Kthimi i kryeministrit pritet me kërshëri, pasi ai ka deklaruar se vetëm atëherë do të zbulojë emrin e kandidatit të PD për president


Kryeministri Berisha u nis sot për në Çikago (SHBA), ku do të marrë pjesë në Samitin e 25-të të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili do të zhvillohet në 20 dhe 21 maj, në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij janë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë.


Në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC).


Gjatë këtij sesioni do të përkujtohen ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës.

Në sesionet në vijim, Kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës.

Në sesionet e Samitit do të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Këshillit të BE-së, Presidenti i Komisionit të BE-së etj.


Kreu i qeverisë, disa ditë më parë ka deklaruar se do të zbulojë kandidaturën e tij për president të vendit vetëm pasi të kthehet nga samiti i Çikagos, pasi deri më tani ai ka qenë i rezervuar në dhënien e një emri konkret për presidencën, që është kthyer prej disa ditësh në çështje dite të politikës shqiptare.


19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)