, dhe tashmë gjendet përpara një rasti historik, që duket se i ka ardhur në derën e shtëpisë. Riberi, Roben e Shvajnshtajger ëndërrojnë goditjen e madhe, e cila do të ishte një shpagim për zhgënjimin e dy viteve më parë në Madrid kundër Interit, Gomez synon të shënojë edhe këtë herë. Trajneri Hajnkes ngushëllohet me Kontenton, Timoshuk dhe Mulerin për mungesat e të skualifikuarve Alaba, Badshtuber e Luiz Gustavo dhe dëshiron të bëhet trajneri i katërt që e fiton Kupën me veshë të mëdhenj në drejtimin e dy skuadrave të ndryshme. Një herë ia ka dalë të realizojë surprizën në 1998, dhe bëhet fjalë për një triumf historik, sepse riktheu në “Casa Blanca”, pikërisht atë të Realit të Madridit, trofeun që mungonte prej 32 vjetësh. Tashmë Hejnkes synon me vendosmëri të bëjë “bis” me Bajernin, i cili nuk e fiton trofeun që nga 2001 (triumfonte në Milano me penalti në ndeshjen ndaj Valencias), pasi kishte eliminuar pikërisht Realin e Madridit, në një sfidë të dyfishtë, e cila ka dhuruar momente autentike të futbollit spektakolar dhe në të cilën skuadra e Mynihut ka demonstruar se nuk ka asnjë lloj frike nga askush. Shumë më e matur ka qenë Çelsi, i shndërruar në mënyrën më të mirë që kur Roberto Di Mateo ka zëvendësuar Andre Vilas Boas. Pasi “hoqi qafe” Napolin dhe Benfikën, ka përmbushur një surprizë autentike, duke eliminuar Barcelonën, nën flamurin e një “katenaçoje” dhe kundërsulmi, që i kanë bërë “Blues” të ngjashëm me skuadrën e fundit të bërë kampione e Europës në shtëpinë e tyre, Interin e Helenio Herreras, që triumfoi në “S. Siro” në 1965-ën. Di Mateo është mbështetur te “senatorët” të lënë në harresë nga paraardhësi i tij, si Lampard e Drogba, por për të pasur më shumë siguri te kualifikimi në finale i është dashur të presë golin në “Kamp Nou” të objektit misterioz Fernando Torres, i cili sot do ta nisë ndeshjen nga pankina. Do të mungojnë kapiteni Xhon Terri, njeri i rrëshqitjes së famshme në momentin e gjuajtjes së penalltisë decizive në finalen e Moskës 2008, Ramirezi fondamental në Barcelonë dhe të skualifikuarit e tjerë, Raul Meireles ed Ivanoviç. Kështu që zgjedhjet e Di Mateos duken të detyrueshme, me David Luiz në qendër të mbrojtjes me Kahil, Bosingua në të djathtë, Mikel në mesfushë dje Kalunë krahun e majtë të treshes sulmuese (me Sturridge e Mata) pas shpatullave të Drogbasë. A do të mjaftojë për të fituar përballë një skuadre që do të sulmojë që nga fillimi, dhe që në shtëpi është një rul asfaltesh, këtë do ta tregojë vetëm fusha. Me siguri besojnë te surpriza padroni Roman Abramoviç dhe 21 mijë tifozët e Çelsit që do të vijnë nga Londra, qyteti që Championsin nuk e ka fituar kurrë dhe do të dëshironte ta merrte pikërisht në vitin në të cilin do të mikpresë Olimpiadën 2012.


Trajneri i Bajernit


Hejnkes: Bajern, të hyjmë në histori duke fituar finalen


Jup Hejnkes kërkon të bëjë historinë me Bajernin e Mynihut. Tekniku gjerman u shpreh në konferencën për shtyp para finales së Ligës së Kampioneve ndaj Çelsit që do të luhet sot se “të luash një finale Champions në fushën tënde është diçka e jashtëzakonshme. Nuk ka ndodhur që nga viti 1965 që një ekip të fitojë këtë trofe si vendas. Fitorja në Allianz Arena do të na fuste në histori. Kemi mundësi shumë të mira. Kemi besim, por nuk ka vend për eufori, duhet të qëndrojmë të qetë”, theksoi trajneri i bavarezëve. “Kemi përballë një skuadër që ka mundur në gjysmëfinale Barcelonën, skuadrën më të mirë në botë dhe do të jetë një ndeshje e barabartë. Mund të kemi një avantazh shumë të vogël për faktin që luajmë në fushën tonë, por nuk mendoj se jemi favoritë”, shtoi Hejnkes. Prezenca e Arjen Roben nuk është aspak në dyshim: “Roben ka një ftohje të lehtë dhe nuk u stërvit, sepse duam të jemi të kujdesshëm, por do të jetë patjetër në fushë”.


 


Trajneri i Çelsit


Di Mateo: Nuk ka favoritë, mundësitë janë 50 me 50


“Nuk ka favoritë. Bajerni luan në shtëpi, është e vërtetë, por mundësitë janë 50-50. Do të jemi edhe ne në fushë, duhet ta luajmë këtë ndeshje”. Këtë e ka thënë trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së sotme kundër Bajernit të Mynihut, e vlefshme për finalen e Champions League në stadiumin bavarez “Allianz Arena”. “Cilin kam frikë më shumë? Mbrojtja jonë do të duhet të jetë shumë e kujdesshme nga kërcënimi që mund të prodhojnë Riberi e Roben, ka nënvizuar Di Mateo. Pa harruar Mario Gomezin, një nga ata lojtarë që thjesht ka shënuar 41 gola në këtë sezon. Mbrojtja ime, siç ka demonstruar në ndeshjet e mëparshme, është shumë e aftë të bëjë punën e saj. Dhe pastaj kemi portierin Peter Çeh, një nga portierët më të mirë të botës, i cili është një formë të jashtëzakonshme. Është e nevojshme që të qëndrojmë kompaktë dhe të shfrytëzojmë eksperiencën e gardës së vjetër”.